Në vapën e nxehtë të gushtit, atëherë kur politikanët marrin pushimet dhe vëmendja e lajmeve politike zbehet, në lulishten pas Teatrit të Operas dhe Baletit nis rrethimi i zonës për t’i hapur rrugë ndërtimit të kullës më të re në kryeqytet “Mali i Tiranës”.
Lajmi do të kalonte në qetësi nëse një nga partitë politike më të reja, “Lëvizja Bashkë” e drejtuar nga Arlind Qori, nuk do të lajmëronte se çfarë po ndodhte duke nisur protestat.
“Shërbëtor i oligarkëve, tradhëtar i qytetarëve”, do të ishte parrulla kryesore e protestës.
“Ne kemi protestuar sepse po zhduket një hapësirë publike, një park. Nuk jemi në vitin 1991 ku Tirana është plot me hapësira publike dhe po thua ‘po e ngre një kullë që të kemi dhe ne’. Jemi në kushtet kur nuk ka hapësirë, gjelbërim dhe po na shkatërrohen mushkritë. Cila do të ishte leverida e një kulle aty? Akush nuk e thotë, as nga ana kulturore, sociale, apo mjedisore. Arsyeja e vetme është që aty do të fitohen shumë para dhe ata që kanë dhënë lejen me gjasë do të fitojnë shumë para dhe ne do të humbim. Kjo është një arsye e mjaftueshme për të protestuar dhe për të vënë gjëmën!” tha Arlind Qori nga Lëvizja Bashkë në Kronos.
Historia e tokës në lulishten në qendër të kryeqytetit është e vjetër. Disa pronarë të truallit në vitin 1992 lidhin një marrëveshje me biznesmenin Hajdin Sejdia, i cili kishte për qëllim ndërtimin e një hoteli luksoz. Sejdia hap gropën por nuk arrin dot të gjejë paratë për të investuar. Lulishtja do të mbetej e rrethuar për vite me radhë, si një njollë e zezë në mes të qendrës së Tiranës, për të ilustruar dhe modelin ekonomik të saj. Tirana e ndërtimit, hap gropa, shit apartamente dhe mos respekto asgjë: as planet urbanistike, as konsultimin publik dhe as vendosjen në filtër të investitorëve nëse kanë apo jo paratë për të financuar.
Gropa te 9-katëshet mbyllet në vitin 2006 pas urdhrit që dha kryeministri Sali Berisha në Këshillin Kombëtar të Rregullimit të Terriorit dhe u zbatua nga ministri Punëve Publike Lulzim Basha. Basha nënshkroi një marrëveshje me Shoqatën e Ndërtuesve të cilët morën përsipër të mbushin gropën dhe më pas të niste projekti për ndërtimin e një lulishteje, ku përveç gjelbërimit, zona do të kthehej në një ambient pushimi për qytetarët.
Vendimi është marrë nga Kryeministri dhe kreu i Këshillit Kombëtar të Territorit Edi Rama, i cili si pjesë përbërëse e një jurie ndërkombëtare bashkë me kryetarin e bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, kompaninë investitore “Nova Construction 2012” dhe katër arkitektë të njohur Pablo Bofill, Stefano Boeri, Filippo Innocenti dhe Freek Persy, përzgjodhën projektin e studios daneze Cebra. Dizanji i kësaj studio sillte ndërtimin e një kulle 185 metra të lartë për strehim, zona biznesi, ambiente parkimi, restorante, kafene dhe strukturën e një hoteli brenda saj.
“Është një kullë multifunksionale që do të ketë disa hapësirë, jo vetëm për rezidencë por dhe për hoteleri, argëtim dhe do të kompletojë kurorën përreth sheshit Skënderbej, ashtu siç ka qënë plani francez orgjinal.” deklaroi në tetor të vitit të shkuar kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Disa muaj më pas, Këshilli Kombëtar i Territorit miraton lejen e zhvillimit për kullën Tirana Mountain, por këtë herë për një kullë 205 metra të lartë dhe jo 185 metra sa ishte projekti i studion Cebra.
Rrethimi i lulishtes dhe hapja e gropës nisi dhe njëherë debatet publike për rregullsinë e këtij procesi, por përtej kësaj akuzat u ndërthurën me debate politike. Media të ndryshme hodhën dyshime se pas emrit Ilir Shtufi, pronarit të kompanisë investitore në këtë kullë, fshiheshin interesat që lidhnin fijet e Partisë Demokratike të Rithemelimit me ato të pushtetit.
“Debati mbi kullën më të lartë të Tiranës ndodhi befasisht. Edhe pse leja ishte dhënë qysh në muajin Mars, disa zëra që e kishin përshkruar atë si një “qokë” të pushteti për familjen Berisha nuk është se u morën shumë seriozisht. Në të vërtet grupi që ndërton Kullën, është më i madh se ai që ka emrin dhe po lakohet. Në thelb grupi që qëndron jo vetëm pas kësaj kulle por pas rreth 1 miliard eurosh ndërtime në Tiranë, ka brenda vetes pronarët të mëdhenj të grupit “Klan”, të cilët shërbejnë si telefon i prishur mes Berishës dhe Ramës. Ramës duke i shitur pallavra për Berishën dhe Berishës duke i shitur miqësinë me Ramën si kërcënim për ta braktisur, po nuk i dëgjoi. Brenda këtij grupi Ilir Shtufi është thjesht njeriu që ka i dhënë garanci pushtetit se brenda atij grupi ai është njeri i Berishës dhe për këtë kullë Sali Berisha nuk do bëjë zhurmë.” deklaroi në një shkrim të tij të botuar në muajin gusht analisti Mero Baze.
Akuzat se përfitues në këtë kullë ishte dhe djali i zotit Berisha u mohuan si nga vetë Shkëlzen Berisha dhe nga kreu i Partisë Demokratike të Rithemelimit.
“Për t’i dhënë një përgjigje kujtdo që ka ngelur në grepin e shpifjes së radhës po i bëj një sfidë publike Edi Ramës që të revokojë lejen e ndërtimit, ose të pranoje në heshtje se pas saj njëlloj si për qindra leje të tjera janë pazaret që ai firmos paf paf paf e fap fap fap bash si per vjedhjen e inceneratorëve! Sigurisht që ai nuk do bëjë asgjë, pasi në thelb gjithë zhurma e shpifjes nuk ka për qëllim prishjen e pazareve të Ramës, por largimin e vëmendjes nga skandali i inceneratorëve për të cilin ai dhe Veliaj në ndryshim nga skandali i Kullës, rrezikojnë burgun! Sidoqoftë sfida mbetet e hapur … revoko lejen ose haje me “nder”!” shkruajti në një postim në facebook Shkëlzen Berisha.
“E gjithë përpjekja është të krijojë një zhurmë për të shuar flakët e djegësit të Tiranës që nuk ekziston” do të thoshte më 7 gusht Sali Berisha, kreu i Partisë Demokratike të Rithemelimit.
Thashetheme dhe baltë i quajti dhe kryeministri Edi Rama, i cili dhe pse me pushime, i dedikoi një sqarim të gjatë të qëndrimit të tij në rrjetin Facebook.
“Teksa gjyqi inkuizicional i kullës më të re do të përmbushë edhe ai misionin e vet të mallkimit të vjetër të çdo gjëje të mirë që mbin në këtë tokë, kulla tjetër e radhës do të shfaqet me patjetër, si një tjetër fryt i pasionit dhe këmbënguljes për Shqipërinë, e për pasojë edhe si ftesë për një tjetër gjyq me mullarin përkatës të baltës së dalë nga thasët e aradhesë së bartësve të mallkimit, sepse mbase ky vend s’do shpëtojë kurrë nga ata që baltën e kanë bukën e gojës, po pa asnjë diskutim, as Tirana e as Shqipëria nuk kanë kohë për të humbur pas shekujsh zvarritjeje dhe as fëmijët e Shqipërisë nuk ia kanë borxh të nesërmen e tyre tufës laramane të atyre që vesi i vjetër i baltosjes me shkulm e zulm të çdo vepre a qoftë edhe vetëm qëllimi të mirë në këtë vend, do t’u dalë veç me shpirtin.”
Reagime më të vakta ishin ato që bëri disa ditë më pas Bashkia e Tiranës.
“Hipokrizia e tyre është mbresëlënëse për të gjitha copat e partive të opozitës që shtuan vilat gjatë pandemisë e tërmetit dhe rrinë e flenë nëpër vilat e ndërtuesve.” deklaroi Erion Veliaj pas këtyre akuzave.
Kundërshtarët e Berishës të Partisë Demokratike zyrtare, do të gjenin për të sulmuar atë që prej më shumë se 1 viti e quajnë “Trekëndëshi i Bermudës”. Tashmë ky flirt do të merrte një tjetër epitet: atë të “Aleancës së Kullave”.
“Aleanca e kullave nuk do ta mbajë dot peng Partinë Demokratike”, tha disa javë më parë Lulzim Basha, duke aluduar për marrëveshje mes grupimit të Rithemelimit dhe partisë në pushtet.
Partia Demokratike zyrtare i konkretizoi akuzat në një kallzim penal që depozitoi në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kallzimi i depozituar më 8 gusht 2023, kërkon hetim për veprat penale të shpërdorimit të detyrës, korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike dhe pastrim të produkteve të veprës penale, kryeministrin Edi Rama në cilësinë e kryetarit të Këshillit Kombëtar të Territorit, Erion Veliaj kryetar të Bashkisë Tiranë, shoqërinë “Nova Construcition 2012” dhe ortakun e saj Ilir Shtufi me 91% të aksioneve, si dhe çdo person të paidentifikuar që me veprime dhe mosveprime konkrete rezulton pas hetimit të ketë përgjegjësi penale.
“Pasi jemi njohur me vendimin nr. 14, datë 08.03.2023 të Këshillit Kombëtar të Territorit “Për miratimin e lejes së ndërtimit për objektin ‘Godinë multifunksionale, shërbim, hoteleri, banim, 58 kate mbitokë dhe 7 kate nëntokë’, me vendndodhje në Rrugën e Barikadave, Bashkia Tiranë”, me subjekt zhvillues shoqërinë “Nova Construction – 2012”, duke mbajtur në konsideratë se veprimet dhe mosveprimet e të kallzuarve kanë dëmtuar rëndë interesin publik që dyshohet se duke përdorur nga njëra anë pushtetin publik kanë dhënë një leje ndërtimi në kundërshtim të hapur me ligjin, e cila dyshohet se do të ndërtohet në funksion të pastrimit të parave të krimit dhe korrupsionit.” thuhet në kallzimin e PD-së.
Një nga shkeljet që ka evidentuar PD zyrtare është vendimi për miratimin e lejes së ndërtimit “Godinë multifunksionale, shërbim, hoteleri, banim, 58 kate mbitokë dhe 7 kate nëntokë” e cila është dhënë në shkelje të Planit Rregullues të kryeqytetit të miratuar nga vetë z.Veliaj dhe Këshilli Bashkiak e më pas nga kryeministri si kryetar i Këshillit të Territorit.
“ Në datën 29.12.2016, me anë të Vendimit nr. 83, të Këshillit të Bashkisë Tiranë me propozim të Kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj, është miratuar Plani i Përgjithshëm Vendor i cili ka në përbërje të tij edhe disa materiale shoqëruese. Në datën 14.04.2017, me anë të Vendimit nr. 1 të Këshillit Kombëtar të Territorit me kryetar Kryeministrin Edi Rama miratohet Plani i Përgjithshëm Vendor i Bashkisë Tiranë dhe akte të tjera bashkëlidhur këtij plani. Sipas këtij vendimi të miratuar nga vetë Z. Rama është theksuar se: “gjatë hartimit të Planeve të Detajuara Vendore, projekteve strategjike, projekteve pilot të zhvillimit, si dhe çdo projekt tjetër për zhvillimin e territorit, Bashkia Tiranë duhet të bazohet në kuadrin referues të detyrueshëm të përcaktuar nga legjislacioni në fuqi dhe nga Plani i Përgjithshëm Vendor.” shkruhet në kallzim.
Partia Demokratike argumenton se dhe pse vetë Rama e Veliaj kanë miratuar hartën e hapësirave publike me vendim të Këshillit Bashkiak dhe atij të territorit, duke caktuar zonën mbrapa Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit hapësirë publike dhe rekreative, vetë e kanë ndryshuar.
“Tre vite më pas po Erion Veliaj dhe Edi Rama në shkelje të Planit të Përgjithshëm Vendor, të vendimeve të Këshillit të Bashkisë Tiranë dhe Këshillit Kombëtar të Territorit dhe në dëm të interesit publik, kanë ndryshuar destinacionin e zonës mbrapa Teatrit Kombëtar duke e kthyer atë nga një zonë rekreative/park në një zonë ku do të ndërtohet objekti 58 katësh.”
“Në datën 28.07.2023, me anë të Vendimit nr. 581/10 është zbardhur edhe leja e ndërtimit për godinën e sipërcituar nga Bashkia Tiranë me drejtues kryetarin e saj Z. Erion Veliaj, e cila ende është e pazbardhur për publikun. Ndërkohë nga informacione të pakonfirmuara ka dyshime të arsyeshme se pagesa e taksës të ndikimit në infrastrukturë është bërë nga palë të treta jashtë kompanisë, kështu i kërkojmë Prokurorisë të hetojë lidhur me këtë çështje.”
Këshilltarët bashkiakë të Partisë Demokratike të Rithemelimit kërkojnë që hapësira të mbetet publike, si i vetmi park i mbetur në qendër të kryeqytetit.
“Ky ishte parku i vetëm i mbetur në zonën e qendrës së Tiranës i cili kishte mbetur si hapësirë rekreative dhe Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Bashkisë Erjon Veliaj në shpërdorim të detyrës së tyre dhe dëm të interesit publik kanë shkelur vetë akte të miratuara nga po këta individë.”
Edhe pse kandidatin e Partisë Demokratike të Rithemelimit, Belind Këlliçin, qytetarët e Tiranës e votuan më shumë se atë të Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, apo Roland Bejkon e PD-së zyrtare, nga PD e rithemelimit nuk pati asnjë protestë dhe deklartë kundër kullës, betonizimit të qendrës së qytetit dhe shkatërrimit të lulishtes.
Ilir Shtufi, një nga biznesmenët më të pasur sot në industrinë e ndërtimit ka patur një lulëzim të menjëhershëm në suksesin e tij brenda pak vitesh. Kompanitë ku Ilir Shtufi është aksioner janë të përfshira në 7 projekte ndërtimi në kryeqytet, një në zonën pranë Teatrit të Operas dhe Baletit, “Garden Building” pranë rrugës së Kavajës, një në rrugën Mine Peza, një te Komuna e Parisit, një në Laprakë, një pranë Casa Italia dhe një tjetër te oborri i Gardës së Republikës. Në total, janë 257 mijë metra katrorë që shoqëritë e lidhura me të po ndërtojnë në kryeqytet, për një vlerë ndërtimi që kap shifrën 150 milion euro. Ilir Shtufi është ortak me 50% të kapitalit në kompaninë “Ferro Beton &Construction” e themeluar në vitin 2002 bashkë me kunatin e tij Mark Lulin, një personazh që sipas padisë rezulton i përfolur në media për lidhje me aktivitete kriminale dhe që dyshohet për pastrim të parave përmes industrisë së ndërtimit.
“Një tjetër provë që forcon këtë dyshim është bashkëpronësia e tij në shoqëri të caktuara apo pjesëmarrja në tendera si me shtetas të dyshuar, nën hetim nga SPAK, apo të dënuar nga gjykata të huaja për vepra të rënda penale si shtetasi Mark Luli, shtetasi Gerian Kuka, shtetasi Anton Gjinaj. Po ashtu, përmes hetimit të plotë dhe të gjithëanshëm, do të mund të zbulohen të gjithë personat e tjerë, të përfshirë në këtë skemë, që përpos dëmtimit të trashëgimisë dhe identitetit të qytetit të Tiranës nëpërmjet ndërtimeve pa kriter, dëmtojnë dhe interesat dhe funksionimin normal të veprimtarisë së funksionarëve shtetërorë.” thuhet në kallzimin e PD.
Fuqizimi i tij nuk është vetëm në fushën e ndërtimit. Nga viti 2020 deri në vitin 2023, kompanitë e lidhura me Ilir Shtufin kanë fituar 20 tendera me vlerë 105 milion euro, ku në 13 prej tyre oferta ishte e njëjtë me fondin limit, në 4 të tjera 95-99% të fondit dhe vetëm në 3 rezultati ishte 75-82% e vlerës limit të garës.
“3 prej procedurave të prokurimit publik, janë fituar si bashkim operatorësh mes njërës prej dy shoqërive në zotërim të Ilir Shtufi me shoqërinë “Alesio – 2014”, në zotërim të plotë të Anton Gjinaj alias Pashk Rrapi, të dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata Provinciale e Alicante-s.” sqarohet në kallzim.
Partia Demokratike dyshon se një pjesë e mirë e tenderave janë përfituar për shkak të lidhjeve që z.Shtufi ka patur me persona të lidhur dhe përfshirë në afera me ish-zv/kryeministrin Arben Ahmetaj, siç është rasti i Gerian Kukës për mbulimin e blerjes së vilës në Hamallaj.
“Gjatë kësaj periudhe, përgjatë së cilës dhe Gerian Kuka është përfshirë në skemën e inceneratorëve, duke ndihmuar dhe lehtësuar fshehjen apo mbulimin e origjinës së pasurisë së Arben Ahmetaj, ai ka themeluar bashkë me Ilir Shtufin dhe Agim Zeqon shoqërinë “Investment and Development Albania”. Veprimtaria e shoqërisë, ndër të tjera, lidhet me kryerjen e veprimtarive tregtare dhe investimeve strategjike në fushën e turizmit dhe ndërtimit.”
80 milion euro tendera janë fituar në projekte të rindërtimit, kur ministër shteti ka qënë Arben Ahmetaj, sot i kërkuar nga drejtësia.
“Duhet të theksojmë se 16 nga këto procedura me vlerë totale 80 milion euro lidhen me projekte rindërtimi për shkak të tërmetit në kohën kur Z. Arben Ahmetaj ka qenë Ministër Rindërtimi. Ky fakt është në vecanti i rëndësishëm për shkak të përfshires së bashkëortakëve të Ilir Shtufit në procesin e blejres së vilës në Hamallaj referuar dosjes së Z. Arben Ahmetaj.”
Në pjesën dërrmuese të tenderave që ka marrë përmes shoqërive të tij, hulumtimet e dokumentacioneve sjellin dyshime për paracaktim dhe favorizim të garës thotë PD.
“Bashkimi i operatorëve “Nova Construction – 2012”, “ANTE Group” dhe “Inerti” kanë fituar procedurën e prokurimit publik (tender i kufizuar) me objekt ‘Rindërtimi i objekteve arsimore Bashkia Durrës 1’ me autoritet kontraktor Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Realizimi i fondit limit në këtë rast ka qenë 100%, ndërsa mes ofertës fituese dhe ofertës më të ulët të paraqitur, por të skualifikuar, ndryshimi është 200 mijë euro.”
Ilir Shtufi është investitor edhe në fushën e energjive të rinovueshme duke marrë në total 10 liçenca në ndërtimin e projekteve në fushën e energjisë, kyresisht panele fotovoltaikë, aktivitet që më shumë se sa investim është i vështirë të lejet që jepen nga autoritetet. Ai rezulton gjithashtu dhe investitor strategjik në projektin “Green House Korça Resort”.
Në kallzimin penal të Partisë Demokratike, Ilir Shtufi përshkruhet si një biznesmen me lidhje dhe fije në të dy anët e politikës, pushtetit dhe opozitës. Një lidhje mes tij dhe djalit të ish-kryeministrit Berisha u tentua të bëhej me një dokument që u publikua në media, ku z.Shtufi rezulton t’i ketë dhënë me qira 1500 euro në muaj një vilë luksoze në zonën e Lundrës Shkëlzen Berishës. Fakt që Shkëlzen Berisha nuk e mohoi, por që nuk përbën një provë të mjaftueshme për akuzat e ngritura për kullën.
“Kulla 100 katëshe u bë qira shtëpie. Që kur jam kthyer në Shqipëri para 17 vjetësh kam zgjedhur të jetoj gjithmonë me qira! Përgjatë gjithë këtyre viteve, ku kam ndërruar tre here banesë, njelloj si shumica e qiramarrësve përveç qirasë, nuk kam patur asnjë marrëdhënie pune me qiradhënësit! Përgjegjësia e qiramarrësit është të paguajë qiranë, jo të kontrollojë punët, financat dhe bizneset e qëradhënësit. E njëjta gjë vlen dhe për banesën aktuale dhe pronarin e saj!” deklaroi Shkëlzen Berisha.
“Kemi depozituar indiciet që Partia Demokratike ka mbledhur në kuadër të shpërdorimit të detyrës, korrupsionit dhe pastrimit të parave”, deklaroi Enriketa Papa, kryetare e këshilltarëve të PD zyrtare në Bashkinë e Tiranës gjatë depozitimit të kallzimit në SPAK.
E pavarësisht këtyre akuzave, politologët mendojnë se në raste të tilla duhet të ketë reagim nga opozita për prishjen e hapësirave publike, sidomos kur ato bëhen në shkelje të procedurave dhe rregullave urbane, siç është konsultimi me banorët përpara dhënies së lejes.
“Në dhënien e lejes të asaj kulle nuk është bërë konsultimi publik dhe një nga elementët më të rëndësishëm të shkeljeve me ndërtimin në Shqipëri është shkelja e këtij parimi që është një detyrim që vjen nga Konventa e Aarhusit, që komuniteti ka të drejtë të informohet për çdo egfekt që vjen nga ndërhyrjet në mjedis. Kjo e drejtë e qytetarëve mohoet nga bashkitë, ministria e Mjedisit dhe qeveria. A duhet që opozita ta ngrejë zërin për këto gjëra? Patjetër. A duhet që të denoncojë shkeljen e ligjit? Patjetër. A duhet të mbrojë interesin e qytetarëve?” sqaron analisti Neritan Sejamini.
Në gjithë këtë luftë për kullat që po pushtojnë qiellin e Tiranës, serioziteti i akuzave të PD-së do të shihet te vëmendja që do i kushtojë kësaj çështjeje dhe vullneti që do të ketë për të ndjekur hetimet e SPAK, në mënyrë që të mos vërtetohen akuzat që i bëhen të enjteve në Kuvend, se çdo gjë është shoë për publikun.
“Ka shkuar z.Basha në garazhin e apartamentit në pallatin ku jeton pronari i kullës 64 kate, për t’i kërkuar ndjesë”, do të thoshte në kulmin e akuzave për kullat Gazmend Bardhi.
“Do të riorganizohemi dhe rishpjegojmë veten tonë, sepse qytetarët mendojnë se po të jepet leja nuk kemi ç’ti bëjmë dhe ne këtu duhet të punojmë që të vazhdojmë protestat.” deklaroi në Kronos Arlind Qori, kryetar i Lëvizjes Bashkë, të vetmit që protestuan kundër kullës 64 kate.
0 Comments: