MC Networking

Popullsia e Shqipërisë në rënie/ Eksperti Gjonça tregon pasojat: Do kemi nevojë për 6 mijë menaxherë spitalorë  

Eksperti demograf nga London School of Economics, Arjan Gjonça në një intervistë për MCN TV tregoi ndikimet që do ketë zvogëlimi i popullsisë në Shqipëri, si pasojë e lindshmërisë dhe vdekshmërisë së ulët dhe emigracionit të lartë. Gjonça tha se shteti duhet t’i orientojë iniciativat financiare drejt familjeve dhe kthimit të gjeneratave të larguara. Ai u shpreh se do të ketë një rritje të sëmundjeve kronike, kostove në barna dhe shëndetësi, mungesë të fuqisë punëtore të lirë, mungesën e kujdesit për moshën e tretë. Sipas vlerësimit të tij Shqipëria do të ketë nevojë në dekadën e ardhshme për 5000-6000 mijë menaxherë të shëndetësisë. Gjonça tha se qeveria duhet ta shpallë prioritet menaxherin e sistemit shëndetësor dhe të subvencionojë universitetet për këtë profil studimi.

Ndryshe nga periudha deri në 1990, ku popullsia e Shqipërisë ishte në rritje, në dekadën e fundit 1980-1990, rritja ka qenë mesatarisht me dy për qind në vit. Popullsia në Shqipëri është duke u zvogëluar nga 3,2 milionë që ishte në 1990, tani sipas INSTAT-it është 2,7 milionë, sipas vlerësimeve të mia mund të jetë edhe më ulët, rreth 500 mijë më pak, duhet të presim regjistrimin e popullsisë. Janë tre procese kryesore, lindshmëria, vdekshmëria dhe emigracioni. Treguesi i rënies së lindshmërisë ka ardhur duke rënë gradualisht nga 1960 që ka qenë 7 fëmijë për grua, 3 në 1990-tën, dhe tashmë jemi te 1,4. Rënia është graduale. Treguesi kryesor i rënies së popullsisë është emigracioni. Plakja e popullsisë që po vjen, treguesi i përqindjes së popullsisë mbi 60 vjeç ka arritur në 14-15 për qind, dhe mendohet se në 2030-ën, do jetë 24-25 për qind, në nivelin e Perëndimit. Kurba e lëvizjes së emigracionit neto me atë të rritjes së popullsisë janë identike.

Fenomeni i dytë është vdekshmëria, ku vdekshmëria sërish ka vijuar të ulet në mënyrë të pandalshme në gjithë këtë periudhë. Kemi ulur shumë vdekshmërinë foshnjore, dhe është përmirësua shëndeti dhe janë rritur vitet e jetës të të moshuarve, jo vetëm mosha e tretë, por edhe mosha e dytë. Ka ndryshuar edhe incidenca e sëmundshmërisë. Jemi një shoqëri e jetëve të gjata dhe lindshmërisë së ulët. Sa më shumë lëviz në tranzicionin epidemiologjik një popullsi më të plakur, ti kalon nga sëmundjet infektive që mund t’i parandalosh me masa shumë të thjeshta, vaksinimin e fëmijëve, fushatat kundër turbekulozit, dhe kalohet nga sëmundjet ngjitëse te ato jo ngjitëse, te kanceret, sëmundjet kardiovaskulare, diabetet, etj. Duhet të rriten pagesat në sistemin e shëndetësisë, pasi një mjek është i detyruar ose të punojë te privati ose të marrë atë pagesën informale, që është ilegale. Mbi të gjitha ka nevojë një rregullim i gjithë sektorit privat dhe shtetëror. Duhet të ndahet sektori privat nga ai shtetëror. Një mjek dhe infermier që punon në sistemin shtetëror, nuk mund të punojë dhe njëherësh të ketë biznes në sistemin privat, sepse ka konflikt interesi. Mund të rregullohen jo duke i ndaluar, por duke i lejuar vetëm një përqindje të caktuar të kohës ose të të ardhurave”.

Nuk është se kanë ndryshuar arsyet pse ikin shqiptarët, ikin për një jetë më të mirë. Kanë ndryshuar grupmoshat. Pas rënies së komunizmit emigrimi ishte masiv nga 20 në 60 vjeç, tashmë është ulur aq shumë përqindja në grupmoshat e popullsisë aktive, sa tani ose do shkojnë për bashkim familje, ose të rinjtë, fëmijët e viteve 90’ apo 2000. Në valën e dytë të emigracionit si meshkujt dhe femrat ikin me të njëjtat ritme dhe shpejtësi. S’ke fuqinë punëtore më të lirë, por do rrisësh produktivitetin. Kërkohen modele më të mira dhe investime në teknologji të reja. Sa i përket faktit që popullsia po plaket, do ndryshojë edhe struktura e buxheteve. Ne do kthehemi si Kina, një çift, dy vetë, janë përgjegjës për 4 prindër dhe kanë vetëm një fëmijë. Kemi një fenomen të keq, s’kemi motër dhe vëlla që të kujdeset për moshën e tretë, sepse të gjithë kanë ikur. Shteti s’mund të krijojë vetëm azile. Duhen politika të orientuara për grupe të caktuara. Të kalosh më shumë iniciativa financiare në familje si Japonia, ose të investosh më shumë për të kthyer këto gjenerata të larguara. Ka filluar të ketë një zbrazje të tregut të punës. Ke nevojë për fuqi punëtore, të kualifikuar apo jo. Kemi filluar të marrim punëtorë nga jashtë. S’ka njeri të punojë në ndërtim, të merret me shërbimet. Duhen politika të fokusuara te të rinjtë, e para të ndalosh emigracionin, mund të rritet edhe lindshmëria dhe të ketë kthime. Qeveria s’duhet t’i japë një rëndësi kaq të madhe bonuseve të lindjes. Influencojnë lindjet te shtresat në nevojë. Këtë fëmijë të lindur ajo shtresa në nevojë do ta bëjë fëmijën, që ka nevojë për të ardhura, dhe mbetet përsëri në varfëri dhe bën që të rritet pabarazia shoqërore.

Duhet të rritet investimi në sistemin terciar, të trajtimit të sëmundjes. Sëmundjet kronike do rriten, do rritet kostoja, qoftë në farmaceutikë, por edhe shëndetësi. Nga pikëpamja e ofertës nuk ke shumë diploma që përgatisin menaxherë të sistemit shëndetësor. S’e kemi parë deri më sot menaxherin e shëndetësisë si profesion të rëndësishëm. Zakonisht politika bën akoma qoka, shikojini kush janë drejtor spitalesh, çfarë backround-i kanë! Edhe klinikat e mjekut të familjes kanë nevojë për një menaxher shëndetësor. Ai menaxheri ul kostot, rrit cilësinë e shërbimit. Në një vlerësim që kam bërë unë për një studim që pritet të botohet në një revistë angleze, mendohet që Shqipëria në dekadën e ardhshme të ketë një nevojë 5000-6000 mijë menaxherë të shëndetësisë. Ka ardhur koha që qeveria të thotë që prioritet është mësuesi dhe e ka thënë, duhet të thotë se është edhe menaxhimi i sistemit shëndetësor. Ai menaxheri është edhe për të përmirësuar shërbimit. Nëse universitetet do fusin diploma të kësaj natyre, shteti mund t’u thotë do t’u subvencionoj se e kam prioritet kombëtar”.

 

 

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top