Avokati Redi Ramaj duke folur në emisionin “Fact Check” lidhur me hetimin e mashtrimit me mikrokreditë që po hetohet nga SPAK, tha që kemi të bëjmë me një vjedhje të hapur ndaj shqiptarëve. Ai vë në dukje se kjo skemë nuk mund të bëhej pa përfshirjen e bankave të nivelit të dytë.
Duke u ndalur te interesat e kredive që arrinin deri në 700 për qind, Ramaj tha:
“Është vjedhje e hapur, abuzim i hapur, këto institucione kanë dashur të vjedhur shqiptarët. Kanë gjetur mënyrën duke u kapur pas një borxhi, dhe kanë abuzuar mbi këtë moment dhe janë përpjekur të marrin prona, sende të tjera, duke i çuar deri në vetëvrasje. Borxhi ka një logjik në vetvete. Ka një ligj. Psh. kreditë e bankës, bashkë me kamatvonesat, nuk e kalojnë asnjëherë një përqindje të caktuar”.
Duke folur mbi klientë të tij të prekur nga mashtrimi, dhe rolin e bankave, ai shton:
“Kam disa klientë të prekur që u kanë marrë një vlerë shumë më të lartë se sa detyrimi normal. Këta kanë blerë të gjitha debitë në vite dhe i kanë grumbulluar, dhe s’kanë bërë dallim nëse borxhet janë parashkruar. Psh. të operatorëve telefonikë ka një afat 10-vjeçar. Nëse s’ke shkuar në gjykatë, atëherë s’ka çfarë të kërkojë më mbrapa. Kjo skemë s’mund të bëhej pa përfshirjen e bankave. Bankat kanë pasur gjithmonë tendencën që t’i gjejnë këta persona që kanë marrë kredi në faj, dhe për t’ua akumuluar. Ka patur raste që kolaterali ka qenë i pamjaftueshëm, dhe këta ose kanë insistuar përmes përmbarimit për ta mbledhur, ose e kanë shitur borxhin për një shifër më të ulët, duke e zmadhuar borxhin në disa fish dhe duke ua marrë qytetarëve”.
Ai vuri në dukje se gjatë marrjes së borxhit ligji përcakton që duhet të ruhet një minimum jetik. Po ashtu ai tha se banka nuk mund t'i japë një kredi një kreditori të keq.
0 Comments: