MC Networking

Bejko: Takimi i Berishës në Gjirokastër, një dështim. Tregon krizën në të gjithë PD-në

Pedagogu Roland Bejko e cilësoi të dështuar takimin e kreut të PD-së me demokratët e Gjirokastrës. Në një intervistë në MCN, Bejko tha se ky takim tregon se kriza është e shtrirë në të gjithë PD-në.  

Pjesëmarrja në sallë ishte shumë e vogël. Aty nuk kishte asnjë themelues. 80-90% e tyre janë gjallë akoma. Por në sallë nuk ishin.

Kjo tregon që PD jo vetëm në Gjirokastër po në të gjithë vendin është në krizë të thellë. Këtë krizë e ka shkaktuar vetë Sali Berisha.

Partia që kemi pasur ne dhe partia që është sot janë gjëra të ndryshme. Edhe nëse mendonte Berisha se e kishte parti personale, ne të tjerët atëherë mendonim se ishim aksionerë. Por sot njerëzit e kanë kuptuar se PD nuk është më partia e tyre. Por edhe Berisha ka kuptuar se me kaq sa ka mbrapa nuk e merr dot pushtetin. Ai e di se nuk janë as më të fortë, as më të bashkuar. Nëse do realisht fitoren, ai duhet të lëvizë në dy drejtime: të krijojë një databazë të elektoratit të diasporë dhe të bashkojë PD siç ka qenë.

Vizita e Berishës në Gjirokastër ishte dështim. Por ai ka filluar se duhet të bashkojë PD nëse do të vijë në pushtet.

Me aq sa e njoh unë PD, si themelues që nga ’90-a e deri sot, është në kuotat më të ulëta. Nuk do të gjejnë dot komisionerë.

Bejko tha se PD pas rikthimit të Berishës u është larguar parimeve të viteve ’90.

Kemi në krye të PD dikë që e ka marrë peng PD. Ai u kthye kur iu prekën interesat e tij personale. Ai pretendon se mbron parimet e ’90-s. Ata që mbrojnë këto parime jemi ne që i kemi dalë përballë PD-së. Parimet e ’90 ishin të integrohej vendi në BE dhe jo ta shikonim me dylbi BE-në.

Duke u ndalur te vota e emigrantëve, ai tha se nuk pret ndonjë ndryshim të madh, pasi diferencën do të bëjë sërish vota e atyre që jetojnë në Shqipëri.

Po të nisesh nga fakti që emigrantët kërkonin të votonin, unë mendoj që do të kishte një bum të madh të regjistrimit të tyre. Por nuk jemi në këto kushte. Janë rreth 30-40 mijë të regjistruar.

Por PD është shumë poshtë në sondazhe dhe diferencën do ta përcaktojë votuesi vendas.  

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top