
Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet sot në një seancë plenare me një rend dite mjaft të ngjeshur, ku në qendër të vëmendjes do të jenë pesë interpelanca të kërkuara nga opozita, si dhe votimi i draftit të debatueshëm për pagat në drejtësi.
Ndërkohë, paralelisht me zhvillimet brenda sallës, jashtë ambienteve të Parlamentit është paralajmëruar mbajtja e një tjetër proteste nga qytetarët.
Partia Demokratike ka thirrur në interpelancë pesë anëtarë të kabinetit qeveritar. Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, do të përballet me pyetjet e opozitës lidhur me menaxhimin e 102 kontejnerëve me mbetje toksike në periferi të Durrësit.
Po ashtu, shpjegime do të kërkohen edhe nga ministri i Brendshëm, Ervin Demo, lidhur me akuzat e opozitës për përdorim të dhunës nga Policia e Shtetit gjatë arrestimeve në protestat e fundit.
Kërkesa për interpelancë janë depozituar edhe për ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, si dhe për ministren e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu.
Një tjetër pikë e nxehtë e rendit të ditës është votimi i formulës së re për përllogaritjen e pagave të magjistratëve. Ky votim vjen në një moment krize, ku sistemi i drejtësisë ndodhet në ngërç për shkak të bllokimit të pagave të muajit gusht nga Thesari i Shtetit.



