MC Networking

Beleri për MCN: Drejtësinë nuk e kontrollojnë ndërkombëtarët. Çështja ime deri në Strasburg, që vota të mos diskutohet (VIDEO)

Eurodeputeti Fredi Beleri thotë se në Shqipëri nuk ekziston ndarja e pushteteve dhe se qeveria ka vënë në dorë drejtësinë.

Në një intervistë për “MCN Informacion”, Beleri u shpreh se në Shqipëri nuk ka drejtësi të pavarur, gjë që është kusht i panegociueshëm për të hyrë në Bashkimin Europian.

Nuk mendoj se ndërkombëtarët kontrollojnë reformën në drejtësi dhe një nga format është dhe vetingu.

Vetingun e ka kontrolluar zoti Rama, mes atyre që kontrollonin informacionin. Këta që kaluan vetingun, kanë ca detyrime.

Nuk besoj se partnerët ndërkombëtarë kanë ndërhyrë në këtë proces.

Sa i takon çështjes së tij, Beleri u shpreh se avokatët e tij kanë bërë rekurs në Gjykatën e Lartë dhe se më pas është dhe Gjykata Kushtetuese dhe pasi të jetë ezauruar i gjithë procesi do i drejtohen edhe Strasburgut.

Burgun e bëra, mandatin e humba, por do e ndjek çështjen deri në fund në mënyrë që edhe në të ardhmen vota e popullit të mos diskutohet.

Për mandatin e eurodeputetit, Beleri thotë se është me origjinë greke dhe se është shtetas grek dhe shqiptar, por përfaqëson kombin e tij, Greqinë.

Lidhur me një shkrim të një gazete greke për një ngjarje të vjetër ku akuzohet se ka dashur të vrasë Vangjel Tavon dhe Anastas Angjelin, pasi punonin për Shqipërinë, Beleri tha se duhen pyetur ata nëse kanë rrezikuar ndonjëherë.

Media që shkruan është një media e majtë në Greqi, e kam akuzuar dhe më ka shpërblyer me 50 mijë euro.

Por bëra gabim që nuk i mora se nuk do dilnin sërish të shkruanin këto gënjeshtra. Ishte një shkrim i vitit 2009 dhe vendimi ka dalë në 2016.

Ndër të tjera Beleri tha se nuk ka dëgjuar që Kryeministri Edi Rama të ketë ndonjë mbështetje të madhe në Bashkimin Europian.

Pas marrjes së statusit kandidat në vitin 2014, nuk ka bërë ndonjë hap të rëndësishëm drejt afrimit në Bashkimin Europian.

Duke kontrolluar shumicën e mediave në Shqipëri, propagandon sikur ka njerëz që e mbështesin në BE.

Për fat të keq ai që e pengon Shqipërinë është zoti Rama.  

Të gjitha shtetet që aspirojnë dhe duhet të bëhen pjesë e BE, parimet e shtetit të së drejtës dhe pavarësinë e gjyqësorit, duhet të jenë të panegociueshme.

Do isha shumë i lumtur që shumë shpejt Shqipëria të ulej në tryezën e negociatave. Por duhen hapa konkret.

Për Shqipërinë janë të qarta kërkesat që për të hapur protokollet e para kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës, pavarësinë e gjyqësorit, respektimin e të drejtave të minoritetit.

Kur të hapen negociatat të jeni të sigurtë që këto gjëra do jenë të padiskutueshme.

Nuk kam informacion nëse negociatat me Shqipërinë, do hapen në vjeshtë, por dua që të hapen.

Për ligjin e luftës nga ana e Greqisë, thotë se që kur janë hapur ambasadat e dy shteteve dhe në vitin 1996 kur është firmosur traktati i miqësisë, ligji i luftës nuk ekziston.

Në këtë drejtim e sheh si një ngërç që do të zgjidhet.

Për mua është prioritet çështja e pronave, jo vetëm për Himarën, por për gjithë Shqipërinë.

Titujt e pronësisë që janë dhënë në Shqipëri, jo vetëm në Himarë, numërohen me gishtat e një dore, ndërkohë që ligji ekziston.

Mes dy vendeve besoj se kemi dy ura lidhëse, minoriteti grek në Shqipëri dhe emigrantët shqiptarë në Greqi.

Të dy këto komunitete po tregojnë rrugën, besoj se në Tiranë do ketë veshë të dëgjojnë se partneri kryesor europian është Greqia.

I pyetur se në zgjedhjet e pjesshme lokale në Himarë kishte perceptim se kandidati i opozitës Petro Gjikuria nuk pati mbështetje nga Athina zyrtare dhe opozita, siç pati ai përballë Jorgo Goros, Beleri tha:

Po të kishte ndodhur kjo, nuk kishte nevojë që gjithë strukturat e shtetit të mblidheshin në Himarë 15 ditët e fundit të fushatës.

Ato nuk ishin zgjidhje normale, shteti, organizatat kriminale ishin kundër zotit Gjikuria.

Opozita bëri çfarë ishte e mundur, kaq është fuqia. Interesi i shtetit grek nuk është te kandidati, por te një proces i gjithëpranuar.

Ky është shqetësimi i shfaqur duke dërguar komisioner. Shteti grek nuk ka ndërhyrë ndonjëherë.

KREDO
  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top