Në rrëfimin e tij, në emisionin “Një Gotë Rose”, ish-lojtari Bledi Shkëmbi, kujtoi edhe golin e shënuar me Skënderbeun në “play off” të Champions League.
Shkëmbi thotë se ajo ishte oshtima më e madhe që ka dëgjuar në stadiume, ndërsa u shpreh se Skënderbeu i ka dhënë kujtimet më të bukura në futboll.
Skënderbeu më ka dhënë kujtimet më të bukura të futbollit. Me këtë stemë u rrita që fëmijë dhe e mbylla ashtu si shumë e ëndërrojnë dhe pak e arrijnë. Jam me fat që e mbylla karrierën te i njëjti klub ku nisa dhe me sukses.
Goli im i parë me Skënderbeun ka qenë në Gjirokastër. Nuk kam qenë egoist që të shënoja gol. Kam qenë mesfushor, ku më shumë i shërbeja skuadrës. Pasoja shumë. Ndjeja kënaqësi për këtë. U bëra futbollist i mirë, sepse i dija vlerat e vetes.
Kur shënon gol, është ndjenjë e pashkruar. Unë kam ndjerë diçka me Skënderbeun. Kur luajtëm me Dinamo Zagreb, stadiumi ishte plot dhe unë ndjeva atë oshtimën më të madhe në stadiume, kur shënova. Ishte kënaqësia e madhe për të përqafuar lojtarët.
Sipas tij, fanella e Kombëtares, është maksimumi i karrierës për një lojtar.
Të luash për Kombëtaren, për një futbollist, është maksimumi i karrierës së tij. Unë kam qenë dhe jam shumë i lidhur me Kombëtaren. Nga mosha 15 vjeçare kam qenë lojtar, te moshat, që kulmoi me ekipin Shpresa, ku isha kapiten i skuadrës. Në ato vite ishte ëndërr kjo, që të ishe kapiten.
Kam luajtur në Greqi, Kroaci dhe Ukrainë. Jam i kënaqur me atë që kam bërë në karrierë, nuk e kthej kokën pas. Miqësitë i ruaj me të gjithë. Ka lojtarë që kanë ikur jashtë Shqipërisë. Moshatarët e mi, e kanë lënë futbollin. Ruaj miqësinë edhe me lojtarët e huaj. Jam tip i shoqërueshëm dhe më pëlqen shumë shoqëria.
0 Comments: