MC Networking

Mbetjet e KURUM, Pucket: Ende në kërkim për laboratorë për t’i analizuar, hetimi s’është marrë seriozisht (VIDEO)

Mbetjet e rrezikshme të kompanisë KURUM, të depozituara në Porto Romano, vijojnë të mbeten pa iu nënshtruar analizave kimike.

Rrjeti i Basel thotë se autoritetet ende nuk kanë siguruar një laborator të përshtatshëm duke rrezikuar kështu shëndetin e njerëzve.

Jim Pucket, përfaqësues i rrjetit të Basel, shprehet për MCN se për ta është shqetësues fakti që ka kaluar shumë kohë dhe ende nuk janë marrë për t’u analizuar mostrat e mbetjeve nëse janë apo jo të rrezikshme.

Pucket thekson se ende qeveria nuk ka mundur të gjejë një laborator të përshtatshëm, duke deklaruar se hetimi nuk po merret seriozisht.

Në rrugë zyrtare kemi mësuar se nuk janë marrë ende mostra nga mbetjet dhe janë ende në kërkim të një laboratori.

Është shqetësuese që po marrin kaq shumë kohë për të kryer kampionimin dhe analizën e mostrave, por nuk duam të besojmë se nuk po e marrin seriozisht detyrën e hetimit.

Diçka duhej të ishte bërë, por po presim. Kishim përgatitur disa dëshmi me disa informacione për të ndihmuar hetimin e Prokurorisë së Durrësit dhe për t’u dhënë disa këshilla se si të testonin mbetjet me analizën kimike.

Rregullat e tyre nuk më lejuan të dorëzoja informacionin nga distanca, kështu që ne jemi duke eksploruar mënyra për t’i çuar fizikisht këto dëshmi.

2100 tonë mbetje të rrezikshme të kompanisë KURUM ndodhen prej 15 ditësh në venddepozitimin në Porto Romano të Durrësit dhe ende nuk janë marrë mostrat për analizat.

Ndërkaq anëtarët e Këshillit Bashkiak të Durrësit kanë kërkuar transparencë nga Prokuroria, monitorim të situatës dhe marrjen e kampionëve të cilët duhen analizuar në laboratorë të pavarur, të cilët sipas tyre mungojnë.

Dy javë më parë, banorët e zonës pranë venddepozitimit të mbetjeve të rrezikshme në Durrës, protestuan kundër pranisë së tyre afër banesave dhe kullotave.

Vetë BASEL ka ngritur edhe më herët shqetësimin për ndikimin që këto mbetje kanë në shëndetin e njerëzve, pasi për shkak të materialit në formë pudre që kanë, ekspozimi i tyre në mjedis të hapur, do të favorizonte një shpërndarje shumë të lehtë.

Nëse mbetjet do të provohen se janë të rrezikshme, gjë që rrjeti këmbëngul se është e vërtetë me 95% siguri, kjo do të sillte rrezik për kancer për njerëzit që janë ekspozuar ndaj tyre.

fix
  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top