MC Networking

“Uji i Dukatit po merret për resortet e Samir Manes”, Leka: Pjesë e një projekti që ka të bëjë me ujësjellësin e Orikumit dhe Himarës

Banorët e fshatit Dukat akuzojnë Samir Manen se përmes një marrëveshje me drejtuesit e njësisë administrative dhe kryetarët e fshatrave po u merr ujin për ta çuar tek resortet turistike në “Green Coast”.

Aktivisti Klodi Leka tha përmes një lidhje “Skype” me studion e lajmeve të MCN Tv se banorët e Dukatit u vendosën para një fakti të kryer dhe se një person, Petrit Gjoni u dhunua mbrëmë nga rojet private të Samir Manes.

Sipas Lekës kjo situatë nuk po ndodh vetëm në Dukat, duke shtuar se është çdo gjë pjesë e një projekti më të madh që ka të bëjë me ujësjellësin e ri të Bashkisë Himarë dhe Bashkisë së Orikumit.  

 

 

 

 

 

 

Prej disa ditësh banorët e fshatit Dukat po protestojnë kundër vjedhjes së ujit që është burim i domosdoshëm i ekzistencës dhe ekonomisë së tyre.

Banorët e fshatit Dukat janë vënë para faktit të kryer. Nuk ka pasur asnjë dëgjesë, asnjë konsultim publik, asnjë njoftim nga njësia administrative. Gjatë protestës së tyre dy ditore, gjatë tentativës për të ndaluar mjetet që po vidhnin ujin, qytetari Petrit Gjoni  është dhunuar nga rojet private të Samir Manes që shoqëronin punëtorët e firmës Gjikuria.

Është interesante sesi prej disa ditësh shumë fshatra përreth Dukatit, janë aktualisht pa ujë. Kjo nuk po ndodh vetëm Dukat, kjo është pjesë e një projekti më të madh që ka të bëjë me ujësjellësin e ri të Bashkisë Himarë dhe Bashkisë së Orikumit.

Janë 30 fshatra të lumit të Vlorës që po protestojnë kundër vjedhjes së lumit Shumicë.

Projekti i ujësjellësit të Himarës dhe ujësjellësit të Orikumit është i paditur në Gjykatën Administrative për shkak të shkeljes së legjislacionit mjedisor dhe pika e dyta e akuzës është për shkak të mungesës së konsultimit  publik. Gjithçka është bërë pa dijeninë e banorëve të zonës.

Janë dhjetëra fshatra, qoftë në Dukat dhe qoftë në lumin e Vlorës që po i rrezikohet ekzistenca e tyre për të furnizuar me ujë resortet luksoze të oligarkut Samir Mane dhe oligarkëve të tjerë në jug.

Firma Gjikuria që ka fituar çdo tender të mundshëm për çdo punim publik, kryesisht për resortin e Samir Manes është kthyer në një oligark i vogël vendas në shërbim të oligarkëve të mëdhenj.

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top