Një oficer i lartë i CIA-s është arrestuar pasi agjentët federalë gjetën rreth 300 lingota floriri të fshehura në shtëpinë e tij. Ai akuzohet se i zbuloi një zyrtari të huaj detaje rreth një burimi sekret të inteligjencës amerikane, njoftuan prokurorët të martën gjatë seancës dëgjimore për pranimin e fajësisë.
David Rush, 49 vjeç, pranoi akuzën për mashtrim elektronik dhe rrezikon deri në 20 vjet burg, kur pritet dënimi i tij, më 28 janar.
Rush përvetësoi 194 milionë dollarë nga fondet qeveritare, duke përdorur pozicionin e tij në CIA për të krijuar një skemë të hartuar për të lehtësuar pasurimin maksimal të tij në kurriz të fondeve amerikane.
Në një dokument pranimi fajësie, Rush pranoi se në fund të vitit 2025 ai zbuloi disa informacione përshkruese të një burimi njerëzor klandestin të qeverisë amerikane, të cilat mund të rrezikonin sigurinë dhe jetën e burimit njerëzor dhe të zyrtarëve të qeverisë.
Po ashtu me informacionet e nxjerra rrezikohej aftësia e Amerikës për të rekrutuar burime njerëzore, të cilat mbështeten në sigurinë e qeverisë amerikane për sekret absolut.
Rush ndodhet në burg që nga arrestimi i tij më 19 maj, ndërsa hetuesit thanë se ai kishte sajuar detaje rreth arsimit dhe shërbimit të tij ushtarak, duke mashtruar agjencinë më të lartë të spiunazhit për vite me radhë.
Si oficer i lartë në Drejtorinë e Shkencës dhe Teknologjisë të CIA-s, Rush kishte akses në programet më sekrete të vendit, dhe ai e përdori këtë në favor të tij.
Dokumentet e gjykatës thonë se Rush sajoi një program shumë të klasifikuar për të kanalizuar miliona dollarë për blerjen personale të pasurive të patundshme luksoze në Florida dhe shpiku një “aktivitet” të ndjeshëm qeveritar për të blerë lingotat e floririt.
Gjatë kontrollit të shtëpisë së tij, hetuesit sekuestruan rreth 300 lingota floriri, së bashku me rreth 2 milionë dollarë në monedhë amerikane dhe 35 orë luksoze.
Rush, sipas hetuesve, shpiku një program të klasifikuar me akses të veçantë dhe u tha bashkëpunëtorëve se i nevojiteshin pasuri të patundshme luksoze në Floridën Jugore për të.
Ai kishte transferuar 145 milionë dollarë në një kompani holding për katër prona dhe automjete luksoze.
Ai i gënjeu bashkëpunëtorët, duke u thënë se zyrtarë të lartë qeveritarë e dinin nevojën për pasuritë e paluajtshme dhe e miratuan transaksionin.
Mashtrimi ndërshtetëror me transferta bankare ndodhi në janar kur Rush bëri që një punonjës qeveritar të dërgonte 45 milionë dollarë për skemën e tij, thanë prokurorët.



