MC Networking

Xhadat/ Të jap iftar më jep votën

Muaji i Ramazanit është kthyer gjerësisht në muajin ku politika angazhohet në organizimin e iftarëve ose pjesëmarrjen e saj në to.

Në disa raste politikanë të nivelit të lartë shfaqen si organizatorë. I tillë është rasti i ministrit të shtetit për pushtetin vendor Arbjan Mazniku i cili vendosi të shtronte iftar në Natën e Kadrit për besimtarët myslimanë të Elbasanit, qark në të cilin është dhe drejtues politik.

Në këtë muaj të bekuar, së bashku me miq e bashkëpunëtorë në iftarin e organizuar nga Arbjan Mazniku”, shkruan deputeti i Elbasanit Florenc Spaho.

Përdorimi i fesë për zgjedhje, lidhet me faktin se këtë iftar Mazniku nuk e shtroj në Fier, por në Elbasan.

Por edhe për besimtarët myslimanë në Fier mendoj kryetari i bashkisë Armando Subashi i cili pranon që iftari është organizuar nga Bashkia, por nëse kërkon për tender të organizuar nga institucioni që ai drejton për këtë qëllim, nuk ka.  

Dorina Laci Kalaja, kandidate për deputete e Partisë Socialiste të Shqipërisë për qarkun Durrës ka ndarë në Facebook këtë mesazh:

Mbrëmë ndamë sofrën për iftar me besimtarë myslimanë të Fushë Krujës, Qerekës dhe Bubqit.

Këta besimtarë me të cilët kandidatja është prezantuar dhe ka pozuar janë dhe votues të zonës ku ajo kandidon për deputete.

Ornaldo Rakipi, kandidati për mandatin e dytë të deputetit në zonën e Vorës shfaqet në krah të kryeparlamentares Spiropali e cila në postimin e saj shprehet se po ndajnë iftarin me besimtarët myslimanë të Vorës, Prezës e Bërxullit.

Blendi Klosi si drejtues politik dhe kandidat për deputet në zgjedhjet e 11 majit në Dibër ka qënë për iftar me besimtarët e Dibrës.

Këtë shembull kanë ndjekur gjatë gjithë këtij muaji, duke e shfrytëzuar maksimalisht pothuajse të gjithë politikanët në zonat e tyre elektorale.

Edhe nga krahu tjetër politik, duket se po ndiqet e njëjta praktikë. Kryedemokrati Sali Berisha, në një postim të fundit deklaron se ka marrë pjesë në iftarin e shtruar nga Kryetari i Bashkisë Kavajë Fisnik Qosja për Natën e bekuar të Kadrit.

Por rasti i Bashkisë së Malësisë së Madhe është pak më i veçantë.  

Bashkia e Malësisë së Madhe njoftoj pak ditë më parë hapjen e tenderit me objekt “Shërbim katering për një darke iftari”.

Në ftesën për ofertë thuhet se darka do të shtrohet për 136 persona dhe se operatorët ekonomike duhet të kenë realizuar gjate tri viteve të fundit shërbime të ngjashme.

Me shumë gjasa ky tender ishte paracaktuar t`i jepej operatorit që e kishte fituar edhe më parë.

Në menu përfshiheshin petulla me mjaltë dhe djathë, sallatë mikse, supë me mish viçi, pilaf me mish viçi kos, ëmbëlsira të ndryshme dhe tri pije joalkoolike për person.

Por teksa ditëve të agjërimit po i vjen fundi, Agjencia e Prokurimit Publik njoftoi anulimin e këtij tenderi.

Arsyeja e anulimit sipas APP është se konstaton që dokumentet e tenderit përmbajnë gabime ose mangësi të rëndësishme.

Ndërkohë që procedura e tenderit është e anuluar pak orë më parë faqja “Zani i veriut” dha lajmin se kryetari i bashkisë së Malësisë së Madhe Tonin Marinaj shtronte sonte iftar për besimtarët myslimanë, disa ditë para festës së Fiter Bajramit. Ky fakt ngre pyetjen, me çfarë parash do të paguhet iftari për 136 të ftuar teksa tenderi është anuluar?

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top