Në 95 faqet e vendimit për kalimin e dosjes në së mikrokredive nga Prokuroria e Tiranës në SPAK është faktuar skema fiktive e akandeve për t’i marrë pronat qytetarëve.
Ndërsa në këtë material përmendet edhe Bankat e Nivelit të dytë, për të cilat nuk rezulton ende të jetë faktuar lidhja me veprën penale ndërsa do ti duhet SPAK të zbulojë përfshirjen apo jo të tyre në skemë.
Më konkretisht materiali i siguruar nga emisioni “FactCheck” thotë se “Ndërkohë që shoqëria kishte bërë kërkesë dhe vazhdonte procedurat për të marrë licencën, më datë 11.08.2015 kjo shoqëri dhe “ProCredit Bank” nënshkruan marrëveshjen për blerjen e detyrimeve të debitorëve në vonesë (portofolin e cilësuar si borxh i keq). Kontrata ka një aneks, por në aneksin bashkëlidhur kontratës nuk përcaktohet vlera e detyrimit të debitorëve të përfshirë në portofolin e shitur”.
Po ashtu në material thuhet se “Institucioni financiar MCA ka ceduar/blerë në formë portofoli me qindra-mijëra kredi nga bankat e nivelit të dytë, veçanërisht nga “Raiffeisen” dhe “ProCredit Bank” duke i vënë në ekzekutim vetëm nëpërmjet 3 shoqërive përmbarimore të cituara më sipër dhe duke bashkëpunuar me ish-përmbaruesit e këtyre shoqërive sipas një skeme të përcaktuar, në shtrëngimin e debitorëve për marrjen e kredive të reja për të shlyer detyrimet e kushtëzuara nga proceset përmbarimore”.
Këto dy banka të nivelit të dytë nuk janë të vetmet të cilat janë përmendur në materialin referuar SPAK. Po ashtu thuhet se vetëm në BKT, Bankën Kombëtare Tregtare janë 11 mijë llogari kryesisht pagamarrës të cilat janë sekuestruar nga përmbaruesit të cilëve më herët shteti nëpërmjet ministrisë së drejtësisë u kishte hequr licencat.
“Qytetarët janë imponuar qe përmes llogarive të sekuestruara bankare ( vetëm në BKT më shumë se 11,000 llogari bankare të sekuestruara vitin e fundit,) sidomos llogari page (të cilat janë mbajtur pa afat të sekuestrura), apo përmes sekuestrimit të pronave të paluajtshme, pa asnjë mundësi për përballimin e jetesës së përditshme, janë shtrënguar për të marrë kredi të reja, “për të ristrukturuar të vjetrën” apo për të paguar detyrime në vlera të fryra që nuk mbështeteshin në vlerat fillestare të urdhrave ekzekutues të dala nga gjykatat”.
Një tjetër pjesë e hetimit është edhe përvetësimi i pronave të paluajtshme duke kaluar Hipotekat nga qytetarët me ankandet Fiktive.
Në materialin e siguruar nga “FactCheck” thuhet: Veprimtaria kriminale e këtyre shtetasve apo shoqërive ka arritur kulmin në vitin 2023, ku qindra (711 të identifikuara deri tani por numri akoma nuk është shterues) prona të qytetarëve kanë kaluar me procedura fiktive ankandi, në pronësi të shoqërisë “MCA” apo “Final”.
0 Comments: