
Deputeti socialist Petro Koçi, thotë se për çështjen “McGonigal”, opozita nuk zgjodhi debat por strategji bilbilash dhe një lloj shmangie nga debati.
Duke folur nga studio e MCN Live, ai tha se është lënë një datë ku bashkohen mocioni me debat dhe interpelanca, të gjitha brenda një dite, ku do të jetë një seancë e gjatë me diskutime.
Objektivi ynë është për të sqaruar mirë në publik rrethanat, arsyet që e shtyjnë zotin Berisha që në gjithë këtë periudhë të ndjekë strategji presioni dhe dhune.
Kjo nuk ka filluar prej McGonigal por strategji e hartuar më parë. Mjafton t’iu kujtoj demonstratën që bëri këtu ditën që këtu u bë samiti i Bashkimit Europian.
Mjafton ky fakt për të shpjeguar që nuk ka lidhje me McGonigal kjo sjellje e zotit Berisha, pro ka lidhje vetëm me interesin e tij personal.
Lidhur me refuzimin e ngritjes së komisionit hetimor, Koçi, tha se kërkesa për ngritjen e tij u bë për të shtuar retorikën parlamentare, mes mazhorancës dhe opozitës, por edhe në opinionin publik, për të krijuar një dyshime dhe se përbënte një lloj fabule.
Sipas tij, u menaxhua më mirë në këtë mënyrë me ftohtësi, për të shmangur përballjen me një opozitë që sillej si turmë dhe se pavarësisht numrave që kanë në parlament, u mundua të kombinohej prezenca e zhurmshme brenda sallës parlamentare me atë jashtë.



