MC Networking

Shitja e vilës/ A duhet të shkojë policia te Samir Mane? Buxhuku e Xama: Ligji i ka lejuar hapësira

Çështja e vilës së biznesmenit Samir Mane që përmendet në dosjen hetimore të ish-Presidentit Ilir Meta u diskutua në “Mcn Economy”. Eksperti i ekonomisë Gjergji Buxhuku thotë problemi qëndron me mënyrën se si është shkruajtur ligji, që e lejon një biznesmen që të veprojë sipas interesit të tij më të mirë. Në të njëjtën linjë është edhe gazetarja Ola Xama e cila thotë se nuk sheh evazion, apo fshehje të ardhura në lidhje me këtë çështje, ndërsa shton se implikimet e tjera të mundshme mund të diskutohen.

Pyetjes së gazetarit Sebastian Zonja, nëse policia duhet të shkojë te ky biznesmen në kuadër të anti-informalitetit kryetari i Shoqatës “Pro Eksport Albania” Edvin Prençe i përgjigjet:

Liria e biznesit dhe vendimmarrjet e biznesit janë të tilla që duhet të pasqyrohen në një farë mënyrë, me çfarë thotë legjislacioni dhe Kodi, Kodet Fiskale dhe Tatimore shqiptare. Janë dy gjëra të ndryshme ajo që ju përmendet dhe deklaratës së ministrit të Brendshëm. Kërkohet vetrregullimi në radhë të parë dhe vetndërgjegjësimi i bizneseve dhe ekonomisë shqiptare kundër informalitetit”.

Ndërkaq eksperti Gjergj Buxhuku shprehet:

Është i qartë arsyetimi i shprehur nga biznesmeni në fjalë, problemi kryesor janë hapësirat e mëdha subjektive që lejojnë bizneset dhe individët që të veprojnë. Nëse hapësira ligjore i ka lejuar biznesmenit në fjalë, që të veprojnë sipas interesit të tyre më të mirë, pa e shkelur ligjin është ‘OK’ çdo gjë. Përgjegjësinë kërkojini te mënyra se si e kemi shkruajtur ligjin. Por në këtë rast hyn në lojë morali, jo ligji. E mira është morale. Shteti duhet të fillojë nga rregullimi i ligjit”.

Lidhur me këtë pyetje gazetarja Ola Xama thotë:

Nuk shoh as fshehje të të ardhurave as evazion, është një e drejtë që ta ofron ligji, ligji të jep të drejtën që ta dhurosh apo ta shesësh. Në rast se prona do të shitej do të ulej mbi çmimin e blerjes, 300 mijë euro minus 80 mijë euro, dhe do paguhej 15 për qind e 220 mijë euro. Nuk shoh evazion në rastin konkret, sa i takon implikimeve të tjera është çështje tjetër dhe mund të flasim”.

Në deklarimet e tij në lidhje me këtë fakt shtetasi Samir Mane deklaron se "vilën e ka blerë nga shtetasi Ilir Metaj në vitin 2006, me vlerën 300 mijë euro apo dollarë, paratë i ka pasur të depozituara në bankë, i ka tërhequr nga banka dhe ia ka dhënë në dorë shitësit. Deklaruesi s’e mban mend arsyen përse shitësit kërkuan që paratë t’i merrnin në dorë dhe jo nëpërmjet bankës, dhe as faktin nëse llogaria nga e cila ka bërë tërheqjen e parave ishte e tija personale apo llogari biznesi. Lidhur me faktin që vila u shit për 80 mijë euro në vitin 2021, Samir Mane deklaroi se kjo ishte marrëdhënia e tij personale me shtetasin Baton Haxhiu, dhe nuk lidhet me faktin nëse ka humbur apo jo nga shitja e pronës. Dëshira e tij ishte që t’ia falte vilën batonit por këshilltarët ligjorë e këshilluan që ta shiste, pasi tatimi në rast dhurimi të pronës do të ishte i lartë”.

 

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top