MC Networking

Presidenti Meta dekoron dy xhudistet kosovare dhe trajnerin

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka vlerësuar me Dekoratën e Lartë “Nderi i Kombit”, dy xhudistet kosovare, D’Istira Krasniqi dhe Nora Gjakova, të cilat fituan medalje të arta në Lojërat Olimpike në “Tokyo 2020”.

Përveç dy xhudisteve, është dekoruar nga presidenti i Republikës, edhe trajneri i tyre, Driton Kuka.

Në postimin e Ilir Metës shkruhet:  “Kampionet D’Istria Krasniqi, Nora Gjakova dhe trajneri i tyre i fantastik, Driton Kuka personifikojnë më së miri ëndrrat, suksesin dhe krenarinë e popullit dhe të shtetit të Kosovës.

Me “Medaljet e Arta” të fituara me meritë në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”, të tre këta sportistë janë sot  ambasadorët dhe promovuesit më të shkëlqyer të vlerave dhe kontributeve, që Kosova mund të japë edhe në nivel botëror, përmes sportit.

D’Istria, Nora dhe Toni, ashtu si më herët edhe kampionia tjetër Majlinda Kelmendi, një meritë të jashtëzakonshme kanë edhe për lartësimin e krenarisë dhe të dinjitetit kombëtar, si shembuj të shkëlqyer frymëzimi dhe referimi për brezat e rinj në rrugën drejt suksesit.

Me mirënjohje të thellë për këtë kontribut të vyer shumëdimensional, kisha sot privilegjin e veçantë të vlerësoja me Dekoratën e Lartë “Nderi i Kombit” tre kryeshqiponjat e sportit shqiptar, kampionet D’Istria Krasniqi, Nora Gjakova dhe trajnerin e tyre Driton Kuka, si një inkurajim edhe për të gjithë sportistët e tjerë, të cilët duhet t’i konsiderojnë sukseset e tyre edhe si një mundësi të madhe të promovimit të vlerave të sportit, të kulturës dhe të trashëgimisë sonë kombëtare.

Faleminderit vajzave, faleminderit trajnerëve dhe gjithsecilit që mendon, punon dhe ndihmon në sukseset dhe promovimin e Kosovës dhe të vlerave të mbarë kombit shqiptar!”

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top