Njësia Administrative Ungrej ishte ndër zonat më të prekura nga zjarret e kësaj vere në Qarkun e Lezhës. Flakët, që përfshinë zonën për rreth 10 ditë, shkaktuan dëme të konsiderueshme në banesa, ekonomi familjare dhe sipërfaqe pyjore.
Dhjetë shtëpi u dogjën, ndërsa flakët shkrumbuan edhe disa kasolle me bagëti, pemë frutore dhe qindra hektarë pyje. Banorët tregojnë për dëmet e mëdha të shkaktuara nga zjarri, duke thënë se brenda pak ditësh u shkatërrua një pjesë e madhe e mundit dhe pasurisë së krijuar ndër vite.
Ata kërkojnë që dëmet të vlerësohen në mënyrë reale dhe që procesi i kompensimit të nisë sa më shpejt. Pas shuarjes së plotë të vatrave të zjarrit te cilat zgjaten per rreth 10 dite, Bashkia Lezhë ka nisur verifikimin në terren për evidentimin e të gjitha dëmeve të shkaktuara.
Të dhënat e mbledhura do t'u përcillen strukturave qendrore, me qëllim vlerësimin e situatës dhe marrjen e masave për kompensimin e banorëve të prekur.



