Gazetari, Xhevahir Zhabina, e ka cilësuar dosjen e Belinda Ballukut si një nga çështjet më serioze që Prokuroria e Posaçme ka në duar.
Në një lidhje skype për MCN, ai u shpreh se qëndrimi i Ballukut në detyrë pengon punën e hetuesve dhe se SPAK duhet që të marrë vendimin për heqjen e imunitetit.
"Dosja Balluku është një nga çështjet më serioze që Prokuroria e Posaçme ka në duar. SPAK është duke hetuar Ballukun dhe biznese të rëndësishme, duke e akuzuar atë për shkelje të barazisë në tendera dhe mosdeklarim të pasurisë. Përveç vilës që iu gjet pak më parë në jug, këtë herë iu zbulua një tjetër vilë në jug. Sipas Prokurorisë së Posaçme, kjo vilë është në pronësi të saj dhe për ta fshehur është përdorur një kontratë fiktive. Më pas, në këtë histori hyn edhe një biznesmen i rëndësishëm, Arbër Abazi, i cili ka fituar Lotin 7 të Unazës së Tiranës me vlerë 25 milionë euro. Sipas SPAK, kjo vilë është arreduar nga kompania e tij në një vlerë që shkon nga 288 mijë deri në 410 mijë euro. Ky është fakti i ri që ka sjellë Prokuroria e Posaçme, e cila po i merr lotet e tenderave një nga një. Në njërin prej tyre Balluku ka përfituar një vilë, ndërsa për lotet e tjera mbetet për t’u parë. Se kuptoj pse hetohet vetëm Loti 7.
Kjo është pikëpyetja e madhe. Edhe SPAK prodhon politikë për shkak të hetimeve dhe personazheve që ka nën shënjestër. Për dosjen 'Balluku', SPAK thotë se ajo, në bashkëpunim me Ervis Berberin, ka vendosur privilegje për firma me rëndësi në Shqipëri që të përfitonin miliona euro nga tenderët. E kemi pyetur drejtuesin e SPAK nëse fakti që ajo është ende në detyrë e pengon punën e hetuesve, dhe kjo është pranuar. Megjithatë, SPAK nuk po shkon drejt një vendimi për heqjen e imunitetit, duke mos e testuar kështu të drejtën kushtetuese për të kërkuar autorizim për të.
Teksa më më 15 shtator Gjykata e Lartë pritet të rishqyrtoj çështjen e Erion Veliajt të kthyer nga Gjykata Kushtetuese, pasi kjo e fundit pranoj pjesërisht kërkesën e Veliajt dhe konstatoj mungesën e proporcionalitetit në masën e sigurimit “arrest në burg”, gazetari u shpreh i bindur se mundësia që ai të fitoj lirinë është e vogël.
Dosja e Veliajt është një nga dosjet më të kopsitura. Ndoshta ai mund të jetë nën hetim edhe për çështje të tjera, por me aq sa kemi lexuar, është e pamundur që gjykata të vendosë për lirimin e tij. Aq më tepër me kërcënimet ndaj prokurorit dhe shantazhin ndaj oficerit të BKH-së, të cilat janë të provuara në dosjen e Prokurorisë së Posaçme. Gjithashtu, fakti që ai komunikoi me telefonin e punonjësit të burgjeve, e bën të vështirë që Veliaj të fitojë lirinë më 15 shtator.



