Presidenti Vladimir Putin tha të mërkurën se shkencëtarët rusë janë pranë krijimit të vaksinave kundër kancerit që së shpejti mund të jenë të disponueshme për pacientët. Më konkretisht shefi i Kremlinit deklaroi: “Ne kemi mbërritur shumë pranë krijimit të të ashtuquajturave vaksina kundër kancerit dhe ilaçe imunomoduluese të një gjenerate të re".
"Shpresoj se së shpejti ato do të përdoren në mënyrë efektive si metoda të terapisë individuale”, shtoi ai, duke folur në një forum në Moskë mbi teknologjitë e të ardhmes.
Një numër vendesh dhe kompanish po punojnë për vaksinat kundër kancerit. Vitin e kaluar qeveria e Mbretërisë së Bashkuar nënshkroi një marrëveshje me BioNTech me bazë në Gjermani për të nisur provat klinike duke ofruar "trajtime të personalizuara të kancerit", duke synuar të arrijë 10,000 pacientë deri në vitin 2030.
Kompanitë farmaceutike Moderna dhe Merck & Co po zhvillojnë një vaksinë eksperimentale kundër kancerit që një studim afat-mesëm tregoi se përgjysmonte mundësinë e përsëritjes ose vdekjes nga melanoma, kanceri më vdekjeprurës i lëkurës, pas tre vjet trajtimi.
Aktualisht ekzistojnë gjashtë vaksina të licencuara kundër papillomaviruseve njerëzore (HPV) që shkaktojnë shumë kancere, duke përfshirë kancerin e qafës së mitrës, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, si dhe vaksinat kundër hepatitit B (HBV), i cili mund të çojë në kancer të mëlçisë.
Gjatë pandemisë së koronavirusit, Rusia zhvilloi vaksinën e saj Sputnik V kundër COVID-19 dhe e shiti atë në një numër vendesh, megjithëse brenda vendit u përball me hezitimin e gjerë publik për t'u vaksinuar.
0 Comments: