Me kërkesë të Prokurorisë Beratit është pezulluar nga detyra Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Florian Sulejmani.
Ai dyshohet për shpërdorim detyre, pasi ka dyshime të arsyeshme bazuar në prova se ka transferuar një efektiv policie në kundërshtim me ligjin.
Duke folur në edicionin e lajmeve Mcn Tv gazetari Arsen Rusta tha se aktualisht postin e drejtuesit të AMP e ka marrë Artiol Salijasi. Ai thekson se nëse thellohen hetimet dhe faktohen elementë të mitmarrjes apo shantazhit, Sulejmani rrezikon edhe burgun.
Rusta vuri në dukje se pezullimi i Prokurorisë së Beratit përcjell mesazhin që drejtësia s’është vetëm dera e SPAK-u, ku edhe një organ akuze periferik mund të heqë nga posti një zyrtar të rëndësishëm.
“Kam mësuar nga burime që bëhet fjalë për disa kallëzime, njëri prej tyre është konkret. Ka shkuar një prej efektivëve të AMP te prokurori duke bërë referimin e tij. Ai pretendon se transferimi i tij është bërë në mënyrë të paligjshme. Nëse i janë kërkuar para, ose jo, këtë ende s’e dimë. Kjo ka bindur prokurorin që të trokasë të gjykatë.
S’është pezullim pse e ka vendosur prokurori, por sepse e ka miratuar gjykata. Është bindur gjykata, ka mbledhur prova prokurori, ka pasur përgjime, ka marrë urdhrat e transferimit, se si një efektiv në qarkun e Beratit është lëvizur në mënyrë të padrejtë, tashmë e faktuar.
Është pak ironike sepse është titullari që duhet të monitorojë shkeljet e policisë dhe prokuroria e gjen vet, dhe ky prokurori e ka çuar edhe në gjykatë. Neni 242 thotë pezullim me vendim gjykate. CV-ja e Florian Sulejmanit është mjaft e pasur, por posti i AMP i dha vetëbesim të theksuar, dhe në vend të hetonte policët, rezulton me shkelje.
Artiol Salijasi ka marrë drejtimin e AMP, për shkak se është nëndrejtor në detyrë. Në rast se faktohet shpërdorimi detyre, si masë paraprake Gjykata e Beratit ka vendosur pezullimin, sepse mund të ndikojë të provat, në faktet, urdhrat që ka. Rrezikon edhe burgun nëse do thellohen hetimet, ose nëse do faktohet mitmarrja, kërcënimi, shantazhi. Largimi nga AMP s’është çudi.
Do duhet ministri i Brendshëm t’i propozojë Këshillit të Ministrave përjashtimin e tij. Për mua deri në këtë moment s’e ka gjetur guximin që të jetë profesionale me “xhaketat e vjetra”, bosët apo titullarët e Policisë.
Pezullimi i sotëm përcjell një mesazh që drejtësia s’është vetëm dera e SPAK-u, edhe një prokurori periferike mund të heqë nga posti një zyrtar të rëndësishëm. Edhe Prokuroria e Beratit të nxjerrë jashtë shërbimit. Jo gjithçka në SPAK”.
0 Comments: