
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi nis më 23 shtator, nga Malësia e Madhe një cikël takimesh në terren, në kuadër të nismës së re “Udhëtimi në Shqipëri”, që do ta çojë institucionin drejtpërdrejt pranë qytetarëve dhe komuniteteve lokale.
Nisma do të shtrihet deri në dhjetor 2026, duke përfshirë disa bashki nga veriu në jug të vendit.
Synimi është të afrojë qytetarët me informacionin, të drejtat dhe mekanizmat institucionalë të mbrojtjes nga diskriminimi, veçanërisht në zonat ku aksesi në këto mekanizma është më i kufizuar.
Ndalesa e parë, më 23 shtator në Malësinë e Madhe, do të ketë në fokus barazinë në aksesin në shërbimet publike.
Një ditë më pas, më 24 shtator, “Udhëtimi në Shqipëri” do të vijojë në Fushë-Arrëz, ku vëmendja do të përqendrohet te mbrojtja nga diskriminimi në komunitetet rurale dhe sfidat që qytetarët hasin në aksesin në arsim, punësim dhe shërbime publike.
Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Genta Tafa (Bungo), së bashku me ekipin e institucionit, do të zhvillojë takime të drejtpërdrejta me qytetarë, përfaqësues të institucioneve vendore, shkollave dhe organizatave të shoqërisë civile, si dhe me grupe në situata vulnerabiliteti.
“Mbrojtja nga diskriminimi nuk duhet të mbetet vetëm brenda dyerve të institucionit. Duam të shkojmë atje ku janë qytetarët, t’i dëgjojmë nga afër, t’i informojmë për të drejtat dhe mekanizmat që kanë në dispozicion dhe, mbi të gjitha, të kuptojmë pengesat konkrete me të cilat përballen në jetën e përditshme. Barazia merr kuptim kur qytetari e ndien atë në aksesin në arsim, në punësim, në shërbime publike dhe në marrëdhënien me institucionet”, shprehet Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Genta Tafa (Bungo).
Përmes dialogut të drejtpërdrejtë, KMD synon jo vetëm të informojë qytetarët për të drejtat e tyre dhe mënyrën e paraqitjes së një ankese, por edhe të evidentojë nga afër pengesat konkrete me të cilat ata përballen.
Pas Malësisë së Madhe dhe Fushë-Arrëzit, “Udhëtimi në Shqipëri” do të vijojë në Kukës, Bulqizë, Klos, Librazhd, Mallakastër, Kolonjë dhe Përmet, për t’u përmbyllur më 2 dhjetor në Rrëshen.



