
Në fjalën e mbajtur një vjetorin e nisjes së ndërhyrjes ushtarake ruse në Ukrainë, ministrja e Jashtme Olta Xhaçka nga Këshilli i Sigurimit të OKB, ku Shqipëria është bashkëpenëmbajtëse deklaroi se dëmi i shkaktuar gjatë kësaj kohe është i pamatshëm.
Ministrja tha se kjo ditë nuk ka asgjë për të festuar, përkundrazi është një ditë pendese, pasi një vit më parë, trupat ruse u vërsulën drejt kufijve të Ukrainës dhe raketat ruse mbushën qiellin e saj duke ndezur luftën brutale që vazhdon deri në këtë orë.
Ajo që Rusia filloi pikërisht në këtë ditë të vitit të kaluar ka qenë katastrofike për Ukrainën, ka tundur themelet e Europës, ka formësuar historinë botërore.
Mijëra civilë kanë humbur jetën; miliona fëmijë kanë humbur shkollat e tyre; njerëz të panumërt kanë humbur shtëpitë e tyre; miliona të tjerë janë zhvendosur dhe dëmet në infrastrukturën dhe ekonominë e Ukrainës janë të pamatshme.
Miliona në mbarë botën, sidomos më të varfrit dhe shtresat më të prekura, kanë vuajtur shumë për shkak të efekteve globale të luftës, veçanërisht të rritjes së krizës ushqimore.
Ne kemi qenë dëshmitarë të mijëra të dënuarve që u detyruan të mobilizohen dhe u sakrifikuan në radhët e grupit Wagner, një makinë vrasëse me gjurmë famëkeqe dhe në pjesë të tjera të botës.
Dhe më e tmerrshmja nga të gjitha është se një luftë e padrejtë, e paligjshme dhe e paprovokuar kundër një vendi dhe populli të pafajshëm, kryhet nga një anëtar i përhershëm i këtij Këshilli, i cili ka përgjegjësi të veçantë për garantimin e paqes dhe sigurisë, për zbatimin e Kartës së OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare.
Xhaçka deklaroi se aktualisht Rusia nuk ka asnjë arsye për të qenë krenare dhe se me veprimet e saj të gabuara, me politikën e saj katastrofike dhe me luftën e saj kriminale, Rusia është izoluar dhe faji bie vetëm mbi të për këtë izolim.
Sipas saj, sa më shpejt ta kuptojnë rusët e zakonshëm, aq më shpejt do të ndalet kjo marrëzi.
Kjo luftë duhet të marrë fund dhe do të marrë fund. Por fundi që ne parashikojmë është fundi i agresionit, jo fundi i rendit botëror të bazuar në rregulla.
Është fundi i pranisë së trupave ruse në Ukrainë, jo fundi i jetës atje; Është fundi i vuajtjeve të panevojshme, jo fundi i shpresës.
Ukraina duhet të ketë dhe do të ketë një të ardhme me një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, të lirë, të sigurt, sovrane dhe brenda integritetit të saj territorial të rivendosur, dhe ne presim me padurim ditën, që shpresoj të jetë së shpejti, të fillimit të një procesi shërimi dhe pajtimi.
Por derisa të vijë ajo ditë, Ukraina dhe populli i saj meritojnë të gjithë mbështetjen tonë politike, ekonomike dhe ushtarake, të gjithë solidaritetin tonë në rezistencën e tyre heroike për të mbrojtur veten, për të mbrojtur të drejtën.



