Oligarkët po largohen, merrni masa, ishte thirrja e kryeministrit të ri hungarez Peter Magjar. Ai akuzoi njerëzit më të afërt të ish-kryeministrit Viktor Orbani se po shkojnë drejt Emirateve dhe vendeve të tjera për t;i shpëtuar ndjekjes penale apo ekstradimit. Kreu i ri i qeverisë hungareze ka akuzuar se shumë kompani të lidhura me qeverinë po shkatërrojnë dokumentacion, pasi i kërkoi tatim taksave të marrin masa.
Një prej aktorëve të fuqishëm në treg, kompania “4iG” ka qenë për qeverinë Orban një ndër instrumentat më të rëndësishëm ekonomikë të atij që quhet Sistemi Kombëtar i Bashkëpunimit (NER), veçanërisht në fushat e telekomunikacionit, shërbimeve të IT-së dhe industrisë së mbrojtjes. Kompania hungareze “4iG” ka rënë ne bursa me thuajse 24 % në gjashtë muajt e fundit, duke sjellë shqetësime tek investitorët.
Aktualisht, sipas medieve hungareze, marrëveshjet mes 4iG dhe shtetit hungarez, veçanërisht privatizimi i aksioneve të industrisë së mbrojtjes, janë në qendër të hetimeve.
Dikur kryeopozitar, sot kryeministër, Peter Magjari akuzon “4iG” si shembull të një kompanie që fiton kontrata përmes lidhjeve të saj me sistemin ndërsa premton hetime të thella për kontaratat e shumë kompanive të lidhura me regjimin Orban, siç e quan ai.
Në këtë kontekst Qeveria e re hungareze njoftoi se do të rishikojë aplikimin e kredisë 16 miliardë euro për sektorin e mbrojtjes nga Komisioni Europian për shkak të rreziqeve të korrupsionit.
4iG është kompania mëmë, e cila zotëron “One Albania”, njëri prej dy aktorëve të telefonisë celulare në Shqipëri. Rënia e besueshmërisë së investitorëve tek kompania dhe premtimet për hetime të thelluara nga qeveria e re, pritet të prodhojnë tronditje financiare të 4iG, duke sjellë pasoja serioze edhe mbi kompaninë “One”.
Të dhënat nga bilanci i kompanisë celulare tregojnë varësi të lartë financimi nga mëma e saj 4iG. Ne bilancin e vitit 2024 One Albania kishte rreth 9.1 miliarde lekë ose mbi 96 milionë euro hua të marra nga grupi mëmë. Zhvillimet e fundit të kompanisë 4iG kanë rritur ndjeshëm rreziqet financiare edhe për One Albania.



