Nga Andon Kello/ Ambasadori i ri i Federatës Ruse në Shqipëri, Aleksei Zaitsev, në një përgjigje ekskluzive për MCN ka sqaruar se nuk ka patur asnjë ftesë nga kryeministri Rama për darkën me trupin diplomatik mbrëmjen e së martës në Kavajë.
Zaytsev sqaron se përkundër deklaratës së Ramës, Rusia nuk ka refuzuar që ai vetë të ishte prezent me ambasadorët e tjerë në darkën e organizuar.
Mund të krijohet përshtypja se pala ruse refuzoi të marrë pjesë në këtë pritje. Në fakt, autoritetet shqiptare nuk e ftuan Ambasadorin e Rusisë në Shqipëri në ngjarjen protokollare të fundvitit. Refuzimi i dialogut dhe i bashkëpunimit nuk është zgjedhja jonë.
Zaytsev thotë se Moska është e hapur për të diskutuar çdo çështje, qoftë dhe ato më komplekset me Tiranën, të cilën e konsideron partnere dhe asnjëherë s’ka patur për qëllim të ftohtë marrëdhëniet.
Pala ruse është e gatshme të diskutojë hapur, edhe me partnerët shqiptarë, për çdo çështje, qoftë edhe atë më komplekse, për të zhvilluar një bashkëpunim me dobi të ndërsjellë në interes të vendeve dhe popujve tanë. Nënvizoj: Rusia nuk ka qenë asnjëherë nismëtare e ftohjes së ndërveprimit me Tiranën. Për më tepër, në historinë e marrëdhënieve ruso-shqiptare baza reale për kontradiktat ekzistuese nuk ka.
Zaytsev ka dhe një koment mbi situatën aktuale në Ukrainë, duke akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për politika shkatërruese, në bashkëpunim me NATO-n dhe Bashkimin Europian, ndërsa thekson se Rusia është e interesuar për paqe afatgjatë dhe të qëndrueshme.
Sa i përket krizës ukrainase, shkaqet e saj qëndrojnë në politikat shkatërruese të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s (tani edhe të BE-së), të cilat, pavarësisht nga interesat legjitime të shteteve të tjera në fushën e sigurisë, kanë promovuar për shumë vite infrastrukturën ushtarake në Lindje, duke inkurajuar në të njëjtën kohë veprimet e regjimit të Kievit me ideologjinë e tij agresive nacionaliste. Shumë vende perëndimore, të cilat edhe në rastet më të vogla pëlqejnë të flasin në mbrojtje të të drejtave të njeriut, për disa arsye, në rastin e regjimit të Kievit, nuk u ngritën në mbrojtje të popullsisë shumëmilionëshe rusishtfolëse në Ukrainën lindore, nuk kërkuan që Kievi të zbatonte marrëveshjet e Minskut. Dhe pikërisht këto të fundit mund të siguronin një paqe afatgjatë dhe të qëndrueshme në rajon.
Mbrëmjen e së martës, kryeministri Rama mbajti një darkë me trupin diplomatik të huaj në Shqipëri, duke theksuar se karrigia e ambasadorit të Rusisë ishte bosh pasi ky i fundit nuk kishte preferuar të bëhej pjesë.
Ai mbajti qëndrimin se Rusia kreu agresion të paprovokuar ushtarak në Ukrainë, dhe Shqipëria qëndron krah kësaj të fundit, duke uruar për një zgjidhjeje paqësore në vitin 2025.
0 Comments: