MC Networking

“Beteja e fundit”, Milo: Marrja i pandehur e Berishës, jo-politike. Reforma në Drejtësi po godet nga “koka” (VIDEO)

Ish-ministri i Jashtëm,  Paskal Milo tha për MCN se e sheh arrestimin e Jamarbër Malltezit dhe marrjen të pandehur të ish-kryeministrit Sali Berisha si jo-politike, pasi sipas tij SPAK është duke vazhduar linjën dhe atë “premtim” që u ka dhënë shqiptarëve për vendosjen e drejtësisë në vend.

Milo tha se dhe momenti i këtij vendimi nuk është qëllimisht, pasi kjo përkon me rihapjen e institucioneve shqiptare pas pushimeve verore. Sipas ish-ministrit të Jashtëm marrja i pandehur i ish-kryeministrit tregon se Reforma në Drejtësi ka filluar nga “koka”.

Më tej Milo tha se duke e njohur personalisht Sali Berishën, ai nuk do të dorëzohet kollaj, pasi siç dhe e konfirmoi në konferencën e djeshme ai do të mbrojë veten.  Sipas Milos kjo është një betejë finale e Berishës për të qëndruar ose jo në politikë.

Intervista e plotë:

1.      Z. Milo si e shihni marrjen e Berishës të pandehur dhe arrestimin e dhëndrit të tij, mendoni se është një vendim i pandikuar i SPAK, apo vendim i marrë në zyra të tjera?

Mendoj që SPAK është duke vazhduar të mbajë të linjë dhe atë premtim që u ka dhënë shqiptarëve që do të përpiqet të vendos drejtësi në vend. Nuk e shoh si rast të veçantë pasi 2 vitet e fundit SPAK ka prekur persona që më parë kanë qenë tabu dhe nuk mund të viheshin para drejtësisë. Me reformën në drejtësi ka filluar një proces që shpresoj të shkojë deri në fund. Mendoj që është një operacion ën politikën shqiptare që vendi të çlirohet nga personat që e kanë marrë peng Shqipërinë. Periudha është mëse normale pasi institucionet shtetërore kanë filluar punën pas pushimeve verore. Nuk është se ka kaluar shumë kohë nga një proces pak a shum analog dhe nuk mendoj se është veprim specifik por është në vijim të reformës që po bëhet. Korrupsioni ka qenë që në fillimet në Shqipëri. Është ajo që thuhej që goditja duhet të fillojë nga koka, kemi të bëjmë me një veprim që tregon se SPAK ka filluar të veprojë. Që nga momenti që u vu në procedurë ish zv-kryeministri Ahmetaj më duket mëse normale që të vijonte me të tjerët. Por kjo nuk do të thotë se zoti Berisha duke u marrë si i pandehur është fajtor. Sepse fajësinë ose jo e përcakton gjykata. Vetë procedura që ka nisur, duke shkuar në një nivel shumë të lartë të politikës.

3.      Mendoni që është drejt arrestimit Berisha dhe familjarë të tij?

I kam lexuar të gjithë ato që qarkullojnë në media, por mendoj që do të jetë një proces i gjatë por edhe do të analizohet me shumë kujdes për të vënë drejtësinë në vend dhe për të mos shkaktuar sensibilitet në shoqërinë shqiptare. Institucioni i hetimit dhe gjykata do të jenë të pavarur dhe nëse ndodh kjo dhe shqiptarët edhe ata që do jenë në anën e Berishës do të binden që përmbi ligjit nuk qëndron njeri.

4.      Kreu i Partisë së Lirisë në një intervistë pak ditë më parë për MCN la të kuptohet se rrugët mes tij edhe Berishës po shkojnë drejt ndarjes, mundet që ai të këtë pasur informacione për këtë që do të ndodhte?

Nuk pash ndonjë deklaratë të qartë, por nëse marrim parasysh deklaratë që ka bërë sot Meta që dënon SPAK dhe e quan veprim të pastër politikë, nuk të jep të mendosh se është duke u menduar për një veprim politik që mund ti çojë jashtë koalicionit këto parti. Për faktin se që në shtator disa ish ministra dhe nëpunës të lartë të shtetit janë marrë në pyetje nga SPAK për këtë çështje do të thotë që kanë qarkulluar informacione për hetimin që ishte duke iu bërë kësaj çështje dhe këto informacione kanë shkuar në selitë e partive. Unë besoj se dhe zoti Berisha e ka ditur që kur janë marrë në pyetje ish ministrat e PD, e ka marrë një informacion paraprak. Po kështu mendoj që edhe kryetari i PL e ka ditur që ka filluar një procedurë e tillë hetimi dhe për rrjedhojë dhe gjuha që ka përdorur ka qenë e kujdesshme duke parashikuar dhe më të keqen e mundshme.

5.      A mund të themi që tashmë ka ardhur koha që po bëhet pastrimi i skenës politike?

Besoj se ka nisur rruga, por është vetëm fillimi dhe uroj të mos ndalet. Le të shpresojmë që kjo që ka nisur të shkojë deri në fund sepse po nuk u pastrua politika shqiptare nuk pastrohet Shqipëria.

6.      Çfarë do të ndodh në këto kushte në kampin opozitar në mendimin tuaj?

Kampi opozitar dhe pa ndodhur kjo gjë ka qenë në krizë të thellë. Opozita shqiptare në gjendjen që ndodhet është sepse nuk e kryen funksionin e saj. Është larg misionit të saj për tu paraqitur si një alternativë bindëse. Në momentin që kur goditet lideri historik i saj normal që do ndihet në themelet e saj. Do të ndikojë, por edhe pa e lidhur me fatin e zotit Berisha, PD ndodhet në një situatë ulëritëse për të marrë masat dhe për të krijuar një shtab të ri politik dhe të bashkuar.

7.      Tashmë Berisha nën ditën e këtyre akuzave a duhet të tërhiqet nga foltorja. Kush është roli që merr Meta në këto kushte?

Berisha mund të vendosë vetë se çfarë mund të bëjë. Unë duke e njohur Berishën mendoj që ai nuk do të tërhiqet, madje që mbrëmë ai e bëri të qartë se cila do të jetë trajektorja e lëvizjeve të tij për të mbrojtur vetëm. Kjo është një betejë finale e tij për të qëndruar ose jo në politikë.

8.      Shihni ngjashmëri mes Italisë së viteve 90, procesit “Mani Pulite” dhe SPAK-ut të sotëm?

Italia nuk është se ishte shquar për të vendosur drejtësi. U desh dhe erdhi momenti që nuk mundej më që Italia të jetonte në pushtetin e organizatave mafioze dhe u gjend një trup që e bëri realitet dhe është momenti tani që edhe Shqipëria të mund të ketë vullnetin e duhur për të vendosur drejtësi. Kjo është një betejë që sapo është futur në udhinë më të rëndësishme të procesit. Unë mendoj që kjo do të thellohet dhe do vazhdojë.

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top