
Ish-deputeti Fatbardh Kadilli deklaron se ne në Shqipëri nuk kemi parti, por kemi kryetarë dhe shefa që merren vesh shumë mirë me njeri tjetrin që të pengojnë mundësitë e çdo ndryshimi.
Në emisionin “Arnautistan” në MCN TV, ai deklaroi se po të dojë dikush të sfidojë sistemin jashtë partisë, e ka të pamundur pasi ka aq shumë pengesa që hasen.
Sipas tij, dikush që do të sfidojë për Tiranën për të dalë kryetar bashkie, i duhen 6500 firma.
PD organizoi primaret dhe i pari që doli bashkë me të dytin për Tiranën, kanë bashkë më pak se 6 mijë vota.
Kur një njeriu i kërkojnë 6 mijë, pse duhet të ketë pengesa të tilla? Mund të ketë një prag minimal për ti dhënë një lloj serioziteti, 1 mijë firma.
Ky sistem vret individin, edhe në parti e vret individin me forumet e veta që i krijon kryetari dhe nuk e sfidon dot kryetarin.
Pse çohet në mes të natës lista në KQZ? Bëhet që askush i pakënaqur të mos shkojë të regjistrohet me palën tjetër. E kanë çuar mbas mesnate.
Edhe PD në vitin 2017 e ka dorëzuar ditën tjetër në 01.00 të natës me 73 emra, po të tjerët që u pranuan mbrapa?
KQZ e pranon dhe kjo lejohet nga Rama, se u morën vesh me njeri tjetrin. Nuk kemi sistem partiak, kemi sistem kryetarësh.
Ka dy kritere që të zgjidhesh nga një kryetar, ta imitosh deri në vdekje dhe duhet të kesh në mënyrë absolute paaftësi politike. Mund të jesh ekonomist, jurist i zoti, por jo politikan i zoti.
Prandaj shumë nga këta që janë promovuar, në momentin që i heq shikimin kryetari, këta nuk prodhojnë dot një artikull gazete apo një status.
Nuk prodhojnë dot një mendim politik. Një njeri i kufizuar, i mbyllur diku përdoret vetëm për atë që ka.
Këta që rrinë nga mbas dhe imitojnë shefin, e dinë që nuk funksionon kjo, por thonë nuk do jem unë që do e pësojnë dhe dorëzojnë lirinë dhe arsyen te ky sistem.



