Drejtori i organizatës mjedisore PPNEA, Aleksandër Trajçe, sqaron letrën dërguar Kuvendit për shfuqizimin e ligjit për zonat e mbrojtura.
Në një intervistë për edicionin e lajmeve në MCN TV, ai deklaroi se ndryshimet ligjore shënuan regres për zonat e mbrojtura.
Kërkesa është e njëjta që ne si organizatë kemi kërkuar në vitin 2024, kur ndodhën ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura. Në ndryshimet e vitit 2024 u bë regres për zonat e mbrojtura dhe ju hap rrugë zhvillimeve në zonat e mbrojtura. Dhe me këto ndryshime mund të ndërtosh dhe brenda zonave të mbrojtura dhe brenda parkut kombëtar.
Ligji na solli pasojat që po i shohim sot e kësaj dite me situatën në Zvërnec ku buldozerët hynë pa asnjë leje, filluan punimet pa ndjekur asnjë procedurë, frymëzuar nga fryma që jepte ky ligj. Me që filloi sesioni i ri parlamentar, ne kërkojmë që deputetët të marrin këtë përgjegjësi për ndryshimin e ligjit, si pjesë e kushteve për t’u futur në Bashkimin Europian.
Kjo është një nga kërkesat kryesore i protestës që ligji i vitit 2024 të anulohet dhe të kthehet ligji që ka qenë garant për zonat e mbrojtura. Dimë që gjatë verës u dërgua një draft i ligjit për zonat e mbrojtura dhe Komisioni Europian e ktheu mbrapsht.
Për ne është sinjal negativ që tregon synimet për të vazhduar me planet famëkeqe sidomos në bregdet, ku projektet kanë marrë vëmendjen ndërkombëtare. Nuk shikojmë moment reflektimi, por jepet mesazhi se qeveria nuk e do në mënyrë të qartë integrimin europian, por ka në fokus interesat e veta dhe të vendosë një maskë për BE.



