Ministrat dhe zyrtarët e lartë të qeverisë greke dyshohen për bashkëpunim në abuzimin me fondet e BE-së për bujqësinë, me vlerë me qindra miliona euro.
Por, pavarësisht dyshimeve të prokurorëve evropianë, ata ka gjasa t'i shpëtojnë drejtësisë sepse Kryeministri Kyriakos Mitsotakis po bllokon një hetim të plotë.
"Greqia në vitin 2025 nuk ka nevojë për skandale, por për të vërteta," i tha Mitsotakis parlamentit javën e kaluar, në një përpjekje për të justifikuar vendimin. "Ne kërkojmë një zgjidhje përfundimtare për problemin."
Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO) ndoqi dhjetëra raste në të cilat grekët morën fonde bujqësore të BE-së për kullota që nuk i zotëronin ose nuk i kishin marrë me qira, ose për punë bujqësore që nuk i kryenin, duke u hequr mundësinë e aksesit në fonde fermerëve legjitimë.
Një dosje prej 3 000 faqesh e dërguar në parlamentin grek përfshin dhjetëra transkripte përgjimesh në të cilat personat e përfshirë diskutojnë se si të shmangin kontrollet mbi pagesat e subvencioneve bujqësore të BE-së në mënyrë që aleatët dhe miqtë e partisë të mund të përfitojnë.
Të paktën pesë ministra aktualë ose ish-ministra dhe 10 deputetë të tjerë mund të jenë të implikuar, sipas transkripteve.
Mesazhi nga bisedat është i qartë: Ne duhet të mbrojmë dhe të paguajmë njerëzit tanë; inspektorët në agjencinë shtetërore që merret me pagesat e BE-së duhet të largohen; dhe ne duhet të pengojmë prokurorët hetues.
Qeveria Mitsotakis - falë shumicës që gëzon partia e tij e qendrës së djathtë Demokracia e Re dhe një neni që lejon vetëm parlamentin grek të ndjekë penalisht ministrat e qeverisë - ka zgjedhur të mos i hetojë njerëzit e vet.
/ Politico /



