MC Networking

Dosja e Jurgis Çyrbjes/ A është i vetmi kandidat për deputet që ka përdorur Sky Ecc?

Partia Socialiste arriti të fitojë 8 mandate deputetesh në qarkun e Durrësit në zgjedhjet parlamentare te vitit 2021. 
Një fitore absolute e kësaj force politike e cila për disa procese radhazi vetëm thellon rezultatin e saj në këtë zonë zgjedhore , e cila jo pak herë ka ndarë fituesin se kush do të qeverisë vendin.

Rreth 77 mijë vota arriti të fitojë e vetme Partia Socialiste në zgjedhjet e tre viteve më parë, duke u rritur me gati 3 mijë vota.
Në zgjedhjet e kaluara për partinë më të madhe në vend kandiduan Lefter Koka, Rrahman Rraja dhe Jurgis Çyrbja, të cilët të tre kanë dhënë dorëheqjen për të qenë përfaqësues të popullit dhe konkretisht qarkut Durrës.

Lefter Koka ishte dorëheqja më e çuditshme pasi ai  vendosi të dorëzojë mandatin pa u betuar si deputet. Në 1 shtator  të vitit 2021 me anë të një statusi në Facebook ai njofton largimin, duke e justifikuar këtë veprim me faktin e mbylljes së një cikli , duke i hapur rrugë të rinjve. 9600 vota siguroi Lefter Koka në zgjedhjet e 2021 duke e kthyer atë në një nga deputetët më të preferuar në qytetin bregdetar. 

Kështu ndodhi vendin e lënë bosh nga Koka e zuri Denis Deliu, një person që përfaqëson të rënë në partinë Socialiste. 9600 votat personale të Lefter Koka, tashmë i përkasin koshit të madh të votave të partisë socialiste. Gati 100 ditë pas dorëheqjes Lefter koka arrestohet fillimisht për çështjen e inceneratorit të Elbasanit. SPAK ngriti mbi të akuza të rënda siç është ajo e korrupsioni. Ndërsa masa sigurie për ish ministrin e mjedisit iu vendosën edhe për inceneratorin e Fierit dhe Elbasanit.
Lista e PS në Durrës do të pësonte një tjetër hemorragji. Në 8 korrik të këtij viti Rrahman Rraja do të njoftonte dorëzimin e mandatit. Shkak për këtë do bëhej një video e publikuar në media ku shiheshin vëllai, djali dhe të afërm të deputetit të Partisë socialiste,  duke dhunuar dy kushërinjtë Bilbil dhe Jashar Maja. 

Video ishte makabër dhe shkak i këtij konflikti ishin ankesat që kishte familja Maja për një gurore e cila kryente shpërthime me lënda plasëse duke dëmtuar banesat e tyre. Kaq ka mjaftuar që anëtarë të fisit Rraja të rrihnin me shkopinj bejsbolli dy personat në një lokal në zonën e Krujës. Pas bërjes publik të këtij rasti Rrahman Rraja me anë të një postimi në rrjetet sociale njoftoi largimin nga Parlamenti duke sqaruar se kishte dështuar si prind dhe se ishte i turpëruar nga fëmija i tij.
 Ai i kërkonte ndjesë kolegëve dhe kryeministrit i cili sipas tij nuk i kishte asnjë borxh për këtë shqetësim që i kishte shkaktuar. Rreth 7700 vota personale kishte siguruar Rrahman Rraja në zgjedhjet e 2021, duke mbledhur vota të rëndësishme në zonën e Fushë- Krujës dhe Krujës. I gjashti ishte në listën e Partisë Socialiste, duke u renditur në një pozicion të sigurt. 

I fundit që dha dorëheqjen nga lista e deputeteve të Durrësit ishte Jurgis Çyrbja, një personazh me shumë influencë kryesisht në Shijak, duke e bërë që të renditej i treti . 6600 i dhanë qytetarët e qarkut të Durrësit Çyrbes duke e kthyer në një nga më të preferuarit.  
Të tre këto dorëheqje bëjnë bashkë rreth 23 mijë vota në qarkun e Durrësit gati 1/3 e totalit të votave që ka marrë Partia Socialistë në të gjithë këtë zonë zgjedhore.
Por tek rasti i Jurgis Çyrbes do të ndalemi pak më gjatë për shkak edhe të dinamikave që prodhoi lënia e mandatit nga ana e tij. Gjithçka nisi në datën 8 tetor të këtij viti kur 39-vjeçari u paraqit në SPAK për tu marrë në pyetje. Ne media u tha se ai pyet për një çështje që kishte të bënte me kohën kur ai drejtonte Hipotekën e Durrësit, para vitit 2017. Partia Demokratike kishte bërë një kallëzim për të dhe dyshonte se ai kishte shpërdoruar detyrën.

