Një aktivitet 4-ditor mblodhi ekspertë dhe zhvillues në Olimpian e Lashtë në jug të Greqisë, ku çdo dy vjet ndizet flaka për Lojërat Olimpike Moderne të Verës dhe Dimrit.
Robotët humanoid treguan aftësitë e tyre në disa sporte si futboll, “shadow-boxing”, si dhe hedhje shigjetash, në atë që konsiderohet si vendlindja e Lojërave Olimpike.
Ndërsa lëviznin me hapa të ngadaltë dhe herë pas here kërkonin ndërrim baterie, krijuesit e tyre dhe futurologët debatonin mbi pyetjen thelbësore: Kur do të jenë robotët gati për të rregulluar dollapët dhe për të larë enët?
“Besoj vërtetë se humanoidët do të shkojnë fillimisht në hapësirë dhe më pas në shtëpi... shtëpia është kufiri i fundit,” tha Minas Liarokapis, akademik grek dhe themelues startup-i, i cili organizoi Olimpiadën Ndërkombëtare të Humanoidëve.
“Për të hyrë në shtëpi do të duhen më shumë se 10 vjet,” tha Liarokapis. “Flas për kryerjen me zhdërvjelltësi të detyrave, jo për shitjen e robotëve që janë thjesht të këndshëm, apo thjesht shokë të mirë”, shtoi ai.
Sipas një matjeje, robotët me pamje dhe sjellje njerëzore janë afërsisht 100,000 vjet prapa inteligjencës artificiale në aftësinë për të mësuar nga të dhënat, sipas një artikulli në numrin aktual të revistës Science Robotics.
Për ta zbutur këtë hendek, Ken Goldberg, profesor në Universitetin e Kalifornisë, u bëri thirrje krijuesve të robotëve të shkojnë përtej simulimeve dhe të kombinojnë “inxhinierinë tradicionale” me trajnimin në botën reale.
Sipas tij, kjo do t’u mundësonte robotëve të “mbledhin të dhëna ndërkohë që kryejnë punë të dobishme, si drejtimi i taksive apo ndarja e pakove.”
Hon Weng Chong, CEO i Cortical Labs, tha se kompania australiane e bioteknologjisë po zhvillon një të ashtuquajtur kompjuter biologjik që përdor qeliza të vërteta truri të rritura mbi një çip. Këto qeliza mund të mësojnë dhe të reagojnë ndaj informacionit dhe potencialisht t’u mësojnë robotëve të mendojnë dhe të përshtaten si njerëzit.
Në Olimpiadë, organizatorët shpresonin të hidhnin themelet për gara vjetore që do të ofronin një “vlerësim të sinqertë të përparimit që është bërë në fushën e robotëve humanoidë,” tha Patrick Jarvis, i cili së bashku me Liarokapis është bashkëthemelues i kompanisë prodhuese të robotëve Acumino.
Organizatorët kufizuan garat vetëm te ato që humanoidët mund t’i përballonin realisht.
“Ne u përpoqëm të përfshijmë disqet dhe shtizat, por kjo është e vështirë për robotët humanoidë,” tha Jarvis. “Gjithashtu nuk mund të vendosim se cili robot mund të bëjë kërcim së larti, sepse do të duhej të ndërtosh këmbë speciale”, shtoi ai.



