MC Networking

Tomorri: Bordi i Transparencës, ndërhyrje brutale në treg. Dy hallka para konfiskimit të ndërtimeve pa leje

Gazetari i ekonomisë Klodian Tomorri, duke komentuar kërkesën e Partisë Demokratike në Gjykatën Kushtetuese për shfuqizimin e Bordit të Transparencës për çmimet e karburantit dhe zhbërjen e dy ligjeve të miratuara, sqaroi se ne kemi një ekonomi të lirë tregu ku çmimet caktohen si rrjedhojë e kërkesës dhe ofertës në treg.

Në studion e lajmeve të MCN TV, ai tha se Bordi i Transparencës është një mekanizëm i dyshimtë ligjor, pasi shtoi se është konkurrenca dhe tregu i hapur ai që i mban çmimet në ekuilibrin normal në shoqëri.

Nuk ka nevojë për mekanizëm shtetëror për përcaktimin e çmimeve. Ne e kemi pasur një shtet që për gati 50 vjet përcaktonte çmimet në treg.

Nuk ka nevojë të ketë bord, çmimet në një treg të lirë i mban konkurrenca dhe raporti mes kërkesës dhe ofertës. Pamë që në një moment të caktuar kompanitë e vogla filluan të tregtonin karburant çmime deri në 15 lekë për litër më lirë se ai që caktonte bordin. Këtu e pamë efektivitetin e Bordit.

Dy ishin problemet, ose metodologjia e Bordit ishte problematike dhe nuk çonte në çmim të duhur por abuziv, ose Bordi ishte i kapur dhe nuk funksiononte në interes të publikut dhe qytetarëve por për interesa të ngushta. Bordet nuk janë mekanizma efiçentë për të mbrojtur qytetarët nga abuzimet.

Është provuar që bëjnë më shumë dëme se të mira. Shfuqizimin e dy akteve normative që bëjnë të mundur funksionimin e bordeve, e shoh si kërkesë totalisht normale dhe është koha që bordet të lihen të lirë, qeveria dhe shteti kanë detyrë të ruajë rregullat e tregut dhe të ruajë konkurrencës.

Sipas tij, në Shqipëria deri para muajit marsit, karburanti në Shqipëri është shitur pa bord dhe për vite të tëra nuk ka pasur nevojë për bord.

U ndërhy brutalisht në treg, se përcaktimi i çmimeve nga ana e qeverisë është nga format më të rënda, siç e pamë ndodhi që në treg shitej naftë më lirë se çmimi që vendoste bordi. Nuk ka nevojë të ketë bord.

Në një ekonomi të tregut të lirë, termi spekulim apo abuzim me çmimet është non sens. Ka vetëm kërkesë ofertë, ku aktorët e tregut ndërveprojnë me njeri tjetrin dhe arrihet në një çmim ekuilibër.

I pyetur lidhur me paketën e dytë të rezistencës së prezantuar pak ditë më parë nga ministrja e Financave Delina Ibrahimaj në Komisionin e Ekonomisë, Tomorri e cilësoi si një replikim të paketës së parë që u zbatua në periudhën prill-qershor.

Ai e cilësoi si një zgjatje edhe me 3 muaj të tjera, duke patur fondin e vënë në dispozicion nga qeveria rreth 6 miliardë lekë, përfituesit do të jenë identik mea përfituesit e paketës së mëparshme.

3 mijë lekëshi në muaj për pensionistët, kompensim i energjisë për shtresat në nevojë, kompensimi për kompanitë e transportit publik për të mos rritur çmimin e biletave.

E shoh si replikim të paketës së prill-qershor, por qeveria harroi që kishim përpara muajin korrik dhe gusht, ku nuk pati asnjë mbështetje për kategorinë në nevojë. Ne po përballemi aktualisht me nivel inflacioni që për ekonominë shqiptare, përjashtuar vitin 92-93, nuk ka përjetuar ndonjëherë inflacion në këto nivele 7-8%.

Ka patur një periudhë në vitin 2009, ku inflacioni ishte 5%, ishte një periudhë e shkurtër, por këtë herë rritja e çmimeve duket më e gjatë në kohë. Nuk shohim sinjale për rikthim të çmimeve në normalitet. A mjafton një paketë 6 miliardë lekë për të zbutur pasojat sociale, që kjo krizë çmimesh po jep në buxhetet e familjeve shqiptare?

Qeveria shqiptare është dorështrënguar në paketat që jep.

Ai tha ndër të tjera se të parashikosh ecurinë e çmimeve është guxim i madh dhe ekonomistët kur pyeten për parashikimet iu bëjnë bisht se janë me qindra faktorë që ndikojnë përditshmërinë ekonomike në treg dhe nuk mund të japësh një parashikim të saktë.

Kjo është një situatë e jashtëzakonshme, me një dallgë çmimesh që ngjan me periudhën inflacioniste të viteve ‘60-‘70 , ku u deshën shumë vite që çmimet të ktheheshin në normalitet.

Është një krizë që ngjan me atë të viteve ‘70-të, se edhe atëherë burimi i krizës ishte i njëjtë me sot. Krizë energjetike e cila reflektohet në çmimet e naftës, karburanteve dhe energjisë elektrike dhe kemi pasur një pompim të jashtëzakonshëm të KESH në ekonomi. Kur njerëzit kanë shumë para, rritet kërkesa për mallra në treg.

Është ky faktor që i ka trembur ekspertët dhe ekonomistët. Është e vështirë të parashikosh se çfarë do të ndodh. Nëse ekonomitë do të ngadalësojnë, kjo do të jetë një faktor frenues në rritjen e çmimeve.

Është si një thikë me dy presa, ku normalizimi i çmimeve do të vijë me një kosto shumë të lartë ngadalësimi i rritjes ekonomike.

Lidhur me propozimin e bërë nga ministrja Belinda Balluku për konfiskim të ndërtimeve pa leje, ai e cilësoi si një masë e cila duhet të ketë lidhje me zhvillimet që po ndodhin aktualisht në sektorin e ndërtimit.

Në qendër të Tiranës po ngrihen përbindësha betoni dhe një pjesë e madhe e tyre janë në shkelje të lejes. Kemi pasur shkelje të lejes me tre kate në godinën me ngjitur me ETC, shkelje me godinën përballë Bankës së Shqipërisë. Po çohet edhe më në ekstrem marrëzia e betonit.

Nuk e di se sa vullnet do të ketë qeveria, për të ndaluar një fenomen të tillë, por ajo që do të ndodhë është se vendimi i qeverisë parashikon tre lloj masash ndëshkimore: së pari ndërtuesit do i kërkohet të paguajë gjithë katet mbi shtesën e lejes, çmimi që do merret referencë, do shihet në detaje.

E dyta, sipërfaqen që ka shtesë mbi leje do e dhurojë te shteti dhe nëse i refuzon të dy këto hallka, vetëm atëherë do të kalohet te konfiskimi i sipërfaqes shtesë të lejes dhe kallëzimi penal i ndërtuesit.

Për shkelje të rëndë të lejes së ndërtimit, mund të dënohesh deri në 8 vite burg.

 

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top