Shtetet e Bashkuara kanë marrë masa për të ndaluar importin e routerëve të rinj për konsumatorë të prodhuar jashtë vendit, duke argumentuar shqetësime në rritje për sigurinë kibernetike dhe rreziqet ndaj infrastrukturës kritike, njofton theTelegraph.
Komisioni Federal i Komunikimeve (FCC) njoftoi se kufizimi do të zbatohet për të gjitha modelet e reja të routerëve të prodhuar jashtë SHBA-së, ndërsa pajisjet ekzistuese që tashmë janë në përdorim nuk do të preken.
Vendimi pasoi një shqyrtim të sigurisë kombëtare të kërkuar nga Shtëpia e Bardhë, e cila identifikoi routerët e importuar si "një rrezik të rëndë për sigurinë kibernetike, i cili mund të shfrytëzohet për të prishur rëndë infrastrukturën kritike të SHBA-së".
Routerët, të përdorur për të lidhur kompjuterë, telefona, televizorë dhe pajisje të tjera me internetin, konsiderohen pjesë kyçe e infrastrukturës dixhitale.
Kina zë rreth 60% të tregut të routerëve shtëpiakë në SHBA, ndërsa shumica e prodhimit global zhvillohet jashtë vendit, përfshirë Kinën dhe Tajvanin.
FCC tha se "aktorët keqdashës kanë shfrytëzuar dobësitë në routerët e prodhuar jashtë vendit për të sulmuar familjet amerikane, prishur rrjetet, kryer spiunazh dhe vjedhje të pronës intelektuale".
Dobësitë e tilla u shfrytëzuan në incidente të mëdha kibernetike midis viteve 2024-2025, duke përfshirë sulmet Volt, Flax dhe Salt Typhoon.
Sipas rregullave të reja, routerët e ndërtuar jashtë SHBA-së duhet të marrin miratimin e FCC-së përpara importit, tregtimit apo shitjes.
Prodhuesit duhet të deklarojnë pronësinë e tyre të huaj dhe të paraqesin plane për të zhvendosur prodhimin në SHBA.
Disa përjashtime mund të lejojnë pajisjet e aprovuar nga agjenci si Departamenti i Mbrojtjes apo ai i Sigurisë Kombëtare.
Vendimi vlen edhe për routerët të projektuar në SHBA, por të prodhuar jashtë vendit, duke theksuar përpjekjet e Uashingtonit për të zvogëluar varësinë nga zinxhirët e furnizimit të huaj.
Ligjvënës amerikanë, përfshirë John Moolenaar, kryetar i komisionit për Kinën në Dhomën e Përfaqësuesve, kanë përshëndetur vendimin, duke theksuar nevojën për të mbrojtur vendin nga sulmet kibernetike dhe për të përjashtuar pajisjet kineze nga infrastruktura kritike.
Vendimi pasoi rritjen e kontrollit mbi kompanitë si TP-Link Systems, një prodhues kryesor i routerëve, i cili u padit nga Prokurori i Përgjithshëm i Teksasit për tregtim të mundshëm mashtrues dhe akses të mundshëm në të dhënat e konsumatorëve. TP-Link mohoi akuzat, duke deklaruar se qeveria kineze nuk ka asnjë kontroll mbi produktet apo të dhënat e përdoruesve.
Shumica e routerëve në SHBA prodhohen jashtë vendit, megjithatë ka përjashtime, si routeri Starlink WiFi i SpaceX-it, i prodhuar në Teksas, duke pasqyruar përpjekjet për lokalizimin e prodhimit të teknologjisë kritike.
Ambasada kineze në Uashington nuk ka komentuar ende këtë vendim.



