MC Networking

Vendimi i Gjykatës Europiane të Drejtësisë/ Zhabina: Përgjimet në “Sky ECC” konsiderohen indicie. Personi duhet të jetë i identifikuar

Gazetari Xhevahir Zhabina komentoi në MCN Live vendimin e Gjykatës Europiane të Drejtësisë lidhur me përgjimet e përfituara në "Sky ECC".

Zhabina theksoi dy elementë të rëndësishëm të vendimit, që përgjimet nuk konsiderohen prova por mund të shërbejnë si indicie sa i përket hetimeve.

Zhabina shton se Gjykata Europiane e Drejtësisë kërkon po ashtu që personi për të cilin po zhvillon hetime duhet të jetë i identifikuar.

"Vendimi i Gjykatës Europiane të Drejtësisë, besoj se në thelb nuk ndryshon shumë sa i përket hetimit të këtyre çështjeve. Gjykata thotë që sigurisht që s’janë prova në kuptimin e parë të provës, por sigurisht që  janë indicie që mund të çojnë në prova. Nuk ka ndonjë ndryshim të madh nga përgjimet në mënyrën tradicionale që kryen prokuroria jonë dhe çdo prokurori. Çka do të thotë që këto përgjime, komunikime, mund të përdoren si indicie për të zbardhur, çështje, vrasje, trafik, paligjshmëri të tjera. Në këtë rast Gjykata i ka legjitimuar si indicie. Me hetimet në Shqipëri, ne kemi parë që SPAK të ketë hetime të bazuara nga komunikimet e Sky, por u ka bashkëlidhur edhe prova të tjera, që më pas ka bërë një dosje të kopsitur, e ka çuar çështjen në gjykata, dhe më pas gjykata i ka legjitimuar si prova, duke edhe dënuar. Gjykata Europiane e Drejtësisë thotë që hapja e këtij serveri të SKY/ECC është bërë konform ligjit, por sigurisht që janë indicie pasi duhen edhe prova të tjera.

Në dosjet që ka dorëzuar SPAK-u në gjykatë, apo në ato kërkesa për kërkim mase, s’kemi parë që të jenë zbardhur emra personash, politikanësh, apo biznesmenësh që s’kanë qenë të lidhur me një provë tjetër. Ato letra që janë çuar në gjykatë, s’kemi parë që të përmenden biznesmenë dhe politikanë të famshëm. SPAK-u ka zbardhur atë pjesë që lidhet me hetimin e tij. Është faktuar që ata dekonspironin operacione, kanë kryer vrasje, apo po tentonin të kryenin vrasje. Një gjë tjetër që lexova në vendimin e Gjykatës Europiane të Drejtësisë, që u kërkon autoriteteve të BE, që personi për të cilin po zhvillon hetime duhet të jetë i identifikuar, dhe s’mund të jetë në mënyrë të përgjithshme. Nuk mund të jetë i identifikuar vetëm si kod, por si person”.

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top