Një ditë më vonë Jurgis Çyrbja jep dorëheqjen nga pozicioni i deputetit të parlamentit, duke menduar në këtë mënyrë që dosja e tij do të dërgohej në Prokurorinë e Durrësit, duke qenë se ai dhe vepra penale për të cilën akuzohej nuk ishin subjekt i SPAK.
Por loja do të ndryshonte pasi në datën 11 tetor, Jurgis Çyrbja rithirret sërish në SPAK duke ngritur pikëpyetje të mëdha pasi asnjë zyrtarë apo ish zyrtarë nuk ishte thirrur në këtë prokurori dy herë në kaq pak ditë. Situata u qartësua në datën 20 tetor ku prokurori Adnand Xholi lëshoi një urdhër arresti për ish deputetit tashmë, pasi kishte gati 10 ditë që e kishte dorëzuar mandatin.

Akuzat për të cilat SPAK e dyshon ish ligjvënësin socialist janë shumë të rënda. Për herë të parë në nivele kaq të është ngritur akuza e korrupsionit zgjedhor për një ish zyrtarë kaq të lartë. Kjo paligjshmëri kryhej në bashkëpunim me persona të cilët ishin shpallur në kërkim nga agjencitë ligjzbatuese për akuza mjaft të rëndë si trafik drogë, rrëmbim personi dhe më pas zhdukjen e kufomës. Personi me të cilin bashkëpunoi ish deputeti është Altin Hajri, i cili dyshohet se ka marrë pjesë në rrëmbimin dhe më pas zhdukjen e Jan Prengës në vitin 2020. Në dijeni të gjithë kësaj situate Jurgis Çyrbja i cili në atë kohë ishte deputet e ka përkrahur atë që ti shpëtonte operacioneve për arrestimin e tij.
Në këmbim të këtij favori thotë SPAK në njoftimin për mediat Altin Hajri i ofronte Cyrbjes votues në funksion të mbështetjes së tij si kandidat për deputet në Qarkun e Durrësit, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021. Megjithatë njoftimi i SPAK nuk jep shumë detaje dhe e lë në hije rolin e deputetit dhe Altin Hajrit sa i përket mbledhjes së votave në qarkun e Durrësit. 

Kronos ka mundur të mësojë disa detaje të dosjes nëpërmjet burimeve dhe baza e këtij hetimi është aplikacioni Sky Ecc, të cilin e ka përdorur edhe Jurgis Çyrbja. Prokuroria e Posaçme ka qenë duke hetuar disa persona të cilët kishin krijuar një grup të strukturuar kriminal që merrej më trafikun e lëndëve narkotike, kryesisht kokainës nga vendet e Amerikës Latine drejt Europës. 

Prova kryesore e prokurorisë në këtë procedim kanë qenë komunikimet në Sky Ecc dhe mes të tjerash kanë arritur të zbardhin se me këta persona kishte komunikuar dhe deputeti i kuvendit. Bazuar mbi të dhëna të përfituara nga burimet Kronos do të sjellë detaje nga kjo dosje hetimore e cila do të na tregojë se çfarë ndodh realisht në një fushatë zgjedhore, si zgjidhen deputetet e Parlamentit shqiptar dhe kush ndikon që ata të jenë në listën fituese.
Hetuesit kanë arritur të identifikojnë kodin të cilin ka përdorur ligjvënësi socialist para zgjedhjeve të vitit 2021 dhe ka një komunikim me një person i cili është identifikuar me vonë si Altin Hajri, personazhin të cilin e përmendëm pak me larte se për çfarë kërkohej nga policia.                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                     Ai i shkruan se 3 mijë vota do t’ia japë pasi fshati Romanat, Maskuri janë për Jurgis Çyrben. Ky person vazhdon bisedën duke thënë se në bashkinë Shijak marrin 4 mijë vota . Në bisedë ai i tregon se janë mirë në të gjithë fshatrat e Shijakut, ndërsa shkruan se kërkon një dorë nga  kryetari. Një tjetër komunikim mjaft interesant që tregon shumë se çfarë ka ndodhur me listën fituese të Partisë Socialiste në Durrës është mes Jurgis Çyrbes dhe Edmond Koçit, i njohur ndryshe si Mond Çekiçi. Ky person u vra në Durrës në një atentat 10 ditë para zgjedhjeve të vitit 2021, ngjarje e cila është e pazbardhur nga drejtësia.

Burime tregojnë se Edmond Koçi është investuar që Jurgis Çyrbja të jetë i sigurt në listën fituese të Partisë Socialiste në qarkun e Durrësit. Edmond Koçi shkruan se e kishte mbyll muhabetin se kishte tre orë që rrinte me një person dhe i kërkon të mos flasë me njeri, sepse prish punë, duke sqaruar se ja kishte kërkuar personalisht. Koçi kishte kërkuar që ai të ishte i pesti në listën që pritej të publikohej duke e bërë të sigurt zgjedhjen. 

