Ish-kreu i SHISH-it, Fatos Klosi, një eksponent i vendosur i së majtës shqiptare, nuk sheh në horizont një bashkëqeverisje mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, pas zgjedhjeve të 25 qershorit.
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Klosi shprehet se nuk përjashton një bashkëpunim mes PS-së dhe LSI-së në një të ardhme jo të largët. Fakti që PS-ja është në qeveri dhe LSI-ja në opozitë, për Fatos Klosin duhet parë dhe si një mundësi gare dhe konkurrence se cila nga dy partitë e majta do të përfaqësojë më mirë elektoratin që i voton me programe dhe politika sociale të majta. Fitorja e PS-së më 25 qershor, sipas tij ishte e paparashikueshme në atë masë, por ai vlerëson zgjedhjen që ka bërë elektorati ku ka parë Edi Ramën si kryeministrin më bindës që mund të drejtojë vendin në katër vitet e ardhshme.
Pjesë nga intervista
Pas zgjedhjeve të 25 qershorit, e majta shqiptare është sërish e ndarë, PS në pushtet dhe LSI në opozitë, ndërkohë që nga të dy bashkëkryetarët, koalicioni katërvjeçar qeverisës është konsideruar i suksesshëm në kryerjen e disa reformave. Si e shihni këtë ndarje të re të së majtës?
Në pikëpamjet e tyre për qeverisjen unë nuk shoh ndonjë ndarje, është po ai pozicion që ata kanë pasur kur ishin bashkë. Ndarja kishte ndodhur që para se të bëheshin votimet, mesa duket të dyja palët u treguan të guximshme dhe panë se mund të bëjnë dhe pa njëra-tjetrën, Kryeministri bëri atë që kërkoi dhe jemi këtu. Por që të ketë ndonjë ndryshim të madh, unë nuk shoh tek asnjëra prej palëve, ndonjë koncept ndryshe për drejtimin e vendit, për reformat, ekonominë etj. Gjërat janë siç kanë qenë, kështu që ndarja është më shumë midis shefave, sesa një ndarje e mirëfilltë. Ashtu siç u ndanë, nuk do të çuditesha që me një marrëveshje të bashkoheshin prapë.
Kjo ndarje, e bën të majtën më konkurruese dhe mes saj?
Unë them që po. Mund të jetë dhe një faktor pozitiv. Duke qenë të dyja partitë të majta, të rrjedhura nga e njëjta parti, unë nuk shoh ndonjë ndarje të vërtetë. Më shumë ndarje të përkohshme, të lidhur me interesa të vogla, por mund të jetë dhe pozitive.
Pas marrëveshjes Rama-Basha, mendoni se mund të ketë një bashkëpunim edhe në qeverisje mes tyre?
Nuk besoj se do të ketë një bashkëqeverisje. Edhe Basha po shoh që e ka kuptuar se ajo marrëveshje i prishi punë dhe pas saj po kapen edhe kundërshtarët e tij në parti. Ndërkohë që edhe Ramës nuk i intereson. Kompromisi i 18 majit ishte i nevojshëm për vendin, sepse futi PD-në në zgjedhje. Ndoshta tani do të ishim duke bërë sherre për zgjedhjet. Nuk shoh të ketë interes nga asnjë palë që të ketë një bashkëpunim. Edhe Rama, nëse ka bërë ndonjë premtim, nuk e ka më të nevojshme. Më shumë besoj se mund të ketë një bashkëpunim PS-LSI, edhe pse Monika në krye të LSI-së është zgjedhur për të bërë opozitë të fortë, por gjërat ndryshojnë dhe gjithnjë duhen kuptuar momentet politike, sepse përndryshe del jashtë politikës.
0 Comments: