Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi e konsideroi vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese një aktakuzë penale për deputetët, që sipas tij për motive politike penguan ekzekutimin e vendimit të gjykatës për çështjen “Xhaçka”.
Në reagimin e tij Bardhi thekson se grupi i PD po përgatit kallëzim penal për përgjegjësit.
"Edi Rama keqpërdori deputetët e tij për ti dhënë mbrojtje politike bashkëpunëtorës së tij të afërt Olta Xhaçka, duke vendosur për herë të parë standardin e moszbatimit të një vendimi konkret të Gjykatës Kushtetuese. Pasi në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin e bëri ministren e tij investitore strategjike, në një pronë publike të grabitur me dokumente të fallsifikuara, Edi Rama i dha asaj edhe statusin “e paprekshme” nga drejtësia.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dhe deputetët e opozitës u rreshtuan edhe një herë në mbrojtje të kushtetutshmërisë dhe interesit publik. Ndërkohë u provua edhe njëherë se Edi Rama dhe deputetët e tij u rreshtuan në krah të interesit privat të oborrit të Edi Ramës, që pasuritë publike i kanë shndërruar në plaçkë për veten e tyre.
Vendimi i sotme i Gjykatës Kushtetuese është edhe një aktakuzë penale për të gjithë deputetët që me vetëdije dhe për motive politike penguan ekzekutimin e vendimit të gjykatës. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, po përgatit kallëzim penal ndaj të gjithë përgjegjësve që për më shumë se 1 vit kanë penguar ekzekutimin e këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese”.
0 Comments: