MC Networking

Muçi: Komisionerët e vettingut që kërkojnë të bëhen magjistratë, në konflikt interesi (VIDEO)

Magjistrati Besnik Muçi i është nënshtruar të gjitha fazave të vettingut, ku pasi kaloi fazën e parë në KPK, ishte Kolegji i Posaçëm i Apelimit ai që vendosi ta largojë nga sistemi i drejtësisë.

Ndërsa aktualisht ushtron profesionin e avokatit, Muçi thotë për emisionin “FactCheck” në MCN TV se procesi vetingut duhet të ishte interesi i gjithë shqiptarëve, por se vetingu nuk u mor me përmirësimin e sistemit të drejtësisë, por u prezantua si një proces kundër individit, jo për të rregulluar procesin.

Ndërkohë kërkesën e komisionerëve të vetingut për tu bërë magjistratë, Muçi e cilëson si konflikt interesi dhe në shkelje të ligjit dhe kushtetutës.

Fibank

Vettingu më kujton lojërat e gladiatorëve ku qytetarët kënaqeshin me lojërat, ndërkohë që demokracia lëngonte, qytetarët vuanin, e njëjta gjë ndodh dhe në Shqipëri.

Sistemi i drejtësisë pas 6-7 vitesh lëngon, qytetarët nuk marrin drejtësi sikurse merrnin të paktën, proceset gjyqësore zgjasin me dhjetëra vite dhe ky është dështimi i vetingut. Interesi i pak qytetarëve shqiptarëve është i fundit në këtë rast.

Nuk do të dorëhiqesha sepse e ndjeja veten që isha sjellë shumë profesionalist, në mënyrë etike me palët dhe kisha bërë një jetë modeste dhe unë dhe familja ime.

Asnjëherë të vetme gjatë karrierës sime nuk e kam shitur për asgjë dhe për asnjë interes.

Kurrë telefonit tim kur kam qenë prokuror nuk ka mundur ti bjerë kush.

Jam përpjekur të ushtroj profesionin e prokurorit, unë kam qenë trajnues në Shkollën e Magjistraturës për tetë vite, pedagog në universitete private, jam përpjekur të jetoj modestisht.

Dhe në këto kushte nuk e kisha menduar dhe e kisha të pamundur të tërhiqesha nga profesioni që kisha zgjedhur vetë.

Kërkesa e komisionerëve të vetingut për tu bërë magjistratë, tregon vetë etikën dhe sjelljen e atyre që morën përsipër të zbatojnë procesin.

Ne e dimë që një pjesë e madhe e këtyre personave nuk kishin kualifikimin e duhur, janë persona me formim të dobët, mediokër profesional, pa asnjë përvojë profesionale dhe këta morën përsipër të zbatojnë procesin qoftë në KPK, qoftë në KPA.

Në fund të procesit nuk është as etike kjo lloj sjellje, nuk është as kushtetuese dhe as ligjore.

Se reforma në drejtësi e ndalon që personi që ka marrë pjesë në reformë të marrë pjesë në sistemin e drejtësisë.

Ti heq nga puna dikë tjetër dhe i zë vendin atij që ke larguar nga puna, është konflikt i pastër interesi dhe nga pikëpamja etike, morale dhe ligjore.

Plus që unë këmbëngul që janë juristë me formim mediokër, me mesatare 5.

Kanë konkurruar në Shkollën e Magjistraturës dhe kanë marrë pikët minimale.

Lë të konkurrojnë në Shkollën e Magjistraturës nëse dëshirojnë të bëhen magjistratë.

Ndër të tjera Muçi thotë se aktualisht politika të gjithë barrën e luftës kundër korrupsionit po ia lë SPAK dhe se SPAK po merr përgjegjësi politike, ndërkohë që lufta kundër korrupsionit është përgjegjësi e qeverisë, parlamentit, institucioneve dhe policisë.

SPAK është prokurori dhe ka përgjegjësi kushtetuese të ushtrojë ndjekjen penale të përfaqësojë akuzën në gjyq.

Nuk mund të ngarkojmë me përgjegjësi publike një institucion që ka të përcaktuar përgjegjësinë kushtetuese.

Ne i kalojmë përgjegjësinë politike për luftën kundër korrupsionit.

SPAK po punon aq sa mund të punojë një institucion në kushtet që është shteti shqiptar sot.

SPAK tenton të punojë dhe të procedojë penalisht persona shumë të rëndësishëm për funksionet në ekzekutiv por korrupsioni rritet.

Kjo tregon që nuk është SPAK përgjegjës për korrupsionin, është qeveria në radhë të parë dhe institucionet përgjegjëse.

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top