Më pas deputeti e falënderon duke i thënë se i kishte ngrit moralin, pasi i kishte ikur mendja ato ditë. Pritja përpara se të përcaktohet lista fituese e kandidatëve për deputet është stresuese dhe këtë e tregon biseda e mësipërme.   Tensioni dhe interesi është i madh pasi një tjetër person i cili nuk është identifikuar nga SPAK i cili i ka dërguar një mesazh nga një i tretë ku i thotë se do të flisnin këtë javë duke lënë një takim me Jurin, i cili në këtë rast është Jurgis Çyrbja dhe Celën.  SPAK ka arritur të zbardhë edhe një bisedë tjetër ku me ligjvënësin fle Julian Meçaj, i cili vetëm pak javë më parë u deportua nga Dubai drejt Shqipërisë së bashku me Plaurent Dervishajn. Cyrbja i shkruan se sa ka pasur mundësi , ai nuk ka lënë gjë mangët dhe se ai e di kush është Juri. Ky sipas prokurorisë është shkurtimi i emrit të deputetit.

Julian Meçja ka komunikuar sërish me Çyrben në muajin dhjetor 2021 thonë burimet ku ai e informon për ndalimin e një mikut të tij. Ai kërkon interesim tek ministria e drejtësisë për vonuar dokumentet dhe për këtë deputeti duhet të fliste me Gjush dhe Cel, për të luajtur fort. Dukshëm nga komunikimet kemi të bëjmë me një arrestim jashtë vendin dhe në këtë periudhë në Dubai është arrestuar Plaurent Dervishaj.

Emri i këtij të fundit del dhe në një tjetër bisedë të zhvilluar në fillim të vitit 2021 mes Jurgis Çyrbes dhe Altin Hajrit ku ky i fundit i thotë që duhet të fliste me Lentin, tani.  Në një moment tjetër thonë burimet bashkëbiseduesi i thotë deputetit së drejtuesi i Partisë Socialite në fshatin Pjezë duhet të largohet dhe të vendoset njëri që ai dhe një personazh i njohur si Duri ka muhabet. Bisedat janë të shumta mes të dyve gjatë vitit 2021 ku ndër të tjera në drejtim të deputet janë dërguar mesazhe nga Altin Hajri që e uron se s’ka ku shkojnë pa ata.

Kjo është pasqyra e asaj që ka ndodhur në Durrës para se të fillonte fushata elektorale dhe të përcaktoheshin kandidatët për deputet në listat fituese. Por SPAK ka dyshime të arsyeshme se Altin Hajri dhe Jurgis Çyrbja kanë qenë në marrëdhënie interesi ku i pari siguronte vota dhe këmbim deputeti i jepte mbrojtje duke e ndihmuar që ti shmangej policisë. Gjithashtu edhe personazhe të tjerë më shumë influencë në Durrës kanë qenë të interesuar që emri i i Çyrbes të ishte në listën fituese.
Për herë të parë kanë marrë vlerë ligjore në një dosje hetimore ajo që diskutohej në publik për rolin që kanë grupet kriminale në zgjedhje, angazhimin e tyre  dhe përcaktimin e fituesit të procesit të votimit.  Por pikëpyetja më e madhe që ngrihet në të gjithë këtë çështje hetimore është nëse Jurgis Çyrbja është kandidati i vetëm socialist që ka përdorur aplikacionin Sky Ecc për të komunikuar gjatë fushatës? 

Altin Hajri është personazhi kryesor më të cilin deputeti ka komunkime të vazhdueshme dhe mes tyre nuk  zhvillohen biseda vetëm per zgjedhjet që priteshin. Hjari i kërkon ndihmë ligjvënësit pas arrestimit të kunatit të tij në Tiranë për armbëmbajtje pa leje. Ai i thotë se nuk janë problem paratë por kërkon që ta nxjerrin nga burgu dhe është i gatshëm të paguajë deri në 20 mijë euro. Në fund i dërgon të fala për një mikun e tij që quhet Olsi. Ky person përmendet sërish në biseda mes të dyve pasi duket se ai i ka mbaruar punë me problemin e kunatit. Edhe në këtë rast hetimi e ka çuar SPAK deri tek emri pa përcaktuar mbiemrin dhe pozicionin që ai ka patur në zgjidhjen e kësaj çështje që për Hajrin ishte shumë e rëndësishme. Altin Hajri është ndihmuar nga Jurgis Çyrbja për të ndërhyrë tek shefi i komisariatit të policisë në Shijak që një afërm i tij të ndërtojë shtëpinë dhe në këmbi ai do ti jepte një kafe. Gjithashtu nga hetimi ka rezultuar se në disa episode Jurgis Çyrbja ka lajmëruar persona të shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare për t’i shpëtuar operacioneve policiore që do kryheshin për arrestimin e tyre.

