Me nëntë vota pro dhe dy kundër, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi përfundimin e mandatit për drejtuesin Alfred Balla.
Kësisoj Balla nuk mund të jetë më drejtuesi i KLP-së, ndërsa më herët Komisioni i Posaçëm i Apelimit kishte vendosur që ta përjashtonte Ballën për 15 vjet nga sistemi i drejtësisë.
Alfred Balla vijonte të ishte anëtar i KLP-së dhe njëherazi kryetar i saj, megjithëse prej 18 dhjetorit 2023 i kishte përfunduar mandati 5 vjeçar.
Ai kishte statusin ndihmës ligjor dhe bazuar në vendim nuk mund ta ketë këtë status dhe nuk mund të jetë as gjyqtar, për shkak se vjen nga shoqëria civile.
Balla vazhdonte të ushtronte detyrën në pritje të zëvendësimit të tij nga anëtari i ri, përfaqësues i shoqërisë civile, i cili kërkon votat e Kuvendit për tu zgjedhur.
Balla tentoi të shmangte procedurat e vetingut duke pretenduar se nuk ishte pjesë e sistemit, edhe pse bazuar në Kushtetutë, si ndihmës ligjor pranë Gjykatës së Lartë ai ishte subjekt i kontrollit.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e kaloi Ballën nga procesi i vetingut, por Komisioneri Publik iu drejtua KPA-së duke kërkuar përjashtimin e Alfred Ballës.
0 Comments: