Psikologia Erisa Aliaj duke folur në “MCN Informacion” tha që familja shqiptare po pëson një tranzicion, nuk është më si dikur dhe pasojat bien mbi fëmijët.
Ajo theksoi se prindërit shqiptarë janë pak të duruar, dhe nuk dinë t’i dëgjojnë fëmijët e tyre.
“E gjitha familja shqiptare po pëson një tranzicion prej një kohe të gjatë. Nuk duam të dalim nga ajo që familja shqiptare ka qenë dikur. Sfidat janë të ndryshme, por pasojat bien më shumë te fëmijët. Ata që s’e dinë pse, por vuajnë disa pasoja. Familjet janë tkurrur, s’jetojmë më në familje të mëdha. Ne jetojmë kryesisht në familje të vogla, ku janë dy prindërit dhe fëmijët, që u duhet të punojnë për të siguruar të ardhura. Tentojmë të heqim dorë nga prindërimi produktiv dhe është i vlefshëm për fëmijën. Para se të flasim për pasojat, duhet të flasim mbi mënyrën si duhet të ndryshojë prindërimi. Durimi është i rëndësishëm pasi fëmijët nuk ndihen të dëgjuar. Prindërit shqiptarë janë shumë pak të duruar. Si t’i bëjmë prindërit t’i dëgjojnë fëmijët dhe adoleshentët? Sepse ata e kanë dëshirën të flasin, por s’e bëjnë kur nuk dëgjohen. Arsyeja pse adoleshentët flasin në rrethin e tyre, aty ndihen të rëndësishëm, dëgjohen”.
Aliaj shton se marrëdhënia prind-fëmijë po prishet për rezultatet akademike, dhe fëmija duhet të pyetet në radhë të parë si ndihet, jo për notat.
0 Comments: