Anëtari demokrat i Këshillit Bashkiak Durrës, Joni Myshketa, për 102 kontejnerët me mbetje të dyshuara toksike, thotë se dyshimet janë të shtuara për përmbajtjen e tyre dhe se mos marrja e një përgjigje lidhur me to, përfshin edhe instancat shtetërore.
Duke folur për edicionin e lajmeve në MCN TV, ai deklaroi se pas qëndrimit prej një jave në radën e portit të Durrësit, kontejnerët u depozituan në një zonë në Porto Romano, shumë pranë zonave të banuara.
Myshketa bëri të ditur se këshilltarët bashkiakë opozitarë kanë bërë kërkesë që të jenë prezent në kohën kur do merren materialet për analizë, në mënyrë që të merren mostrat dhe të shikohen në disa laboratorë, pasi presupozohet se toksiciteti i tyre është i lartë dhe i rrezikshëm për banorët.
Sipas tij, deri në këto momente nga ana e institucioneve ka një heshtje totale dhe një mungesë të theksuar transparence.
Pas kërkesës së bërë në prokurori, nuk kemi asnjë përgjigje as nga pushteti lokal, i cili ka përgjegjësi se territori administrohet nga bashkia Durrës.
Është një heshtje e pakuptimtë e cila na bën dyshues lidhur me një skandal që mund të ketë për vendin tonë dhe më gjerë.
Kërkesat tona kanë qenë të vazhdueshme, qoftë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, denoncimit në media dhe rishtazi me letrën drejtuar Prokurorisë Durrës.
Në gjykimin tim duhet hetim më i thelluar me përfshirjen e SPAK, e cila duhet të zhbirilojë gjithë këtë skandal që të dalë në dritë dhe ne duhet të jemi të informuar se çfarë po ndodh në territorin ku jetojmë dhe rrisim fëmijët. Deri në këto momente kemi një heshtje totale dhe një mungesë të theksuar transparence.
Nuk disponohen laboratorë të tillë të paktën në Durrës, por nga hulumtimet që kemi bërë as në Shqipëri nuk ka laboratorë të tillë dhe kjo është një çështje shqetësuese, mos pasja e laboratorëve dhe mos pasjen e një përgjigje, pas 4 muajsh jehone mediatike dhe ndërkombëtare që është bërë nga organizata e Bazelit, më çon ndërmend një neglizhencë totale dhe papërgjegjshmëri, se ndryshe mund të kërkohej ndihma nga vende partnere, për marrjen e këtyre mostrave nga 102 kontejnerët.
Është një problematikë reale, aq sa qytetarët kanë protestuar pa pasur asnjë lloj përgjigje.
Ata kërkojnë të dinë se çfarë ka brenda këtyre kontejnerëve dhe cila është rrezikshmëria e këtyre mbetjeve.
Një organizatë e cila ka një rrjet të shtrirë në të gjithë botën, ngre një alarm të tillë, kjo do të thotë se diçka duhet të ketë.
Thirrja që bën organizata e Bazelit na bën skeptik për përmbajtjen e këtyre mbetjeve dhe rritet ndjeshmëria jonë si qytetarë për përmbajtjen toksike të këtyre mbetjeve.
Trafikimi i këtyre mbetjeve parashikohet që të mos jetë ai i deklaruari i mbetjeve nga ish-metalurgjiku i Elbasanit, sot Kurum, por të jenë dhe mbetje që kanë hyrë në Shqipëri nga vendet e rajonit, duke mos u deklaruar saktë.
Kjo bëhet në bashkëpunim me organet e pushtetit. Trafikime ose veprimtari të tilla ilegale nuk mund të kryhen nga biznesi, pa qenë në ortakëri dhe të konkluduar me instancat shtetërore që janë përgjegjëse për mbrojtjen dhe jetën e qytetarëve, por dhe të mjedisit kanë dështuar për monitorimin e mbetjeve.
Mendoj se aty ka diçka që po fshihet qëllimisht, se ndryshe mund të hapeshin, të monitoroheshin, të merreshin dhe provat dhe nëse nuk ka laborator në Shqipëri, të dërgoheshin për të marrë një përgjigje për këtë problematikë.
0 Comments: