Shkëlqim Allkaj, drejtor i Zhvillimit të Politikave dhe Programeve të Arsimit Parauniversitar foli në edicionin e lajmeve në MCN TV mbi vitin e ri shkollor dhe cilësinë e teksteve. Allkaj tha se nuk ka asnjë prirje për përfshirjen e axhendës LGBT nëpër shkolla, duke theksuar që procesi i përzgjedhjes së librave kalon nëpër shumë filtra. Po ashtu ai vuri në dukje se shkolla është e depolitizuar dhe mësuesit përfshihen vet në procesin e përzgjedhjes së teksteve, dhe nëse ka gabime mund të raportohen dhe ndryshohen.
I pyetur mbi një personazh me mjekër dhe fustan që shfaqet në libra, dhe ka nxitur reagime nga prindërit, Allkaj shprehet:
“Procesi i përzgjedhjes së teksteve shkollore është proces i gjatë, që kalon në një sërë filtrash dhe ka komisione me profesorë, gjuhëtarë, mësues të ndryshëm që janë jashtë strukturave të MAS. Tekstet hartohen në përputhje programet dhe kurrikulat dhe standardet kombëtare të hartuara nga Agjensia e Sigurimit të Cilësisë të Arsimit Parauniversitar. Edhe procesi i përzgjedhjes nga shkollat është me me komisione të posaçme, mësues dhe profesionistë. Duke kaluar në filtra të tillë janë autoritetet përkatëse që kanë parë edhe përmbajtjen e tij. Nuk ka ndonjë prirje, apo orientim të tillë, (për përfshirjen e axhendës LGBT). Komisioni i Përzgjedhjes së Teksteve shkollore kanë në përbërje pedagogë. Mësuesit kanë të drejtë të japin vërejtje, sugjerime. Janë shumë struktura, shumë aktorë, derisa libri të arrijë se nxënësi. Tekstet kanë disa vite që qarkullojnë në treg, s’ka pasur asnjë problematikë”.
Allkaj tha që në total janë 350 mijë nxënës në arsimin parauniversitar, mes të cilëve 28 mijë në klasë të parë. Ai tha që mësimi me dy turne është ulur ndjeshëm, dhe ka vetëm në shkolla në rikonstruksion, si dhe është ulur numri i nxënësve në klasa.
“Këtë vit janë 350 mijë nxënës, 28 mijë prej të cilëve ulen në klasën e parë. Janë marrë të gjitha masat. Procesi i regjistrimit ka filluar në e-Albania që prej fillimit të korrikut dhe ka vazhduar gjatë gushtit. Përdorimi i termit mbyllje e shkollave s’është i drejtë. MAS në 10 vitet e fundit ka ndjekur një politikë që t’u ofroj nxënësve një proces mësimor sa më cilësor. Çdo fillim viti shkollor MAS, me qëllim që nxënësit që zhvillojnë mësim në klasa të bashkuara, t’i orientojë në klasa të veçanta. Janë politika për t’i ofruar cilësi shërbimi nxënësit, dhe i ofrohet transport nga shteti. Ne duhet të synojmë që nxënësit të bëjnë mësim në klasa të veçanta. Por ndodh në zona të thella, ku bëjnë mësim bashkë një nxënës i klasës së parë me një të klasës së tretë. Kjo politikë është duke u zbutur. Prandaj i tërheqim drejt shkollave, që fëmijët të socializohen. Mësimi me dy turne ka një ulje shumë të ndjeshme vitet e fundit, për shkak të ndërtimit të godinave të reja shkollore. Ky fenomen ndoshta ndodh për shkak të rikonstruksionit të shkollave, dhe në këtë situatë ka raste. Cilësia nuk dëmtohet. Para 10 vitesh duheshin 42 nxënës në klasë, ne e kemi ulur shifrën dhe aktualisht numri i nxënësve maksimal është 29. Numri minimal për të krijuar një klasë është 15 në zonat rurale, dhe 20 apo 25 në zonat urbane”.
I pyetur mbi një foto të kryebashkiakut Erion Veliaj, që shfaqet në një libër Qytetarie të klasës së tretë, ai shprehet:
“Në varësi të temës së përdorur gjenden figura politike që konkretizojnë kohën. Në rastin konkret s’e di temën konkrete mësimore, por mesa pashë bëhet fjalë me pastrimin, shërbimin në komunitet. S’ka pasur ndonjë reagim, por mund të ketë sugjerime për përmirësim. Shkolla është depolitizuar në të gjithë tërësinë e saj. Shkolla jonë s’ka lidhje me politikën. E ka të gjithë autoritetin e nevojshëm që t’i rrisë fëmijët tanë të shëndetshëm, dhe jashtë politikës. Mësuesit i zgjedhin vet librat, me procedura transparente dhe publike. Shkolla jonë s’ka lidhje me politikën, në përmbajtje, kurrikul, tekste. Çdo gabim nëse ndodh, një lapsus, gabim, mësuesin e konstatojnë e raportojnë, merret vendimi dhe adresohet te botuesi për t’u redaktuar”.
I pyetur mbi raportin e fundit të PISAS, ai bën këtë koment:
“Termi 'arsim pa vizion' s’më duket i përshtatshëm. Është e vërtetë që ka pasur një rënie të rezultateve të nxënësve tanë, por s’është vetëm i nxënësve tanë, por në nivel global, dhe një arsye është që ky testim është bërë gjatë pandemisë. Te ne ishte edhe fenomeni i tërmetit që e rëndoi problematikën”.
0 Comments: