Nxënësit shqiptarë kanë shënuar përmirësim në të tre fushat e vlerësuara nga testi ndërkombëtar PISA 2025, krahasuar me rezultatet e vitit 2022.
Sipas ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro, nga Bratislava, ku po zhvillohet ministeriali i vendeve të OECD-së për publikimin e rezultateve të PISA 2025, Shqipëria ka regjistruar rritje me 65 pikë në matematikë, 59 pikë në shkencë dhe 50 pikë në lexim.
Sapo u publikuan rezultatet e PISA 2025, ku nxënësit shqiptarë, krahasuar me rezultatet e vitit 2022, kanë treguar përmirësim të qartë në shkencë, matematikë dhe lexim, duke u rritur:
+65 pikë në matematikë
+59 pikë në shkencë
+50 pikë në lexim
Ndërsa në shkencë dhe matematikë kryesojnë rezultatet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke lënë pas jo vetëm vende të rajonit tonë, por edhe vende të tjera europiane, një rezultat që nuk është aspak moment për vetëkënaqësi, por gjithmonë e më shumë një dëshmi e progresit të vazhdueshëm në arsim dhe e punës që po bëhet çdo ditë në shkollat tona nga i gjithë sistemi arsimor, nga nxënësit, mësuesit, por edhe prindërit.
Kumbaro theksoi se këto rezultate duhet të shërbejnë si bazë për një analizë të thelluar dhe jo si arsye për vetëkënaqësi, duke nënvizuar nevojën për të vijuar punën për përmirësimin e performancës së nxënësve dhe mësuesve.
“PISA na ndihmon të rrisim performancën e nxënësve dhe mësuesve, por edhe të kuptojmë se si nxënësi i përdor në jetë ato që mëson në shkollë”, shprehet ministrja.
Sipas saj, progresi i evidentuar në PISA 2025 duhet parë si një nxitje për të ecur më tej në fushën e arsimit dhe jo si një krenari historike, duke e vendosur fokusin te rezultatet konkrete dhe te përmirësimi i vazhdueshëm i sistemit arsimor.



