MC Networking

Mitro: Kjo ishte fitorja e dytë e Fredi Belerit. Apeli mund ta lirojë para se t’i përfundojë dënimi

Kryeredaktori i MCN TV, Leonard Mitro, tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se zgjedhja e Fredi Belerit si eurodeputet i Greqisë është fitorja e dytë e tij. Ai vë në dukje se denoncimet e Belerit në PE mund ta ekspozojnë edhe më shumë qeverinë "Rama" në lidhje me mënyrën e funksionimit të shtetit ligjor dhe korrupsionin në Shqipëri. Mitro vë në dukje se Gjykata e Apelit mund ta lirojë z.Beleri përpara se atij t’i mbarojë dënimi që i ka dhënë Gjykata e Shkallës së Parë.

 

 

 

 

Pyetjes se çfarë pritet të ndodhë me betimin e Belerit si eurodeputet, Mitro iu përgjigj:

"Duhet parë në dy perspektiva. E para është fakti që kjo ngjarje është e prodhuar politikisht nga një person, që është kryeministri i vendit. Gjendja faktike sot është se Bashkia e Himarës e cila në zgjedhjet vendore u fitua nga z.Beleri, vijon të drejtohet nga një parti që i humbi zgjedhjet. Ky është një diskutim që pak gjen vend si në media, opinionin publik, apo brenda vet opozitës. Opozita po e trajton z.Beleri si një çështje të distancuar nga zhvillimet që kanë të bëjnë me demokracinë në Shqipëri, ndërkohë që duhet të ishte kundërta. Për karrierën e tij zgjedhja e tij si eurodeputet padiskutim është një hap përpara. Kjo është beteja e dytë e fituar prej tij. Një betejë e fitoi me kandidatin e z.Rama, ndërsa tani fitoi një tjetër betejë, në atë që ai e konsideron një luftë për të çuar përpara denoncimin mbi atë çka ndodh në bashkinë ku ai synoi të ishte kryetar bashkie. Është ndryshe kur të tilla denoncime që vijnë nga një zë si z.Beleri, që ka edhe backround-in që ka qenë i burgosur, ai vet pretendon se është i burgosur politik, kësisoj denoncimet që do vijnë nga z.Beleri në PE mund ta ekspozojnë edhe më shumë qeverinë e z.Rama mbi funksionimin e shtetit ligjor dhe korrupsionin në Shqipëri.

Logjika të çon në arsyetimin që Gjykata e Apelit mund të marrë vendim që ta lirojë z.Beleri përpara se atij t’i mbarojë dënimi që i ka dhënë Gjykata e Shkallës së Parë. Betimi është diku në 16-19 korrik. Dënimi i Belerit sipas Gjykatës së Shkallës së Parë përfundon në shtator dhe Gjykata e Apelit ose mund ta lërë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, ose mund ta zbusë vendimin, për të ezauruar qëndrimin e tij në burg me afatet e paraburgimit, para datës së betimit në PE. Kësisoj edhe z.Rama dhe mazhoranca çlirohet nga një stres i shtuar, në një skenar që do të duhet të vijnë eurodeputetë në Shqipëri për të parë mundësinë përse nuk lejohet betimi i një eurodeputeti, etj. Logjikisht z.Rama duhet ta shmangë këtë incident”.

Pyetjes, a mendoni se zgjedhja e Belerit si eurodeputet do të zbusë tensionet mes Shqipërisë dhe Greqisë, Mitro tha:

"Zoti Rama e trajton politiken e jashtme si derivat të raporteve të tij personale dhe interesave partiake. Para se të ndodhte kjo, marrëdhëniet konsideroheshin të një niveli shumë të mirë. Befas çdo gjë ndryshoi në pak orë vetëm për faktin se z.Rama iu fut një beteje elektorale në Bashkinë e Himarës kundër një kandidati që siç e tregonin sondazhet, mazhoranca do ishte humbëse. Marrëdhënia mes dy vendeve edhe pse ka shkuar në pikën zero, për shkak të këtij qëndrimi që ka mbajtur jo vetëm mazhoranca, por ka reflektuar edhe qëndrimin e Presidentit, megjithatë çdo gjë varet nga humori personal i kryeministrit të Shqipërisë. Unë besoj që Greqia do të vazhdojë të tregohet e matur në raport me marrëdhëniet me Shqipërinë, për shumë arsye, e para se është një vend i BE, me një peshë relativisht të rëndësishme, ka më shumë eksperiencë në lidhje me sigurinë rajonale për shkak edhe të konjukturës në rajon, dhe për më tepër që janë në tryezën e diskutimit çështje shumë të rëndësishme që dy vendet duhet t’i avancojnë ne axhendën që kanë përpara, është çështja e kufijve detarë dhe e Zonave Ekskluzive Ekonomike, por edhe një sërë çështjesh të tjera edhe të natyrës teknike, që kanë të bëjnë me lehtësimin e shërbimeve, pensionet. Edhe Shqipërisë i intereson që axhenda e saj europiane të përshpejtohet, sepse forcohet shteti ligjor, vendoset kontroll më i fortë te institucionet, niveli i korrupsionit do fillojë të mos jetë në këto përmasa të paktën që është tani. Një veto e mundshme e Greqisë në procesin e integrimit, s’besoj se do t’i vinte përshtat Shqipërisë në një moment kaq të rëndësishëm të saj”.

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top