Të vendosur në jug të Italisë prej gjashtë shekujsh, arbëreshët janë një prej komuniteteve më të veçantë dhe më origjinalë, të cilët ruajnë edhe sot traditat, gjuhën dhe kulturën e të parëve të tyre. Në të gjithë Italinë, sot njihen zyrtarisht 50 komunitete arbëreshe apo shqiptarë të Italisë. Në këto 41 komuna dhe 9 qendra të vogla banimi, të shpërndara në 7 qarqe të Italisë së Jugut dhe ishujve në Jug, rezultojnë që jetojnë si rezidentë rreth 100.000 shqiptarë të Italisë.
Qarku ku këta shqiptarë janë vendosur masivisht, madje në zona shumë pranë njëri-tjetrit, është Kalabria, me rreth 60.000 banorë, të vendosur në 30 komuna dhe 3 qendra më të vogla banimi, kryesisht në provincën e Kozencës. Ndërsa një komunitet i madh është vendosur në ishullin e Sicilisë, pranë Palermos. Mijëra arbëreshë janë vendosur edhe në Puglia, ndërsa komunitete më të vogla arbëreshe janë edhe në Molise, Basilicata (San Paolo Albanese, San Costantino Albanese, Barile, Ginestra e Maschito), por edhe në Campania e Abruzzo.
Por çfarë mund të themi për arbëreshët në krahinën e Basilicatës?! Të vendosur afër Materas, kryeqendër e kulturës evropiane për 2019-ën, këtë vit është parashikuar të organizohen një sërë aktivitetesh, të cilët kanë në qendër, pikërisht arbëreshët dhe traditat e tyre. Një prej tyre është “Arbereshe in rete”, aktivitet, i cili do të vijë nën kurimin e Qendrës Mesdhetare të Arteve dhe do të fillojë në 5 gusht në Matera, për të vijuar më pas në Komunën San Paolo Albanese nga 8 gushti deri në 17 gusht.
Por çfarë ka të përbashkët kultura materane me atë shqiptare, kultura arbëreshe me atë shqiptare dhe çfarë mund të themi për ngulimet arbëreshe në këtë zonë të Italisë?
“Të dashur miq shqiptarë, jemi në Matera. Kjo është Matera. Është një qytet prehistorik i lindur që kur është zbuluar zjarri. Njerëzit jetonin në këto shpella dhe sot është trashëgimi e njerëzimit. Në Matera, në antikitet mbërritën shqiptarët. Kur mbërrëtin shqiptarët, sepse arratiseshin nga myslimanët, arritën atje, në zemrën e qytetit, por pak nga pak, edhe para qytetit, duke jetuar në atë shpellë. Ju mund të pyesni tani nëse këtu në Itali popullata me origjinë shqiptare kanë konservuar traditat e tyre. Unë nuk kam qenë në Shqipëri, kam qenë në Mal të Zi, por besoj se traditat që ju gjeni në kulturën arbëreshë janë të viteve 1400, tradita që ndoshta sot në Shqipëri nuk janë më. Sepse Shqipëria pas viteve 1500 pati influencë të fortë nga pjesa e kulturës orientale, mbi të gjitha nga kultura myslimane, kështu që u bë e ndryshme, u bë një fole kulturore”, tha Ulderico Pesce, drejtues i “Centro Mediterraneo delle Arti”
Sipas Ulderio Pesce, ngjan se kultura e viteve 1500 në Shqipëri mbeti e konservuar në mënyrë autentike me traditat e atyre viteve nga shqiptarët që erdhën në Itali.
“Mesdheu është një kryqëzim i kulturave dhe marrëdhënieve, por besoj se kultura e viteve 1500 e shqiptarëve që u transferuan në Itali është një kulturë identitare shumë specifike dhe e përcaktuar. Nga ana tjetër, Shqipëria më vonë ishte një objekt invazioni, bashkëpunimi dhe ndërhyrjeje kulturash mes popujve, gjë që në njëfarë mase ka ndodhur edhe në Itali. Paradoksalisht, kultura italiane është bija e kësaj përzierjeje etnike, por kultura arbëreshe që erdhi në Shqipëri ishte kultura shqiptare e viteve 1500 dhe është një gjë shumë e veçantë për ta njohur, sepse në Itali ekziston një rajon gjeografik dhe një popull, ku flitet si në kohën e Torkuato Tasos apo Dante Alighierit, si në kohën e poetëve të 1200-s, 1400 dhe 1500-ës. Kështu, ju që vini në Shqipëri, në San Paolo Albanese, mund të keni rastin të shihni si ka qenë kultura e Tiranës apo Krujës e viteve 1500, që tani nuk është më”.
“Ky vend quhet Kuartier Kazalnuovo, Via dei albanesi. Shqiptarët e që erdhën këtu ishin të ritit ortodoks bizantin dhe ritin e tyre e kryenin në shpella. Këtu është një kishë, kisha dedikuar Santa Barbaras, ku ikona është e gdhendur në gur. Është një kishë e viteve 800-900 pas Krishtit dhe është një trashëgimi e madhe, që i përket Italisë, Basilicatës, por edhe Shqipërisë, pasi ishin pikërisht banorët që erdhën nga Shqipëria, që i banuan këto vende”.
Pesce tregon se në Bazilikata, duke nisur nga viti 1400 arritën shumë shqiptarë. Sipas tij, myslimanët e Muhamedit II donin që përmes Shqipërisë, të kalonin në Malin e Zi, ish-Jugosllavi dhe të mbërrinin në Venecia dhe Romë.
“Objektivi i myslimanëve ishte në këtë zonë: Venecia dhe Romë. Por myslimanët u bllokuan në Shqipëri nga Gjergj Kastriot Skënderbeu. Ai i bllokoi myslimanët. Shqiptarët për shumë vjet, por edhe italianët, ushtarët e Skënderbeut, qytetarët dhe intelektualët e Skënderbeut arrinin në Itali, për të falenderuar Skënderbeun për favoret e mëdha, që po bënte. Por me vdekjen e Skënderbeut ndodhi që shumë shqiptarë, duke parë që Shqipëria ishte nën pushtetin e myslimanëve u arratisën. Shqipëria dhe Italia janë shumë afër me njëra-tjetrën, në një distancë që e bën edhe me këmbë po të mos ishte deti dhe shumë shpejt arrin në Itali. Kështu, shqiptarët arritën në Basilicatë dhe edhe sot qëndrojnë këtu. Ata erdhën për të konservuar traditën, identitetin e tyre, ritualin greko-bizantin, gjuhën shqiptare, që sot quhet gjuha arbëreshe, për të konservuar zakone dhe tradita të mrekullueshme, këngët antike… Dhe ne sot kemi këngë të mrekullueshme, siç është “Moj e bukura More”.
Ulderico përmend edhe një tjetër këngë, këngën e Fugës, këngë që ka mbetur e paprekur për 750 vjet. Drejtues i një teatri, në atë që thotë se është vendi më i vogël në Basilicata, San Paolo Albanese, ai thekson se është një vend i mrekullueshëm, ku ndodhet edhe parku Pollino, një park nacional, më i madhi park nacional në Evropë dhe që mbrohet nga UNESCO për pemët dhe kafshët që ka.
“San Paolo Albanese është në Polino. Atje ka arbëreshë që vijnë nga Shqipëria antike dhe për qindra vjet kanë konservuar kulturën dhe ritet e tyre. Është një vend fantastik dhe me popullatë të mrekullueshme, ku edhe sot ka 8 gra, që i kanë kaluar të 80-at, që ecin nëpër rrugë të veshura me kostume antike të Shqipërisë, kostume të viteve 1400-1500, të gjithë të krijuar në gjinestra, që në gjuhën arbëreshe do të thotë spart, një bimë, një lule e verdhë shumë e bukur, të cilët arbëreshët e kanë kultivuar për qindra vjet dhe me të kanë bërë kostume dhe veshje”, thotë ai.
Pesce thekson se në San Paolo Albanese në datat 10, 13 dhe 14 gusht do të vendoset në skenë pikërisht kjo populatë, që vjen në Basilicatë nga Arbëria antike, Peleponezi dhe Morea.
"Miq shqiptarë, për të parë dhe dëgjuar gjuhën antike shqiptare duhet të vini në Itali. Nëse do të vini, do të gjeni një copë të vogël të popullit tuaj, që është transferuar këtu dhe ne do të vijmë në Shqipëri të gjejmë një copë të vogël të popullit tonë, që ka mbetur atje. Unë nuk i përkas kulturës shqiptare dhe arbëreshe, por jam shumë i dashuruar me këtë kulturë dhe kam adimirim të madh për të”.
“KA ART”, ARBËRESHËT DHE KULTURA SHQIPTARE NË POLLINO
Një tjetër projekt për popullsinë arbëreshe në fshatrat e Basilicatës në kuadër të Matera Open Future 2019 vjen nën drejtimin e Arte Pollino. Polino është zona e mbrojtur më e madhe e Italisë, territor që gjendet mes dy zonave, Basilicata dhe Kalabria, një territor mjaft i pasur me biodiversitet, shumë interesant dhe në brendësi të të cilit jetojnë komunitetet arbëreshe.
“Në brendësi të Pollino, Lucano kemi komunitetin më të vogël arbëresh, që përfaqësohet në San Paolo Albanese, një qendër e vogël me 300-400 banorë. Përballë San Paolo Albanese kemi një tjetër komunitet të vogël: San Kostandino Albanese. Brenda tyre është e mundur akoma të dëgjosh persona, që jetojnë dhe flasin gjuhën arbëreshe, një gjuhë e sjellë në Itali pesë shekuj më parë. Natyrisht, tashmë ka dhe një lloj influence të gjuhës italiane, nga italianët që jetojnë brenda këtyre komuniteteve dhe pikëtakimeve me banorët lokalë. Kështu, me kalimin e kohës disa fjalë edhe janë modifikuar, por megjithatë, sot është e mundur të dëgjohet gjuha arbëreshe. Është e mundur të hysh dhe të shohësh kishat e ritit greko-bizantin, është e mundur të gjesh ikona brenda këtyre kishave, sepse këto popullsi i kanë ribërë funksionale këto kisha, që për njëfarë kohe ishin modifikuar, transformuar dhe brenda të cilave kishte statuja. Me kalimin e kohës, edhe përmes ligjit që mbron minoritetet është bërë e mundur të ‘ruhen’ dhe futen brenda kishave edhe ikonat. Në të njëjtën kohë, në periudha të ndryshme të vitit gjejmë edhe festa, që janë të lidhura me kulturën shqiptare, si Vallet, vallëzime direkte pas periudhës së Pashkëve apo tradita të ndryshme, si dhe produkte tipike në gastronomi, që bëjnë të jetojnë dhe qëndrojnë gjallë ato gjëra, që i përkasin kulturës arbëreshe", shprehet Gaetano Lofrano, president i shoqatës “ArtePollino”
.KULTURA, BESIMI DHE BASHKËJETESA ME VENDASIT
Vincenzo Greco është dikush që e njeh nga afër traditën dhe kulturën arbëreshe. I rritur afër komuniteteve arbëreshe në Basilicatë, ai i cilëson ata si shumë krenarë dhe me një kulturë tepër të veçantë.
"Unë vij nga jugu i Italisë, Basilicata. Vij nga një luginë e përbërë nga 5 komuna, dy prej të cilave janë me origjinë shqiptare, të kulturës arbëreshe: San Paolo Albanese dhe San Kostantino Albanese. Ajo çfarë di për kulturën e tyre e kam zbuluar, që kur isha i vogël sepse jetoja afër tyre dhe kam shkuar në shkollë me fëmijë të këtyre vendeve. Në ato vite njoha pak nga kultura e tyre, që është pak edhe e jona dhe anasjelltas. Më kujtohet edhe që kur isha i vogël dhe shkoja në shkollë isha i dashuruar me dy vajza arbëreshe: Maria quhej njëra dhe Diella, vajza tjetër. Ishin magjepsëse për mua. Kishin tërheqjen që kemi ndaj një të huaji, edhe pse në realitet vinin nga pak kilometra larg, por ishin misterioze. Kur je fëmijë i projekton ndryshe shumë gjëra, pozitive dhe negative. Në këtë rast shumë pozitive, por kjo dashuri në fakt nuk mori kurrë përgjigje", thotë ai.
Vincenzo, madje kujton edhe një këngë të mësuar gjatë viteve të fëmijërisë.
Në gjuhën arbëreshe njoh pak fjalë. Një prej tyre është ‘nga këtu’, që besoj do të thotë eja këtu. Di mirë edhe po dhe jo-që do të thotë ë dhe jo. Di edhe një fjalë tjetër, që nuk di çfarë do të thotë. Besoj është një lloj fyerjeje dhe pastaj njoh edhe një këngë të famshme, që këndohet nga fëmijët kur janë të vegjël. Besoj se flet për një gjeldeti, por nuk e di mirë përkthimin".
"Ishte një kulturë magjepsëse për ne fëmijët. Disa herë mund të ngjante disi bezdisëse që flisnin në gjuhën e tyre midis njëri-tjetrit, ashtu siç ne flasim në dialekt, për të mos u kuptuar prej tyre, por kam qenë gjithnjë i mahnitur nga kjo kulturë, sepse gjithsesi ishte diçka e huaj dhe të kesh një kulturë kaq të ndryshme ngjante e çuditshme. Tashmë ekzistojnë një sërë rregullash, për të bërë që ky komunitet të mundet të jetojë si minorancë etnike. Mendoj se mes gjithë 5 komuniteteve në vendin ku unë jetoj, ata janë më krenarët, që e ruajnë shumë kulturën e tyre dhe e bëjnë që të njihet. Ka shumë emisione televizive që i janë dedikuar këtij komuniteti dhe janë persona shumë konkretë, persona që kur duan të realizojnë diçka arrijnë ta bëjnë. Kanë edhe aftësi si sipërmarrës, prodhojnë edhe gjëra të vogla, si përshembull djathë për të ngrënë. Janë shumë ndryshe nga komuniteti ynë, që po shpopullohet dhe nuk kanë një identitet të qartë. Ata përkundrazi kanë arritur të gjejnë identitetin e tyre dhe ta mbrojnë për aq sa është e mundur.”
Të njëjtën gjë përsa i përket krenarisë së arbëreshëve pohon edhe Beatrice Volpe, një gazetare e RAI-t, që gjithashtu ka disa miq arbëreshë dhe e njeh mirë këtë komunitet.
"Në këtë rajon të vogël, Basilicata, fshatrat ku akoma mund të gjejmë shqiptarë, të cilët ruajnë gjuhën dhe traditat janë San Kostandino Albanese dhe San Paolo Albanese, në zonën malore të Pollinos. Janë edhe tre fshatra të vegjël në lindje të Basilicatës, që janë Maschito, Barille dhe Gjinestra, që janë të lidhur me traditat shqiptare, por ata nuk flasin shumë arbërisht në ditët tona. Ndërsa në San Paolo Albanese dhe San Kostandino Albanese ruhet akoma gjuha, e cila është sigurisht një gjuhë shumë e pasur. Ata ruajnë besimin, traditat, artet. Ata akoma pikturojnë ikonat dhe kanë tradita speciale të gatimit. Kanë veshjet, të cilat janë të pasura me bizhuteri dhe akoma bëhen martesa me fustanet e tyre tradicionalë të mrekullueshëm, martesa që kryen sipas traditës në kishë. Sigurisht, nuk është e lehtë për ta që të mbajnë gjallë këto tradita. Ata kanë muzeume të vegjël dhe përpiqen me shumë mënyra, që të vegjëlit dhe të rinjtë të mësojnë më tepër për gjuhën e tyre, muzikën e kështu me rradhë. Më ka bërë shumë përshtypje gjithmonë krenaria e tyre, sepse ata janë vërtet shumë krenarë për traditën e tyre, origjinën, gjërat që i lidhin me vendlindjen e tyre. Ata ndihen në një farë mënyre specialë. Dhe mendoj vërtet se ata janë shumë elegantë. Ata flasin italisht shumë bukur, sepse ata e flasin atë si gjuhë të huaj. Janë veçanërisht të sjellshëm në marrëdhënie, janë bujarë kur shkon atje dhe përpiqen të të bëjnë të ndihesh mirë. Është shumë e rëndësishme për ta të ruajnë këtë kulturë, por është gjithnjë dhe më e vështirë, sepse janë komunitete shumë të vogla dhe nuk është e lehtë të mbijetojnë. Është problem në çdo komunitet në zonat malore në Itali, sepse të rinjtë nuk duan të qëndrojnë në fshatrat e vegjël, sepse nuk kanë ku të punojnë dhe duan të shkojnë në qytete të mëdhenj", thotë Volpe.
Vështirësitë në ruajtjen e traditave arbëreshe lidhen edhe me vështirësinë e ruajtjes së gjuhës arbëreshe, pasi kjo gjuhë, historikisht nuk ka qenë një gjuhë e shkruar apo e mësuar në shkollë apo institucione të veçantë, por kryesisht e folur dhe e trashëguar brez pas brezi në familje. E megjithatë, Piero dhe shumë si ai vazhdojnë të flasin gjuhën e tyre.
"Para disa viteve, kur shkoja në shkollë, pasi mbaroja mësimin, gjatë mbasditeve, në San Kostandino Albanese, një njohës shumë i mirë i gjuhës na mësonte të shkruanim në arbërisht, duke u bazuar sipas gjuhës të folur. Për fat të keq, problemi i parë për të cilin gjuha arbëreshe po zhduket është natyrisht shpopullimi i këtyre vendeve të vegjël, sepse nuk ka mundësi të mëdha nga pikëpamja e punësimit. Shumë persona vendosin të transferohen në qytetet afër apo të shkojnë diku tjetër dhe të gjejnë punë. Kështu që automatikisht humbet kontakti i drejtpërdrejtë me gjuhën arbëreshe, që unë personalisht e flisja çdo ditë me miqtë dhe prindërit, sepse jetoja në San Kostandino. Por tashmë është më e vështirë edhe për mua që të mbaj kontaktin me gjuhën e mëmës, sepse për ne gjuha arbëreshe është gjuha e nënës, përpara gjuhës italiane. Nuk ka institucione, shkolla apo gjëra të tjera, që në njëfarë mënyre të ndihmojnë të mirëmbajnë gjuhën, përveç vullnetit të çdo personi për t’ia përcjellë fëmijëve të vet", thotë Piero.
Por ndërkohë që banorët e këtyre fshatrave përballen me këtë problem, duket se interesi i të huajve për këtë gjuhë është rritur, ndërsa nuk mungojnë projektet artistike, që kanë në qendër pikërisht gjuhën dhe traditat arbëreshe. Një prej tyre është edhe “Ka art”, projekt që do të mbahet në zonën e Pollinos dhe ku do të jenë pjesëmarrës artistë të rinj shqiptarë dhe italianë të përzgjedhur nga Claudia Losi dhe Adrian Paci. Rezidenca artistike do të mbahet në shtator 2019, ndërsa punët e artistëve do të ekspozohen në 22 tetor-13 nënto në parkun Pollino, për t’u ekspozuar gjatë nëntorit apo dhjetorit edhe në Shkodër.
"Pse kemi zgjedhur Shqipërinë?! Le të themi për dy arsye: Së pari, për prezencën e ‘pino loricato’ apo pishës së bardhë, që është pemë simbol e parkut nacional të Pollinos dhe një pemë që në Itali jeton vetëm në këtë park. Për të gjetur ekzemplarë të tjerë të kësaj pishe duhet të shkojmë në zonat e Ballkanit, pra, edhe në Shqipëri. Motivi i dytë është se projekti ynë është një projekt që tregon ecjet, zhvendosjet, emigracionin. Pollino edhe në këtë rast është e lidhur me Shqipërinë, sepse 5 shekuj më parë këtu mbërritën arbëreshët, të cilët mundën të fillojnë një jetë të re brenda një territori që është një territor shumë afër Shqipërisë. Në të njëjtën kohë është një mënyrë për tu spostuar, për të lëvizur dhe për të treguar një territor jashtë territorit tonë, por që nuk është vetëm brenda Materës. Këto janë dy arsye që na bënë të mendojmë edhe Shqipërinë si partnere, pastaj sigurisht edhe “Art House” dhe Adrian Paci janë shumë të rëndësishëm. Adrian Paci është një artist tashmë i afirmuar në panormanën botërore të artit kontemporan dhe një person me sensibilitet të madh,që punon shumë me të rinjtë. Për projektin tonë ai seleksionoi artistë të rinj për të ardhur në brendësi të këtij territori, të cilët do të ndjekin këtë rezidencë dhe do të prodhojnë punë, që vijnë nga ky sensibilitet dhe që vendosin lidhje me territorin. Në fakt është edhe një lloj rizbulimi, sepse në këtë mënyrë do të takojnë këtë komunitet shqiptar, arbëreshët, do t’i njohin dhe do të shohin edhe ku janë veçantitë, që janë akoma të gjalla në këtë kulturë, të sjellë 5 shekuj më parë", thotë Gaetano.
Pjesë e këtij projekti është edhe shkrimtarja Elvira Dones, e cila do të shkruajë pikërisht historitë e disa arbëreshëve, të cilët i ka takuar në zonën e Pollinos pas disa takimeve që ka patur me ta.
MUZIKA DHE GJUHA ARBËRESHE
Nga ana tjetër, nuk mungojnë as projektet individuale. Vincenzo Greco thekson se ai bashkë me disa miq të tij po realizojnë një projekt muzikor mbi kulturën arbëreshe dhe historinë e këngëve tipike arbëreshe për të cilin po intervistojnë tre zotërinj të kult arbëreshe të San Paolo Albanese.
“Do të realizojmë një aktivitet, ku do të ketë kore, që do të këndojnë këto këngë. Rreth dhjetë vjet më parë arritëm, që me studion e regjistrimit të një mikut tim të regjistronim dhe digjitalizonim një seri të plotë rrëfimesh, historish, këngësh religjioze dhe pagane të kulturës arbëreshe të të gjithë vendeve arbëreshe që shtrihen në rajonin e Kalabrisë dhe Bazilikatës”.
Ndërsa filmi “Arbëria”, i shfaqur premierë para disa ditësh në Tiranë, është një film në qendër të të cilit është minoranca arbëreshe në Kalabri, historia e ruajtjes së gjuhës arbëreshe dhe rreziku i mundshëm për humbjen e kësaj gjuhe.
"Regjisorja Francesca Olivieri na e ka prezantuar këtë skenar tre vjet e gjysmë më parë. Ne kalabrezët e kemi parë gjithmonë këtë integrim të bukur të kësaj bote, që i përket rajonit tonë dhe është një pasuri. Ka qenë një film i vështirë për t’u realizuar. Kemi besuar shumë në këtë projekt, sepse kemi dëgjuar nevojën, dëshirën nga ana e regjisores origjina e së cilës është arbëreshe, nga një vend i vogël që quhet Santa Caterina Albanese në rtajonin e Kozencës. Pastaj ajo emigroi disa vjet në Piemonte, u rrit atje dhe tani jeton në Francë si ndihmës regjisore. Ky është filmi i saj i parë. Duke dëgjuar këtë forcë, këtë dëshirë dhe urgjencë për të treguar këtë histori sepse për fat të keq shumë komunitete arbëreshësh në Kalabri , Basilicata dhe në jug të Italisë për fat të keq po zhduken. Është një film që ka shumë energji, shumë forcë, shumë motivitet, sepse tregon atë që jemi, forcën tonë të vërtetë në tradita", thotë producenti Nicola Rovito.
"Filmi lindi nga një kuriozitet dhe respekt për gjiuhën arbëreshe, sepse gjyshja ime nga ana e babait flet arbërisht. Është një kuriozitet intelektual dhe një gjuhë që ka rezistuar në kohë, një gjuhë që të paktën në vitet 70 në Itali ka qenë një gjuhë që është folur fshehurazi, një gjuhë le të themi ‘underground’. I jam afruar gjuhës arbëreshe dhe kam studiuar ato që janë vjersha, këngë, vallet-këto vallëzime që kërcehen me raste dasmash, apo raste të veçanta dhe pastaj kam treguar historinë e një gruaje që kthehet në kulturën arbëreshe, në shtëpi . Filmi është pjesërisht autobiografik, sepse jam edhe unë një grua e emigruar, por le të themi se historia e Aidës është një lloj përzierjeje e figurave të ndryshme femërore që bëjnë pjesë në familje", shprehet regjisorja Francesca Olivieri.
Anna është një nga protagonistet e filmit. Ajo është një grua, një këngëtare arbëreshe, e cila edhe në film interpreton vetveten.
Por bashkëjetesa mes popullsisë arbëreshe dhe asaj italiane nuk ka qenë gjithmonë e lehtë.
"Në zonën e Pollinos ka mjaft pyje, ku dikur shkonin të fshiheshin edhe briganti, që janë, të themi, të gjithë ata që ishin kundër unitetit të Italisë që dëshirohej nga Piemonte nga Italia e Veriut dhe ishin banditë, persona që vidhnin etj., por që në njëfarë mënyre u bënë edhe si tipa heronjsh dhe ndodheshin në të gjithë Basilicatën, Kalabrinë, në të gjithë jugun e Italisë. Ata vinin të fshiheshin edhe në vendet arbëreshe, sepse në këto vende të vegjël ka shumë pak banorë dhe shumë male dhe pyje. Mbi të gjitha, diferenca midis kulturës sonë dhe të tyres me siguri është e para gjuha, një gjuhë që më pas zbuluam se ka qenë gjithmonë ‘e ndotur’ nga dialekti jonë. Një gjë e dytë, është siogurisht traditat, të ‘ndotura’ edhe këto nga tonat dhe anasjelltas. Ndërsa një nga gjërat më interesante ishte padyshim besimi i tyre ortodoks. Ata nuk kanë shenjt, megjithëse mes tyre ka qenë një që quhej San Roco dhe që thuhej se ata e vodhën dikur në vendin tonë, besoj një shekull më parë. Ndërsa tani është për t’u përmendur edhe bukuria e festës për San Roco, që festohet besoj më 16 gusht dhe i gjithë vendi im zhvendoset për të nderuar këtë shenjt. Kur komuniteti ynë filloi të frekuentojë atë arbëresh ka pasur në njëfarë mënyre edhe kontraste siç mund të ketë nga dy vende afër njëri-tjetrit. E njoh komunitetin arbëresh si një komunitet shumë krenar për origjinën e tij. Ata vazhdojnë të investojnë akoma, vazhdojnë të kenë të njëjtën kulturë në pikëpamjen e riteve religjioze. Jo të gjithë komunitetet i kanë ruajtur fort gjëra të tilla. Diçka që më tregonin gjyshërit e mi ishte një lloj shakaje që thuhej:” Nëse sheh një arbëresh dhe një ujk, duhet të vrasësh më parë arbëreshin dhe më pas ujkun”, thotë Vincenzo Greco.
Vincenzo rithekson se ata janë një komunitet shumë krenar dhe pikërisht krenaria e tyre ka bërë që t’i ruajnë traditat deri më sot dhe t’i bëjnë të njohura në të gjithë botën. Ai vëren se arbëreshët kanë edhe një kulturë muzikore, që ka ndikuar edhe atë italiane. Ndërsa një tjetër gjë për t’u përmendur janë martesat mes popullsisë arbëreshe.
MARTESAT DHE FESTAT LOKALE
“Martesa është diçka shumë e veçantë për t’u parë. Janë 11 dëshmitarë dhe të martuarit kanë në kokë kurora me lule dhe të gjithë dëshmitarët duhet të bëjnë këtë ritual të shkëmbimit të kurorave tre herë. Pastaj është gota e verës në një enë, që më pas thyhet në altar, sepse kjo është një lloj shenje e fatit të mirë. Pastaj vjen për t’u ngrënë një lloj buke e veçantë, që quhet kulaç në shqip dhe gatuhet njëlloj si në Pashkë dhe përdoret gjatë ritit të martesës. Është një bukë që është e rrethuar me gjarpërinj. Në qendër të saj është një si lloj foleje dhe rrotull saj janë vendosur dy zogj. Gjarpërinjtë simbolizojnë të gjitha ato që mund të jenë të këqija për familjen që po krijohet në ato momente. Janë tradita të vjetra që kemi dhe që i përkasin kulturës shqiptare dhe që kanë mbetur me ne qindra vjet, së bashku me gjuhën”, thotë Piero Abinate.
Rosa është një vajzë arbëreshe nga Lungria në zonën e Kalabrisë, por që në këtë periudhë po jeton në Matera. Ajo e njeh shumë mirë jo vetëm kulturën arbëreshe të zonës së Kalabrisë dhe Basilicatës, por edhe atë shqiptare, pasi e ka vizituar me dhjetëra herë Shqipërinë.
Për t’u nënvizuar janë edhe disa festa të tjera mes arbëreshëve, ku më e rëndësishmja është Madonna della Stela, por kjo është një festë, e cila nuk është traditë shqiptare, por që e ka origjinën nga Argjentina. Ndërsa një tjetër festë e rëndësishme është festa e Shën Kostandinit të Madh.
VESHJET DHE USHQIMI
Veshja apo ushqimi janë të tjera gjëra, që bien në sy në mesin e këtij komuniteti.
Përsa i përket ushqimit ka ngjashmëri me ushqimin italian, por sigurisht ka edhe gjëra tipike. Përshembull ricotta, produkt që bëhet në Itali, por tek këto vende është ndryshe. Këtu gjejmë prodhimin e ricotës shqiptare.
Por, tradita më të forta dhe të prekshme, të cilat kanë mundur të ruhen janë gjuha dhe riti greko-ortodoks. Ndërkohë të gjithë arbëreshët duket se e ndiejnë veten të lidhur shumë me Shqipërinë dhe e shohin atë në njëfarë mënyre si vendin mëmë.
0 Comments: