Presioni që Donald Trump dhe udhëheqësit evropianë po ushtrojnë mbi Vladimir Putinin për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë nuk po tregon shenja se do të ketë efekt. Të enjten në mëngjes, Rusia nisi një sulm vdekjeprurës ndaj Kievit që vrau të paktën 12 persona dhe dëmtoi ndërtesat ku ndodheshin delegacionet e BE-së dhe Britanisë.
Nuk pati të lënduar në stafin e BE-së në sulm. Zëdhënësja e Komisionit, Arianna Podestà, tha të enjten: “Sulmet janë plotësisht të papranueshme. Ato nuk do ta lëkunden në asnjë mënyrë mbështetjen tonë për Ukrainën.” Ajo shtoi se stafi diplomatik do të mbetet në Ukrainë pavarësisht sulmit.
Ambasadorja e BE-së në Ukrainë, Katarina Mathernova, tha se ndërtesa ishte “dëmtuar rëndë nga vala goditëse” e breshërisë masive të dronëve dhe raketave balistike që Rusia lëshoi drejt Ukrainës gjatë natës.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha akuzoi Rusinë se ka “shënjestruar diplomatët në shkelje të drejtpërdrejtë të Konventës së Vjenës”. Shefja e çështjeve të jashtme të BE-së, Kaja Kallas e quajti këtë “një zgjedhje të qëllimshme për të përshkallëzuar dhe përqeshur” përpjekjet e paqes dhe tha se po thirrej i dërguari rus në Bruskel.
Zyra e Këshillit Britanik në Kiev, e cila është afër ndërtesës së delegacionit të BE-së, u godit gjithashtu. Kryeministri i Britanisë së Madhe Keir Starmer tha se sulmet ishin “të pakuptimta” dhe shtoi se “Putin po vret fëmijë dhe civilë, dhe po saboton shpresat për paqe. Kjo gjakderdhje duhet të marrë fund”. Sipas Sky News ambasadori rus në Britaninë e Madhe do të thirret nga Ministria e Jashtme.
Presidenti francez Emmanuel Macron ishte mes atyre që dënuan sulmet, të cilat ai i përshkroi si "terror" dhe "barbarizëm".Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul tha gjatë një konference për shtyp në Estoni se “kjo nuk mund të mbetet pa pasoja” dhe se sulmet ruse do të diskutohen në një takim të ministrave të jashtëm të BE-së në Kopenhagen.
Sulmet vijnë ndërsa Trump po rrit presionin ndaj Putinit, ndërsa kërkon të arrijë një marrëveshje paqeje për t'i dhënë fund luftës./Politico/



