Rritja e rasteve të infeksioneve të shkaktuara nga bakteret e njohura si “mishngrënëse”, kryesisht Vibrio vulnificus dhe Streptococcus pyogenes, po ngjall shqetësim në rritje mes ekspertëve të shëndetit publik.
Edhe pse termi është teknikisht i pasaktë, këto baktere mund të shkaktojnë fascit nekrotizant, një infeksion i rëndë që shkatërron me shpejtësi indet dhe në raste ekstreme kërkon amputim ose çon në vdekje brenda pak orësh.
Vibrio vulnificus jeton në ujëra të ngrohta dhe të kripura dhe infekton njerëzit përmes kontaktit të plagëve të hapura me ujin e detit ose konsumit të butakëve të papërpunuar. Rreziku është më i lartë për personat me imunitet të dobësuar, sëmundje të mëlçisë, diabet ose moshë të madhe.
Ndërkohë, Streptococcus pyogenes përhapet nga personi në person përmes ajrit ose plagëve të infektuara dhe në format më të rënda mund të shkaktojë sindromën e shokut toksik streptokoksik, me një vdekshmëri të lartë.
Autoritetet shëndetësore raportojnë një rritje të rasteve në SHBA, Azi dhe Evropë. Në SHBA janë dokumentuar mbi 2,600 infeksione dhe më shumë se 700 vdekje që nga fundi i viteve ’80, ndërsa vitet e fundit janë shënuar rritje të ndjeshme në shtetet jugore si Florida dhe Luiziana.
Në Japoni, rastet e infeksioneve të rënda me streptokok kanë arritur nivele rekord në vitet 2023–2024. Në Evropë, veçanërisht në rajonin e Baltikut dhe Mesdhe, infeksionet me Vibrio janë rritur pas valëve të të nxehtit.
Ekspertët e lidhin këtë trend me ngrohjen e deteve, pasi bakteret shumohen më shpejt në ujëra më të ngrohta dhe më pak të kripura. Agjencitë evropiane paralajmërojnë se rritja e temperaturës së ujërave detare mund të zgjerojë ndjeshëm zonat e rrezikut në vitet e ardhshme.
Sipas studiuesve, kjo nuk është vetëm çështje shëndetësore, por edhe ekonomike, pasi shpërthimet në zonat turistike mund të ndikojnë në mbylljen e plazheve dhe industrinë e turizmit. Ekspertët paralajmërojnë se pa masa parandaluese dhe monitorim të vazhdueshëm, infeksionet mund të bëhen më të shpeshta dhe më të përhapura në dekadat e ardhshme.



