MC Networking

Teknika dinake e politikës me IA, lufta e algoritmeve transformon fushatat zgjedhore

Akuzat e rreme të Donald Trump se kundërshtarja politike Kamala Harris po përdor inteligjencën artificiale për të fryrë përmasat e turmës në imazhet e mitingjeve të saj, nuk shihen nga ekspertët e komunikimit si të pafajshme.

Fjala e fundit e teknologjisë po përdoret nga Trump, qëllimisht me një formë që po e ndryshon plotësisht strategjinë elektorale: Për të nxitur dyshimet për fakte themelore.

Eksperti i medias, Hany Farid, profesor në universitetin e Kalifornisë, e sheh këtë teknikë, si një metodë për t’i paraprirë rezultatit të zgjedhjeve në rast se ai humbet.

Kur ai i mohon këto imazhe të turmave të Harris-it, të cilat verifikohen lehtësisht, mund të mendosh që është thjesht arroganca e tij. Por është më keq se kaq, pasi ai po përgatit skenën për të mohuar rezultatin e zgjedhjeve duke nxitur dyshime nëpërmjet teknologjisë, për çdo gjë që bën kundërshtari që në fillimet e luftës politike.

Të njëjtin mendim ndan edhe senatori Bernie Sanders, i cili në një njoftim për mediat, i kujton audiencës së Trump me këto veprime të qëllimshme po rrezikon drejtpërdrejt demokracinë e vendit.

Është e qartë dhe e rrezikshme se Trump ka gjetur një metodologji të re. Media po prodhon lajmet që vijnë të inicuara nga AI, duke ngritur dyshime për gjëra që jo të gjithë e kanë mundësinë të provojnë nëse janë apo jo të vërteta.  Kjo shkatërron besimin në institucione. Kjo është ajo që minon demokracinë.

Përpos akuzave për turma të modifikuara, Trump nga ana tjetër ka zgjedhur që në rrjete sociale, të jetë aktiv me të tjera imazhe të prodhuara nga Inteligjenca Artificiale.

Në njërën prej tyre, Harris i drejtohet turmës me një baner gjigant me simbole komuniste, ndërsa në një tjetër, këngëtarja me miliona ndjekës në të gjithë botën, Tailor Sëift i bën thirrje votuesve që të zgjedhin Trump.

Ndonëse kandidati për President ka tentuar që t’i shesë këto imazhe në kuadrin e rrjeteve sociale dhe posteve meme, pra ku audienca e di që po përballet me një përmbajtje të trilluar, impakti është i pashmangshëm, pasi me mijëra komentues pretendojnë se Trump di diçka më shumë, ndaj imazhi mund të jetë shëmbëlltyrë e së vërtetës.

Rastet e dukshme nuk janë të vetmet që kanë ngritur pikëpyetje të mëdha, për atë që është etike dhe deri ku ju lejohet palëve politikë të përdorin AI për agjendat e tyre politike.

Edhe Kamala Harris sipas analizës së AP (The Assiociated Press), po përdor prodhimet AI për të krijuar interaktivitet me votuesit, duke shfrytëzuar të dhënat që algoritmet mbledhin për ta nëpërmjet platformave sociale, një metodologji që ka ngritur pikëpyetje të forta lidhur me mbrojtjen e të dhënave personale si dhe përdorimin e tyre pa asnjëfarë barriere etike dhe ligjore.

Këto të dhëna përcaktojnë përmbajtjen që u serviret të targetuarve, në varësi të interesit apo preferencave, duke ndikuar kështu drejtpërdrejt në vullnetin e tyre për të votuar.

Pikërisht për këto sjellje, të cilat shpeshherë kanë sjellë shqetësime, përhapje dezinformatash dhe Fake News, kjo edhe për shkak të përfeksionit të lartë funksional të AI, kanë vënë në pikëpyetje integritetin e procesit zgjedhor dhe besueshmërinë e medias.

Në Kongres, senatori Amy Klobuchar propozoi dy projektligje për të adresuar përmbajtjen zgjedhore të gjeneratës së inteligjencës artificiale me të cilat përballen votuesit, një për të ndaluar falsifikimet e rreme të kandidatëve dhe tjetri për të monitoruar dhe ndaluar reklamat politike të manipuluara nga AI.

Republikanët në Komitetin e Rregullave të Senatit votuan kundër të dyjave, kjo për shkak të frikës se cënohet e drejta e fjalës dhe shprehjes.

Ndërsa teknologjitë e IA mund të ndihmojnë në automatizimin e përgatitjes së lajmeve dhe analizave, process I cili kërkon gjithsesi asistencën njerëzore, ato gjithashtu mund të kontribuojnë në përhapjen e informacionit të pasaktë dhe të manipuluar, duke ndikuar kështu në mënyrën se si publiku e kupton dhe interpreton ngjarjet aktuale.

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top