Anglia është në rrugën e duhur për t’u bërë një nga vendet e para në botë që eliminon hepatitin C, një virus që dëmton mëlçinë dhe mund të shkaktojë pasoja serioze nëse nuk trajtohet.
Sipas të dhënave të NHS England, që nga viti 2015 më shumë se 100 mijë persona janë diagnostikuar dhe trajtuar për hepatitin C. Objektivi për trajtimin e 80% të rasteve të njohura është tashmë i përmbushur, ndërsa vdekjet e lidhura me virusin janë ulur me 36% gjatë dekadës së fundit.
Hepatiti C është një sëmundje shpesh “e heshtur”, pasi shumë persona nuk shfaqin simptoma për vite me radhë. Virusi transmetohet përmes kontaktit me gjak të infektuar, ndërsa sot ekzistojnë trajtime antivirale që mund të kurojnë më shumë se 95% të rasteve brenda 8 deri në 12 javë.
Fushatat e testimit, përfshirë analizat e gjakut në urgjenca, testimet gjatë regjistrimit te mjeku i familjes dhe testet falas në shtëpi, kanë ndihmuar në identifikimin e rasteve që më parë nuk ishin diagnostikuar. Rreth 50,200 të rritur mendohet se jetonin me hepatit C në Angli gjatë vitit 2024. Nga këta, rreth 84.6% ishin diagnostikuar, një shifër ende nën objektivin prej 90%.
NHS synon gjithashtu të ulë me 65% vdekshmërinë nga hepatiti C deri në vitin 2030, krahasuar me nivelet e vitit 2015. Autoritetet shëndetësore besojnë se ky objektiv mund të arrihet edhe përpara afatit. Veçanërisht të nxitur për t’u testuar janë të rriturit e lindur në Shqipëri, Ukrainë, Rumani, Estoni, Letoni, Poloni, Lituani, Bullgari, Çeki dhe Sllovaki, pasi një pjesë e tyre mund të jenë ekspozuar ndaj virusit përmes procedurave mjekësore ose dentare të kryera para vitit 1991.
Testi në shtëpi i NHS është falas dhe konfidencial dhe mund të porositet online pa qenë e nevojshme një vizitë te mjeku i familjes.
Autoritetet britanike synojnë të ruajnë ritmin e testimit dhe trajtimit për të arritur objektivin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për eliminimin e hepatitit C si kërcënim për shëndetin publik deri në vitin 2030.



