Kryeqytetet e BE-së po shqyrtojnë mundësinë e goditjes së SHBA-ve me tarifa që kapin vlerën 93 miliardë euro, ose të kufizimit të kompanive amerikane nga tregu i bllokut, si kundërpërgjigje ndaj kërcënimeve të Donald Trump ndaj aleatëve të NATO-s që kundërshtojnë fushatën e tij për të marrë nën kontroll Groenlandën.
Ky veprim shënon krizën më serioze në marrëdhëniet transatlantike prej dekadash.
Masat hakmarrëse po hartohen për t’u dhënë liderëve evropianë levë në takimet kyçe me presidentin amerikan në Forumin Ekonomik Botëror në Davos këtë javë, thanë zyrtarë të përfshirë për “Financial Times”.
Ata po përpiqen të gjejnë një kompromis që do të shmangte një çarje të thellë në aleancën ushtarake perëndimore, e cila do të përbënte një kërcënim ekzistencial për sigurinë e Evropës.
Lista e tarifave u përgatit vitin e kaluar, por u pezullua deri më 6 shkurt për të shmangur një luftë të plotë tregtare. Riaktivizimi i saj u diskutua të dielën nga 27 ambasadorët e BE-së, së bashku me të ashtuquajturin instrument kundër shtrëngimit (anti-coercion instrument – ACI), i cili mund të kufizojë aksesin e kompanive amerikane në tregun e brendshëm, ndërsa blloku po përballej me mënyrën se si të reagonte ndaj kërcënimit të presidentit amerikan me tarifa ndëshkuese.
Trump, i cili ka kërkuar leje nga Danimarka për të marrë kontrollin e Grenlandës, u zotua të shtunën në mbrëmje se do të vendoste tarifa prej 10 për qind deri më 1 shkurt mbi mallrat nga Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia dhe gjashtë vende të BE-së që këtë javë dërguan trupa në ishullin arktik për një stërvitje ushtarake.
“Ka instrumente të qarta hakmarrjeje në dispozicion nëse kjo vazhdon… [Trump] po përdor metoda thjesht mafioze,” tha një diplomat evropian i informuar mbi diskutimin. “Në të njëjtën kohë duam të bëjmë thirrje publike për qetësi dhe t’i japim atij një mundësi për t’u tërhequr.”
“Mesazhi është… karotë dhe shkop,” shtuan ata.