I pari person që ndihmon deputeti është Ahmet Masha njohje e tij të cilit i thotë se policia do të zhvillonte një operacion në zonën e tyre dhe se ai duhet të njoftonte kë kishte mundësi. Por duhet të bënte kujdes që të mos përdorte telefonin normal pasi ishin në përgjim. Për këtë rast Cyrbja akuzohet se zbuluar të dhënat sekrete. Ndërsa për Ahmet Mashën rëndojnë akuzat e përkrahjes së autorit të krimit dhe tregtim i sekretit shtetëror.

Gjithashtu burimet tregojnë që Jurgis Çyrbja ka njoftuar për operacionet e policisë edhe Kreshnik Budllën i cili njihet edhe me disa emra të tjerë. Ai është person i cili ka probleme me ligjin në Itali dhe Spnajë dhe rezulton i dënuar atje. Deputeti e informon se duhet të kishte kujdes pasi ishte në survejim nga agjensitë ligjzbatuese. Hetuesit kanë arritur të zbardhin biseda mes të dyve ku Budlla herë pas here përkon informacion për mjete apo njerëz të cilët  lëvizën në zonë e tij, madje në një rast ai thotë se i kishin bllokuar edhe paratë të cilat i kishte në bankë. Edhe në këtë rast ndaj ligjvënësit është ngritur akuza e zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete dhe përkrahjes së autorit të krimit.

E njëjta gjë sqarojnë burimet  ka ndodhur edhe me shtetasin Besmir Huqi, i cili dyshonte se atë dhe persona që ai njihte ishin shpallur në kërkim dhe për të konfirmuar këtë ai kërkon ndihmën e Jurgis Çyrbes. Pas informacioneve të marra deputeti i konfirmon se informacioni ishte i saktë dhe se dosja kishte ardhur nga jashtë për akuzat e trafikut dhe organizatës kriminale. Për këtë arsye drejtësia italiane kërkonte arrestimin dhe ekstradimin e tij. 

Bazuar mbi të dhënat e burimeve ish deputeti ka ndihmuar edhe persona të tjerë të cilët nuk janë identifikuar ende nga prokuroria e posaçme. Ende nuk është bërë lidhja se kujt i përkasin kodet e Sky-t më të cilat ka komunikuar Jurgis Çyrbja. Ai ka dërguar informacion tek një person duke i thënë se policia kishte zbarkuar në zonën Shijak, Maminas dhe Manzë. Madje i thotë personit që komunikon nëse ka vend ku të lëvizë apo të shkonte ai. Ky person i paidetifikuar është lajmëruar edhe njëherë tjetër ku Çyrbja i kërkon të bëjë kujdes.  Po në të njëjtën zonë personi nën hetim Jurgis Çyrbja njofton një tjetër person i cili nuk është identifikuar nga hetuesit por që ka mundur ti shpëtojë një operacioni policor që kishte të bënte me personat e shpallur në kërkim apo paligjshmëri të tjera të cilat mund të jenë kryer.

Rastet e mësipërme tregojnë angazhimin e Jurgis Çyrbes për të ndihmuar këta persona të cilat kanë probleme me ligjin. Por kjo kishte nga pas një interes shumë të madh pasi komunikimet janë kryesisht të vitit 2020 dhe 2021 disa muaj para zgjedhjeve parlamentare dhe roli i këtyre personave do të ishte shumë i rëndësishëm në procesin zgjedhor. Ata në këmbim të kësaj ndihme do të siguronin vota për të me qëllim që Jurgis Çyrbja të justifikonte renditjen në listën e Partisë Socialiste. 
Ndërsa ky hetim i SPAK nuk mund të quhet i plotë nëse nuk zbulohet se kush i ka dhënë informacion Jurgis Çybes për operacionet që kryesisht zhvilloheshin nga drejtoria e përgjithshme e policisë së shtetit. 

Prokuroria e Posaçme me 15 nëntor mori në pyetje për gati 3 orë Jurgis Çyrben. Ai u shoqërua nga paraburgimi dhe u pyet mbi detajet e hetimit të dala nga komunikimet në aplikacionin “Sky”. SPAK kërkoi shpjegime nga ish-deputeti mbi njohjet me personazhe të botës së krimit që sipas saj ka komunikuar duke dekonspiruar operacione të policisë dhe përfitimet që lidhën me mbështjen me vota në zgjedhjet e 2021-shit.
Çyrbja mësohet të ketë mohuar akuzat e SPAK, duke pretenduar para hetuesve se ai nuk ka pasur në përdorim “Sky Ecc” dhe si rrjedhojë nuk është ai që i jep informacione personave që kanë probleme me ligjin.
 

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top