Bllokimi që deputeti Eduard Shalsi i bëri miratimit të raportit të kontrollit të Lartë të Shtetit nga Kuvendi ka nxitur diskutime mbi qëllimin e kësaj lëvizje që sipas deputetëve lidhet sa me interesat personale të ligjvënësit socialist, por edhe me një nismë politike të grupit socialist. Opozita akuzon Partinë Socialiste se po bën çdo përpjekje për të kapur institucionin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Në vazhdën e këtyre përpjekjeve sipas deputetëve të Partisë Demokratike është edhe mbajtja peng e rezolutës me rekomandimet që do duhet të miratohej këtë të premte në seancën e fundit parlamentar për këtë sesion.
Deputetët e opozitës Jorida Tabaku dhe Edmond Spaho duke folur për MCN TV, thonë se Partia Socialiste po shkel çdo ligj për ti bërë presion kreut të KLSH.
Duke qenë se kreun e KLSH nuk e kontrollojnë dot dhe kreun KLSH nuk e detyrojnë dot që të bëjë rekomandime më të buta të bashkëpunojë me ministrinë e Financave, janë duke përdorur këtë mënyrë.
Kur parlamenti nuk merret me thelbin e raportit që ka KLSH, dhe në vend që të marrë për të raportuar institucionet zbatuese dhe të ngrejë mekanizma që korrupsioni të parandalohet merret me kryetarin e KLSH se pse i shkruan ato gjetje në raportin e tij.
Ndërsa Spaho shton se qëllimi i mazhorancës është ta vërë nën zap Kontrollin e Lartë të Shtetit
Qëllimi i mazhorancës është ta vërë nën zap KLSH siç ka vënë nën zap institucionet e tjera të pavarura edhe të drejtësisë.
Personalisht mendoj se edhe nënkomisioni që u ngrit është ngritur për këtë qëllim.
Si Spaho ashtu edhe Tabaku thonë se mazhoranca po planifikon që nëpërmjet komisionit të posaçëm të drejtuar nga Fatmir Xhafaj, PS kërkon të shkrijë Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe ILDKPI dhe të krijojë një gjykatë auditi ku të mund të emërojë njerëzit e saj të besuar.
Është ngritur një komision i posaçëm i cili do të bëjë edhe ndryshimet administrative dhe ndryshimet administrative mund të kenë parasysh edhe disa nga këto institucione se si të rigrupohen, të shkrihen të ndryshohen, sigurisht që kjo kërkon ndryshime kushtetuese.
Por unë po flas për disa elementë që komisioni i posaçëm është duke i marrë parasysh të suprimohet, të kthehet në një formë gjykate që të ndryshojë fokusin, janë duke parë analizat e disa vendeve të tjetra.
Sipas Spahos, synimi i mazhorancës është të shkrijë KLSH, të shkrijë ILDKP dhe të krijojë gjykatën e auditit.
Bashkimi Europian doli në përfundimin të enjten se rekomandimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, një organ i pavarur, nuk respektohen sa duhet nga institucionet.
Sipas raportit vetëm 50% e rekomandimeve të lëshuara në vitin 2021 nga Institucioni i Kontrollit Shtetëror janë zbatuar plotësisht ose pjesërisht, thuhet në raport.
0 Comments: