Një zhvillim serioz ligjor për Julio Iglesias ka nxjerrë në pah akuzat lidhur me sjelljen e tij ndaj dy grave që punonin për të. Gjyqësori spanjoll ka vendosur të hapë një hetim penal kundër këngëtarit të famshëm, pas një padie për sulm seksual, akuza të cilat ai i mohon kategorikisht.
“Gjykatësi Antonio Pina e ka konsideruar të pranueshme padinë e paraqitur nga dy punonjëse kundër këngëtarit Julio Iglesias për krime kundër lirisë seksuale, si dhe krime dhune dhe trajtim degradues”, tha gjykata me seli në Madrid në një njoftim për mediat.
Megjithatë, gjykatësi i rrëzoi akuzat për krime të trafikimit të qenieve njerëzore dhe shkelje të ligjit të punës të përmendura në padi.
Theksohet se vvendimi i gjyqtarit u bazua në provat e paraqitura në padi, dëshminë e ankueses, e cila përbën prova fillestare që justifikojnë fillimin e hetimit penal.
Dy gra, një punëtore shtëpiake dhe një fizioterapiste, pretendojnë se janë sulmuar seksualisht dhe abuzuar ndërsa punonin në pronat e Iglesias në Bahamas dhe Republikën Dominikane në vitin 2021.
Në janar, këngëtari 83-vjeçar spanjoll i hodhi poshtë akuzat si “totalisht të rreme”, duke deklaruar se ai nuk ka sulmuar kurrë, detyruar ose nuk ka treguar mungesë respekti ndaj ndonjë gruaje.
Dy paditëset u thirrën për të dëshmuar personalisht para një gjyqtari më 3 shkurt 2027.
Një padi fillestare e ngritur në janar kundër yllit spanjoll të viteve 1970 dhe 1980, i cili ka shitur më shumë se 300 milionë disqe, u rrëzua nga gjykatat spanjolle, të cilat vendosën se nuk kishin juridiksion për të dëgjuar incidentet e dyshuara në Bahamas dhe Republikën Dominikane.
Zyra e prokurorit e rishikoi qëndrimin e saj në tetor, pasi një padi e dytë u paraqit në muajin shtator.
