Duket se shkëlqimi i "Zayed-Flatrat e Veriut", që u krijua për të shërbyer si aeroporti i dytë i Shqipërisë, nuk zgjati shumë. Fillimisht ishte një komentues në faqen e kryeministrit Rama, që bëri të ditur se aeroporti i Kukësit ka ndalur fluturimet ditët e fundit për shkak se pista e avionëve është çarë. Këtë gjë e konfirmoi më pas edhe fotoreporteri e parashutisti, Alket Islami, i cili ka publikuar para pak ditësh pamje nga ajri të pistës së aeroportit të Kukësit. Në video dallohet qartë, që pista e avionëve ka çarje të konsiderueshme në gjithë gjatësinë e saj.
Po ashtu, në faqen zyrtare të aeroportit ndërkombëtar të Kukësit, nuk rezulton të ketë nisje apo mbërritje të paktën në dy ditët e fundit. Edhe faqja ndërkombëtare "Flightstats", që tregon fluturimet në aeroportet në mbarë botën, nuk ka të regjistruar asnjë udhëtim nga data 11 deri në 17 shkurt në aeroportin e Kukësit
Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit "Zayed-Flatrat e Veriut" u inagurua në prag të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021. Në 18 prill të po të njëjtit vit u ul avioni i parë me pasagjerë nga Londra së bashku me kryeministrin Rama.
Ndërkohë, aeroporti u hap zyrtarisht në 9 korrik, kur 67 pasagjerë nga Zyrihu zbritën në Kukës.
Ky aeroport i është dhënë me koncension për 35 vite bashkimit të përkohshëm të shoqërive, "Global Tecnichal Mechanics sh.p.k" dhe "Bami sh.p.k", të cilët investuan një vlerë prej 8 milionë eurosh për rehabilitimin e aeroportit të Kukësit.
0 Comments: